Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Siraku 6

6
2Mos u jep pas epsheve,
që të mos shqyhesh, siç shqyhet demi.
3Do të digjen gjethet e tua, do të të kalben frytet,
e do të mbetesh si dru i thatë.
4Shpirti i lig e shkatërron të zotin,
e bën qesharak para armiqve.
5Fjalët e ëmbla i shtojnë miqtë,
gjuha e dëlirë shton mirësjelljen.
6U shtofshin ata që bëjnë paqe me ty,
por këshilltar të kesh një në një mijë.
7Mikun vëre më parë në provë
e mos i beso me ngut.
8Disa të bëhen miq kur u shkon për shtat,
por ditën e pikëllimit nuk të gjenden.
9Disa miq të bëhen armiq
dhe grindjet i zbulojnë për turpin tënd.
10Dikush është mik i mirë në tryezë,
por ditën e pikëllimit nuk të gjendet.
11Kur të jesh i begatë ai do të jetë si ti,
dhe me njerëzit e shtëpisë sate do të flasë lirshëm.
12Por, kur të biesh, do të të dalë kundër
dhe s'ke për ta parë më.
13Armiqve qëndroju larg,
por ruhu edhe nga miqtë.
14Miku besnik është strehë e sigurt,
kush e gjen, gjen thesar.
15Miku i besës nuk këmbehet,
nuk ka peshore që i mat vlerën.
16Miku i besës, bar jetëgjatësie,
e gjen kush druan Zotin.
17Kush druan Zotin e drejton mirë miqësinë,
siç është vetë, ka edhe të afërtin.
18Bir, që në rini, zgjidh mësimin,
kur të thinjesh do të gjesh urtinë.
19Si lavërtari e si mbjellësi afroju urtisë
e prit frytet e saj të mira.
Do të lodhesh paksa duke i shërbyer,
por shpejt ke për t'ia shijuar frytet.
20Për të pamësuarit është e ashpër,
te njeriu pa mend nuk gjen vend.
21Rëndon mbi të si guri i sprovës,
me ngut ai e hedh larg vetes.
22Urtia është siç ka emrin,
nuk u shfaqet shumë vetëve.
23Dëgjomë, bir, pranoma mendimin
e mos ma shpërfill këshillën.
24Lidhi këmbët me prangat e saj,
vëre qafën nën zgjedhën e saj.
25Vëri supin e mbaje,
mos u lodh me vargonjtë e saj.
26Qëndroji pranë me gjithë shpirt,
ec udhëve të saj me gjithë fuqinë tënde.
27Gjurmoje, kërkoje e do ta njohësh,
kur ta zotërosh mos e lër.
28Në fund do ta gjesh prehjen e saj,
ajo do të bëhet ngazëllimi yt.
29Prangat e saj do të jenë streha jote e fortë,
vargonjtë e saj veshje lavdie.
30Mbi vete mban stoli të artë,
shirit i kaltër zinxhirët e saj.
31Vishe urtinë si rrobë lavdie,
mbaje si kurorë ngazëllimi.
32Po të duash, o bir, do të mësosh,
po t'i jepesh me shpirt, do të ftillohesh.
33Nëse dëshiron të dëgjosh, do të mësosh,
Vëru vesh fjalëve që dëgjon e do të urtohesh.
34Rri në kuvendin e pleqve,
kur të gjesh një të urtë, qepju.
35Dëgjo me ëndje çdo rrëfenjë hyjnore,
mos të të shpëtojë asnjë fjalë e urtë.
36Po të shohësh ndonjë të mençur, nxito tek ai,
Le t'i limojnë hapat e tu shkallët e portës së tij.
37Thellohu në porositë e Zotit,
përsiat urdhërimet e tij përherë.
Ai do të ta forcojë zemrën
e do të të japë dëshirën për urti.

Aktualisht i përzgjedhur:

Siraku 6: AL1

Thekso

Ndaje

Kopjo

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr