Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Siraku 8

8
Mençuria e maturia
1Mos u ndesh me njeriun e fuqishëm,
që të mos i biesh në dorë.
2Mos u grind me njeriun e pasur,
se ai peshon më shumë se ti.
Shumë vetë ka prishur ari,
ua ka shtrembëruar zemrat.
3Mos u ndesh me fjalamanin,
mos i hidh dru zjarrit të tij.
4Mos e vër në lojë njeriun e pamësuar,
që të mos i turpërosh paraardhësit.
5Mos e qorto njeriun që i largohet mëkatit,
kujtohu se ndëshkimin e meritojmë të gjithë.
6Mos e turpëro njeriun në pleqëri,
se edhe ne do të plakemi.
7Mos iu gëzo vdekjes së tjetrit,
kujtohu se të gjithë do të vdesim.
8Mos i përbuz fjalët e të urtëve,
por përsiati fjalët e tyre të urta.
Prej tyre do të nxësh dijen
si t'u shërbesh të mëdhenjve.
9Mos i shpërfill fjalët e pleqve,
se edhe ata prej etërve kanë mësuar.
Prej tyre do të mësosh mençurinë
e si të përgjigjesh në kohë nevoje.
10Mos u fry thëngjijve të mëkatarit,
që të mos digjesh në zjarrin e tij.
11Mos dil kundër njeriut të pafytyrë,
që fjalët e tua të mos i përdorë si kurth.
12Mos i jep hua më të fuqishmit se ty,
po i dhe, dije se ke humbur.
13Mos u bëj dorëzanë përtej mundësive,
po u bëre, bëhu gati të paguash.
14Mos hyr në gjyq me gjykatësin,
se do të gjykojnë duke ia mbajtur anën.
15Mos u nis për udhë me mendjelehtin,
që të mos të bëhet barrë.
Ai do bëjë si të dojë,
do të rrënohesh prej mendjelehtësisë së tij.
16Mos u grind me zemërakun,
mos udhëto në shkretëtirë me të.
Për të gjaku nuk ka vlerë,
kur të mbetesh pa ndihmë, do të të godasë.
17Mos u këshillo me të marrin,
se nuk mban dot të fshehtë.
18Para të huajit mos bëj fshehtësira,
se nuk e di ç'do të ndodhë.
19Mos ia hap zemrën kujtdo,
se ndoshta nuk ta di për nder.

Aktualisht i përzgjedhur:

Siraku 8: AL1

Thekso

Ndaje

Kopjo

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr