YouVersion Logo
Search Icon

Çdo ditë me radhëSample

Çdo ditë me radhë

DAY 248 OF 366

«Jam i detyruar të kthej atë që nuk kam vjedhur» (Psa. 69:4).

Folësi në Psalmin 69 është Zoti Jezus. Në vargun 4 Ai po thotë se në veprën e tij të lavdishme të shpengimit, Ai e dëmshpërbleu Perëndinë për humbjet që ishin shkaktuar nga mëkati i njeriut. Pa dyshim që Ai është duke e portretizuar Veten si oferta e vërtetë e shkeljes.

Kur një jude vidhte një jude tjetër, ligji i ofertës së shkeljes kërkonte që ai t’i kthente shumën e vjedhur dhe të shtonte një të pestën e asaj vlere.

Kështu, Perëndia u zhvat nga mëkati i njeriut. Ne i morëm të drejtën për t’i shërbyer, për ta adhuruar, për t’iu bindur dhe për t’i dhënë lavdi. Atij iu hoq e drejta për t’i shërbyer, sepse njeriu u largua për t’i shërbyer vetes, mëkatit dhe Satanit. Atij iu hoq e drejta për ta adhuruar, sepse njeriu u përkul para shëmbëlltyrave të gdhendura. Atij iu hoq e drejta për t’iu bindur, sepse njeriu e hodhi poshtë autoritetin e Perëndisë. Atij iu hoq e drejta për t’i dhënë lavdi, sepse njeriu dështoi për t’i dhënë Atij nderin që i takon.

Zoti Jezus erdhi për të kthyer atë që nuk e kishte vjedhur.

Më hyjnorin petk të Tij mënjanë e hodhi,
dhe mbi të Tijën Hyjni një rrobë balte hodhi,
dhe nga ajo veshje dashuri e mahnitshme rrodhi,
duke kthyer atë që kurrë nuk vodhi.

Ai jo vetëm që ktheu atë çka qe vjedhur nga mëkati i njeriut por shtoi më shumë. Sepse Perëndia ka marrë me tepër lavdi nga vepra e përfunduar e Krishtit se çka humbur nga mëkati i Adamit. «Ai humbi krijesa nga mëkati, Ai fitoi bij nga hiri». Ne mund të shkojmë aq larg sa të themi që Perëndia është përlëvduar më shumë nga vepra e Shpëtimtarit, sesa do të mund të kishte qenë ndonjëherë në një përjetësi me një Adam para se të binte në mëkat.

Ndoshta këtu kemi një përgjigje ndaj pyetjes: «Përse e lejoi Perëndia mëkatin të hynte në botë?» Ne e dimë që Perëndia mund t’i kishte krijuar njerëzit pa fuqinë e zgjedhjes së lirë morale. Por Ai zgjodhi që t’i krijonte ata me aftësinë për ta dashur dhe për ta adhuruar Atë me vullnetin e tyre. Dhe kjo, sigurisht, do të thotë që ata kishin edhe aftësinë për të mos iu bindur, për ta hedhur poshtë dhe për t’i kthyer shpinën. Njeriu zgjodhi që të mos i bindej Atij, duke sjellë një olokaust të madh mëkati. Por Perëndia nuk ka pësuar disfatë nga mëkati i krijesave të Tij. Në vdekjen, varrosjen, ringjalljen dhe ngritjen e Tij, Zoti Jezus triumfoi mbi mëkatin, ferrin dhe Satanin. Përmes veprës së Tij, Perëndia ka marrë një lavdi më të madhe; dhe njeriu i shpenguar ka marrë bekime më të shumta nëse mëkati nuk do të kishte hyrë kurrë në botën që ne jetojmë.

Scripture

About this Plan

Çdo ditë me radhë

Kjo është mënyra si duhet ta jetoni jetën: Çdo ditë me radhë. Por ajo që e bën tërë ndryshimin është se si e jetoni çdo ditë. Një mënyrë për t’u siguruar që ditët tona mbi tokë kanë vlerë për Perëndinë është ta mbushim mendjen dhe zemrën tonë me “Fjalën e rrënjosur” që të mund të rritemi me anë të saj. Ky është një libër me përsiatje gjallëruese mbi vargjet e Biblës nga shkrimet e freskëta dhe që e lartësojnë Krishtin nga autori William MacDonald.

More

Ky plan leximi u krijua nga Willian MacDonald. http://asamblejabiblike.al