Solid Joys ShqipSample

Shkëmbi i sigurisë tënde
Perëndia ju zgjodhi që në fillim për shpëtim, në shenjtërimin e Frymës. (2 e Thesalonikasve 2:13)
Bibla flet për zgjedhjen tonë—që Perëndia na zgjodhi—në Krishtin para themelimit të botës (Efesianëve 1:4), para se ne të kishim bërë ndonjë të mirë apo të ligë (Romakëve 9:11). Prandaj, zgjedhja jonë është e pakushtëzuar në kuptimin më të prerë. As besimi ynë dhe as bindja jonë nuk është baza e saj. Zgjedhja jonë është e lirë dhe krejtësisht e pamerituar.
Nga ana tjetër, ka dhjetëra pasazhe në Bibël të cilat flasin për shpëtimin tonë përfundimtar (përkundrejt zgjedhjes tonë në përjetësinë e shkuar) si të kushtëzuar nga një zemër dhe një jetë e ndryshuar. Prandaj pyetja që shtrohet është: Si mund ta kem sigurinë që do të këmbëngul në besimin dhe shenjtërinë e nevojshme për të trashëguar jetën e përjetshme?
Përgjigjja është se siguria është e rrënjosur në zgjedhjen tonë. Letra e dytë e Pjetrit 1:10 thotë: “Jini të zellshëm aq më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse, duke bërë këto gjëra, nuk do të pengoheni kurrë.” Zgjedhja hyjnore është themeli i përkushtimit të Perëndisë për të më shpëtuar, dhe për pasojë Ai do të marrë përsipër që të punojë në mua përmes hirit shenjtërues atë që u fillua nga hiri i Tij i zgjedhjes.
Ky është kuptimi i besëlidhjes së re. Kushdo që beson në Jezusin është përfitues i sigurt i besëlidhjes së re, sepse Jezusi tha te Luka 22:20: “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim.” Ai po thotë se me gjakun tim po e siguroj besëlidhjen e re për të gjithë ata që janë të mitë.
Në besëlidhjen e re, Perëndia nuk është thjesht duke urdhëruar bindjen; Ai e jep bindjen. “Zoti, Perëndia yt, do ta rrethpresë zemrën tënde dhe zemrën e pasardhjes sate, që ti ta duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, dhe kështu ti të jetosh” (Ligji i Përtërirë 30:6). “Do të vë brenda jush Frymën tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia” (Ezekieli 36:27; krahaso me 11:20). Këto janë premtime të besëlidhjes së re.
Zgjedhja është përkushtimi i përjetshëm i Perëndisë për ta bërë këtë gjë për popullin e Tij. Prandaj, zgjedhja është garancia se ata që Perëndia i drejtëson me anë të besimit, Ai do t’i përlëvdojë me siguri të plotë (Romakëve 8:30). Kjo do të thotë se Ai do të punojë për t’i plotësuar pa dështuar në ne të gjitha kushtet që janë caktuar për përlëvdimin tonë.
Zgjedhja është themeli final i sigurisë për shkak se, meqë përkushtimi i Perëndisë është që të shpëtojë, po kështu është edhe përkushtimi i Tij, që të mundësojë gjithçka që është e nevojshme për shpëtim.
Scripture
About this Plan

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More