YouVersion Logo
Search Icon

Solid Joys ShqipSample

Solid Joys Shqip

DAY 234 OF 366


Një Perëndi me gëzim të patundur

“Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.” (Gjoni 15:11)

Perëndia është absolutisht sovran.

“Por Perëndia ynë është në qiejt dhe bën tërë atë që i pëlqen” (Psalmi 115:3).

Prandaj asgjë nuk e pengon Atë. Perëndia ngazëllon në të gjitha veprat e Tij kur i konsideron ato si ngjyrat e mozaikut madhështor të historisë shpenguese. Ai është një Perëndi me gëzim të patundur.

Në thelb, lumturia e Perëndisë është kënaqësia që Ai ka në veten e Tij. Para krijimit, Ai u ngazëllua në imazhin e lavdisë së Tij, në personin e Birit të Tij–Birit të Tij të dashur, në të cilin Ai ishte plotësisht i kënaqur (Mateu 3:17). Pastaj gëzimi i Perëndisë “u bë publik” në veprat e krijimit dhe shpengimit.

Këto vepra e kënaqin zemrën e Perëndisë, sepse ato reflektojnë lavdinë e Tij. Qiejt tregojnë lavdinë e Perëndisë (Psalmi 19:1). “Lavdia e ZOTIT të rrojë përjetë; le të gëzohet ZOTI me veprat e tij” (Psalmi 104:31). Gjithçka që Ai bën, e bën për ta ruajtur dhe për ta shfaqur atë lavdi, sepse në këtë ngazëllon shpirti i Tij.

Të gjitha veprat e Perëndisë arrijnë kulmin në lëvdimet e popullit të Tij të shpenguar. “Lëvdojeni për mrekullitë e tij, lëvdojeni sipas madhështisë së tij” (Psalmi 150:2). Kulmi i lumturisë së Perëndisë është kënaqësia që Ai ndien në jehonat e përsosmërisë së Tij në lavdërimet e shenjtorëve. “Ai nuk kënaqet në forcën e kalit dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut. ZOTI kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij” (Psalmi 147:10-11).

Por lavdërimi ynë nuk është vetëm kënaqësia e Perëndisë, si jehonë e përsosmërisë së Tij; por është edhe kulmi i gëzimit tonë. Lavdërimi është përjetimi i gëzimit kur soditim dhe shijojmë madhështinë e Perëndisë.

Prandaj kërkimi i Perëndisë për lavdërim prej nesh dhe kërkimi i kënaqësisë tonë në të janë një kërkim i vetëm. Ky është rezultati i madh i ungjillit të lavdisë së hirit të Perëndisë në Krishtin!

Scripture