YouVersion Logo
Search Icon

Solid Joys ShqipSample

Solid Joys Shqip

DAY 102 OF 366


Vera e Mbretit të Madh

“Sepse ne nuk kemi një kryeprift që nuk mund të vuajë bashkë me dobësitë tona, por që u tundua në të gjitha njësoj si ne, por pa mëkat.” (Hebrenjve 4:15)

Nuk kam dëgjuar kurrë dikë që të thotë: “Mësimet më të thella të jetës time kanë ardhur gjatë kohëve të qeta dhe të rehatshme.” Ama kam dëgjuar shenjtorë të fortë të thonë: “Çdo përparim domethënës që kam bërë ndonjëherë, për të kapur thellësitë e dashurisë së Perëndisë dhe për t’u rritur në njohjen e Tij, ka ardhur nëpërmjet vuajtjes.”

Kjo është një e vërtetë biblike që të kthjellon. Le të japim një shembull: “Për shkak të të cilit [Krishtit] i humba të gjitha këto dhe i konsideroj se janë pleh, që unë të fitoj Krishtin” (Filipianëve 3:8). E thënë me fjalët e mia: Pa mundim, s’ka fitim! Ose:

Do të sakrifikoj gjithçka, nëse kjo do të më japë më tepër nga Krishti.

Ja një shembull tjetër: “Edhe pse ishte Bir, mësoi në ato që vuajti, bindjen” (Hebrenjve 5:8). I njëjti libër thotë se Ai nuk mëkatoi kurrë (Hebrenjve 4:15).

Prandaj, të mësosh bindjen nuk do të thotë që të kalosh nga mosbindja në bindje. Të mësosh bindjen do të thotë të shkosh gjithnjë e më thellë me Perëndinë në përjetimin e bindjes. Do të thotë të përjetosh thellësitë e dorëzimit te Perëndia, të cilat nuk do të mund të arriheshin ndryshe. Kjo ishte ajo që erdhi përmes vuajtjes. Pa mundim, s’ka fitim!

Samuel Rutherford tha se kur u hodh në qilarët e mundimit, iu kujtua se Mbreti i madh e mban gjithmonë atje verën e tij më të mirë. Charles Spurgeon tha: “Ata që zhyten në detin e mundimit, nxjerrin lart perla të çmuara.”

A nuk e do më tepër, njeriun që ke për zemër, kur ndien një dhimbje të çuditshme, e cila të bën të mendosh se ke kancer? Ne jemi me të vërtetë krijesa të çuditshme. Nëse kemi shëndet, paqe dhe kohë për të dashur, jeta mund të bëhet kaq e cekët dhe plot nxitim. Por nëse jemi duke vdekur, dashuria bëhet një lumë i thellë dhe i ngadaltë gëzimi të patregueshëm dhe nuk e pranojmë dot dorëzimin.

Prandaj vëllezër dhe motra: “Ta quani gëzim të madh... kur bini në tundime të ndryshme” (Jakobi 1:2).

Scripture