YouVersion Logo
Search Icon

Çdo ditë me radhëSample

Çdo ditë me radhë

DAY 36 OF 366

«E di që ti mund të bësh çdo gjë, dhe që asnjë nga qëllimet e tua nuk mund të pengohet» (Job. 42:2, NASB).

Asnjë qëllim i Perëndisë nuk mund të pengohet. Njeriu mund të ketë ligësinë e tij, por Perëndia ka rrugën e Tij. Njeriu mund të thotë shumë gjëra, por Perëndia do ta ketë fjalën e fundit. Salomoni na kujton që «nuk ka dituri as këshillë kundër Zotit» (Fja. 21:30). Dhe Jeremia shton dëshminë e tij që «planet e Zotit do të realizohen» (Jer. 51:29).

Vëllezërit e Jozefit vendosën që ta heqin qafe atë duke e shitur te një bandë midianitësh. Por gjithçka që arritën të bënin ata ishte kryerja e vullnetit të Perëndisë. Midianitët siguruan transport falas për Jozefin në Egjipt ku ai u bë kryeministër dhe shpëtimtar i popullit të tij.

Kur burri që kishte lindur i verbër mori shikimin dhe e vuri besimin te Shpëtimtari, judenjtë e përjashtuan atë nga sinagoga. A ishte kjo një fitore për ta? Jo, prapëseprapë Jezusi do ta printe atë jashtë, sepse Bariu i Mirë «i thërret delet e tij me emër dhe i prin jashtë» (Gjoni 10:3). Kështu që ata thjesht i kursyen Jezusit përpjekjen për ta bërë këtë veprim.

Ligësia e njerëzve e arriti everestin e saj kur ata e morën Zotin Jezus dhe, duke e gozhduar në një kryq, e vranë. Por Pjetri i kujtoi ata që Ai iu dorëzua atyre sipas «këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë» (Vep. 2:23). Perëndia e mbisundoi krimin gjigant të njeriut duke e ringjallur Krishtin për të qenë Zot dhe Shpëtimtar.

Donald Grej Barnhauzi (Donald Gray Barnhouse) tregoi historinë e një pronari të pasur toke, që kishte pemë të bukura në pronën e tij. «Por ai kishte një armik të hidhur që tha: “Unë do t'ia pres një nga pemët që ka; kjo do ta lëndojë”. Në errësirën e natës armiku kaloi vjedhurazi gardhin dhe shkoi te pema më e bukur nga të gjitha, dhe me sharrë dhe sëpatë iu fut punës. Në dritën e parë të mëngjesit ai pa nga larg në kodër dy burra që po vinin mbi kuaj dhe dalloi që njëri prej tyre ishte pronari i tokës. Ai i shtyu nxitimthi pykat dhe e la pemën të bjerë; por një nga degët e kapi dhe e nguli në dhe, duke e vrarë aq shumë që ai vdiq. Para se të vdiste, ai thirri me zë të çjerrë: “E shikon, ta preva pemën më të bukur”, dhe pronari i tokës e pa me keqardhje dhe tha: “Ky që kam sjellë me vete është arkitekti. Ne kishim planifikuar për të ndërtuar një shtëpi dhe ishte e nevojshme që të pritej një pemë për t'i bërë vend shtëpisë; dhe është pikërisht ajo pemë për të cilën ju keni punuar tërë natën”».

Scripture

Day 35Day 37

About this Plan

Çdo ditë me radhë

Kjo është mënyra si duhet ta jetoni jetën: Çdo ditë me radhë. Por ajo që e bën tërë ndryshimin është se si e jetoni çdo ditë. Një mënyrë për t’u siguruar që ditët tona mbi tokë kanë vlerë për Perëndinë është ta mbushim mendjen dhe zemrën tonë me “Fjalën e rrënjosur” që të mund të rritemi me anë të saj. Ky është një libër me përsiatje gjallëruese mbi vargjet e Biblës nga shkrimet e freskëta dhe që e lartësojnë Krishtin nga autori William MacDonald.

More

Ky plan leximi u krijua nga Willian MacDonald. http://asamblejabiblike.al