YouVersion Logo
Search Icon

Luka 8

8
Disa gra shoqnojnë Jezuin
1Fill ma vonë u soll nëpër qytete e fshatna, tue predikue e tue kumtue ungjillin e mbretnisë së Hyut. Me të ishin të dymbëdhjetët 2edhe disa gra që ishin shërue nga shpirtnat e këqij e nga lëngatat: Maria, e quejtuna Magdalenë, prej së cilës kishin dalë shtatë dreqën, 3Joana, gruaja e Kuzës, mbrështuesit të Herodit, Suzana e shumë të tjera, të cilat u shërbenin me pasunitë e veta.
Shëmbëlltyra e mbjellësit
4Kur u mblodh një turmë, me ata që mbërrinin tek ai prej qyteteve, ai u foli me shëmbëlltyra: 5«Një mbjellës doli me mbjellë farën. Tue mbjellë, disa ranë buzë rrugës dhe u shkelën e i hangrën zogjtë e qiellit. 6Disa të tjera ranë në zallinë, mbinë e u thanë, prej mungesës së ujit. 7Disa të tjera ranë mes ferrash. Ferrat u rritën bashkë me to e e i mbytën. 8Disa të tjera ranë në tokë të mirë, mbinë e dhanë fryt njëqindfish». Mbasi tha këto, bëzajti: «Kush ka veshë me ndigjue, të ndigjojë!».
Qëllimi i shëmbëlltyrave
9Nxanësit e vet e pyetën cili ishte kuptimi i shëmbëlltyrës. 10Ai u përgjigj: «Juve ju asht dhanë me i njohtë mshehtësitë e mbretnisë së Hyut, por të tjerëve u flas me shëmbëlltyra, që
tue pa,
të mos shohin
dhe, tue ndigjue,
të mos kuptojnë».
Shtjellimi i shëmbëlltyrës
11«Shëmbëlltyra asht kjo: fara asht fjala e Hyut. 12Ato buzë rrugës janë ata që e ndigjojnë e mandej vjen djalli dhe ua merr fjalën nga zemra e tyne, që të mos shpëtojnë, tue besue. 13Ato përmbi zallinë janë ata që, kur e ndigjojnë fjalën, e pranojnë me gëzim, por nuk kanë rranjë. Besojnë për një farë kohe dhe, në rast sprove, heqin dorë. 14Ajo ndër ferra janë ata që e dëgjojnë, por, për shkak të shqetësimeve, të pasunive e të kënaqësive të jetës, tue ecë, u zihet fryma e nuk pjekin fryt. 15Ajo që ra në tokë të bukur, janë ata që tue e ndigjue fjalën në një zemër të bukur e të mirë, e ruejnë dhe japin fryt me qëndresë».
Drita nën magje
16«Askush nuk e ndez një kandil për me e mshehë nën një enë apo për me e vue nën shtrat. Përkundër, e vejnë në dritëmbartëse, që ta shohin dritën ata që hyjnë brenda. 17Nuk ka gja të mshehtë që nuk do të bahet e dukshme e as të mbulueme, që nuk do të njihet e të dalë në pah. 18Shihni, pra ,se si ndigjoni. Kushdop që ka, atij do t'i jepet. Kushdo që nuk ka, do t'i hiqet edhe ajo që mendon se ka».
E ama dhe vëllezërit
19Erdhën tek ai nana dhe vëllaznit e tij e nuk munden me u takue me të për shkak të turmës. 20Atëherë e njoftuen: «Nana jote e vëllaznit e tu janë përjashta e duen me të pa». 21Por ai u tha: «Nana ime e vëllaznit e mi janë ata që e ndigjojnë fjalën e Hyut dhe e zbatojnë».
Fashitja e stuhisë
22Një ditë Jezui hipi në një lundër me nxanësit e u tha: «Të kalojmë në bregun tjetër të liqenit». Dhe nisën lundrimin. 23Tue lundrue, e zuni gjumi. Mbi liqen u çue një erë e furishme, po hynte uji e ishin në rrezik. 24Ata iu afruen, e zgjuen e i thanë: «Mësues, mësues, po rroposemi». Ai u zgjue, qortoi erën e dallgët e ujit dhe deti u fashit. 25Por atyne u tha: «Ku asht besimi juej?». Të trembun e të mahnitun, ata i thonin njeni-tjetrit: «Kusht asht ky, që urdhnon edhe ernat e ujin dhe ata i binden?!».
Shërimi i një gerasenasi
26Mandej lundruen drejt krahinës së gerasenëve, që asht në bregun e përtejmë të liqenit të Galilesë. 27Kur doli në tokë, i doli para dikush nga qyteti, që kishte djajtë e që prej një kohe të gjatë nuk vishte petka e nuk rrinte në shtëpi, por nëpër varre. 28Kur e pa Jezusin, vikati, ra përmbys para tij e tha me za të naltë: «Çka ke me mue, o Jezus, Biri i Hyut të tejnaltë? Të lutem, mos më mundo!», 29se ai e kishte urdhnue shpirtin e papastër të dilte prej njeriut. Shpirti i papastër e kishte pushtue disa herë, prandaj ishte nën roje, i lidhun kambësh e duersh, por ai i këpuste vargojtë dhe djalli e shtynte nëpër djerrina. 30Atëherë Jezusi e pyeti: «Si e ke emnin?». Ai u përgjigj: «Legjion», se në të kishin hy shumë djaj, 31të cilët i luteshin që ai të mos i urdhnonte me u hedhë në humnerë. 32Aty ishte një tufë e madhe derrash, tue kullotë në mal, prandaj iu lutën t'i lejonte me hy tek ata. 33Djajtë dolën nga njeriu dhe hynë te derrat. Tufa u turr nga rrëpina në liqen e u mbyt.
34Kur vërejtën çka ndodhi, çobanët morën arratinë dhe njoftuen qytetet e fshatnat. 35Njerëzit dolën me pa ndodhinë, erdhën te Jezusi dhe e gjetën njeriun prej të cilit kishin dalë djajtë ndejun te kambët e Jezusit, veshun e me mend, prandaj u tutën.
36Ata që kishin pa si ishte shërue i djallosuni, u treguen. 37Atëherë mbarë moria e krahinës së gerasenëve iu lut të largohej prej tyne, se i kishte kapë një frikë e madhe. Ai hipi në një lundër e u kthye. 38Njeriu prej të cilit kishin dalë djajtë i përgjërohej me ndejtë me të, por ai e nisi e i tha: 39«Kthehu në shtëpinë tande e trego çka bani Hyu për ty». Ai shkoi nëpër mbarë qytetin, tue kumtue çka kishte ba për të Jezusi.
Shërimi i një grueje dhe ngjallja e një vajze
40Kur Jezusi ishte tue u kthye, i doli para turma, se të gjithë po e prisnin. 41Dhe, ja, erdhi një njeri me emrin Jair. Ai ishte ishte kryetar i sinagogës. Ra te kamët e Jezusit e i lutej të shkonte në shtëpinë e tij, 42se kishte vetëm një vajzë rreth dymbëdhjetë vjeçe e ishte tue vdekë.
Gjatë udhës turmat i fureshin. 43Në grua që humbte gjak prej dymbëdhjetë vjetësh, megjithëse kishte sosë jetën mbas mjekëve pa mundë me u shërue prej asnjanit, 44iu afrue nga mbrapa, i ceku kindin e zhgunit dhe menjëherë iu ndal humbja e gjakut. 45Atëherë Jezusi tha: «Kush asht tue më prekë?». Meqe të gjithë e mohuen, Pjetri i tha: «Mësues, turmat po të rrethojnë e po të shtyjnë». 46Por Jezusi tha: «Më preku dikush, se hetova fuqinë që doli prej meje». 47Tue pa se nuk ngeli pa u vërejt, grueja erdhi tue u dridhë, i ra ndër këmbë dhe tregoi para gjithë popullit përse e kishte prekuë e si ishte shërue menjëherë. 48Ai i tha: «Bijë, besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe».
49Ndërsa ende po fliste, erdhi dikush prej kryetarit të sinagogës e i tha: «Të vdiq vajza. Mos e mërzit ma mësuesin». 50Por Jezusi, kur e ndigjoi iu përgjigj: «Mos ki frikë, vetëm beso e ajo do të shpëtojë». 51Kur mbërriti te shtëpia, nuk lejoi askand të hynte me të, përveç Pjetrit, Gjonit, Jakobit dhe të atit e të amës. 52Të gjithë po e qanin dhe e vajtonin, por ai tha: «Mos qani! Ajo nuk ka vdekë, por po fle». 53Ata e shpotitën, meqë e dinin se kishte vdekë.
54Atëherë Jezusi, mbasi i kapi dorën e thirri, bani za e tha: «Vashëz, çohu!». 55Asaj iu kthye shpirti e u çue menjëherë. Pastaj i urdhnoi t'i jepnin me hangër. 56Prindërit e saj u çuditën, por ai i urdhnoi të mos ia tregonin askujt ngjarjen.

Currently Selected:

Luka 8: DHRG

Highlight

Copy

Compare

Share

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in