YouVersion Logo
Search Icon

Çdo ditë me radhëSample

Çdo ditë me radhë

DAY 244 OF 366

«Por gjërat që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit, humbje. Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin» (Fil. 3:7, 8).

Është kurdoherë diçka shumë e mirë kur një besimtar heq dorë nga shumë gjëra për hir të Krishtit. Le të marrim, për shembull, një burrë talentet e të cilit i kanë dhënë pasuri dhe famë, por duke iu bindur thirrjes hyjnore ai i vendos ato te këmbët e Shpëtimtarit. Ose le të marrim një grua zëri i të cilës i ka dyert e sallave të koncerteve të mëdha të hapura kudo në botë. Por tani ajo mendon se duhet të jetojë për një botë tjetër, kështu që ajo e lë karrierën për të ndjekur Krishtin. Në fund të fundit, çfarë janë fama apo pasuria apo nderet tokësore kur ato krahasohen me fitimin e pashoq e të paturit Krishtin?

Jan MekFersoni pyet: «A ekziston ndonjë pamje aq shumë prekëse sa ajo e dikujt të ngarkuar me dhurata, i cili i vendos ato me përulësi dhe admirim te këmbët e Shpengimtarit? Dhe këto, në fund të fundit, janë pikërisht atje ku duhet të jenë. Në fjalët e një teologu të urtë e të vjetër nga Uellsi: “Hebraishtja, greqishtja dhe latinishtja e kanë vendin atje ku e kanë; por vendi i tyre nuk është atje ku Pilati i vuri ato, pra, mbi kokën e Jezusit, por më tepër te këmbët e Tij”».

Apostulli Pal hoqi dorë nga pasuria, kultura dhe pozita klerikale dhe i konsideroi ato humbje për shkak të Krishtit. Xhoueti komenton që «kur Apostulli Pal i konsideroi zotërimet e tij aristokratike si fitim të madh, ai nuk e kishte parë kurrë Zotin; por kur “lavdia e Zotit” rrezatoi mbi sytë e tij kureshtarë, këto gjëra u fikën, u bënë hije dhe madje u eklipsuan. Dhe nuk është thjesht se fitimeve të mëparshme të Apostullit iu ul vlera për shkak të rrëzëllimit të Zotit dhe mbetën, si të thuash, të zbuluara si çikërrima të përbuzshme në duart e tij; por për më tepër ai ndaloi së menduari më për to. Ato u zhdukën krejtësisht nga mendja ku më parë ato trajtoheshin si depozitime supreme dhe të shenjta».

Është për t’u çuditur, atëherë, që kur dikush braktis gjithçka për të ndjekur Krishtin, disa mendojnë që ai ka shkarë nga trutë. Disa tronditen dhe nuk arrijnë ta kuptojnë. Disa qajnë dhe ofrojnë rrugë alternative. Disa sjellin argumente mbi bazën e logjikës dhe gjykimit të shëndoshë. Disa i miratojnë dhe janë të prekur përbrenda. Por kur dikush ecën me anë të besimit, ai është në gjendje që të vlerësojë opinionet e të tjerëve siç duhet.

C. T. Stadi hoqi dorë nga një pasuri private dhe një e ardhme e mirë në shtëpi për t’ia përkushtuar jetën shërbesës misionare. Xhon Nelson Darbi ia ktheu shpinën një karriere të shkëlqyer për t’u bërë një ungjilltar, një mësues dhe një profet i vajosur për Perëndinë. Që të pestë martirët e Ekuadorit hoqën dorë nga rehatia dhe materializmi i Shteteve të Bashkuara për t’u çuar Krishtin fisit Auka.

Njerëzit e quajnë këtë një sakrificë të madhe por kjo nuk është sakrificë. Kur dikush u përpoq që ta lavdëronte Hadsën Tejlërin për sakrificat që kishte bërë për Krishtin, ai i tha: «O njeri, unë nuk kam bërë kurrë ndonjë sakrificë në jetën time». Dhe Darbi ka thënë: «Nuk është ndonjë sakrificë kushedi se çfarë kur ne japim bëzhdila».

About this Plan

Çdo ditë me radhë

Kjo është mënyra si duhet ta jetoni jetën: Çdo ditë me radhë. Por ajo që e bën tërë ndryshimin është se si e jetoni çdo ditë. Një mënyrë për t’u siguruar që ditët tona mbi tokë kanë vlerë për Perëndinë është ta mbushim mendjen dhe zemrën tonë me “Fjalën e rrënjosur” që të mund të rritemi me anë të saj. Ky është një libër me përsiatje gjallëruese mbi vargjet e Biblës nga shkrimet e freskëta dhe që e lartësojnë Krishtin nga autori William MacDonald.

More

Ky plan leximi u krijua nga Willian MacDonald. http://asamblejabiblike.al