YouVersion Logo
Search Icon

Vajtimet 2

2
Ndëshkimet e Perëndisë
Alef
1Ah, Zoti e nxiu bijën e Sionit
me zemërimin e vet.
E plandosi nga qielli në tokë
bukurinë e Izraelit.
Nuk iu kujtua shtroja e këmbëve
në ditën e zemërimit të vet.
Bet
2Banishtat e Jakobit i përpiu Zoti,
të tëra pa mëshirë.
I shkatërroi me zemërim
fortesat e bijës së Judës,
shembi përtokë e fëlliqi
mbretërinë e krerët e saj.
Gimel
3Goditi me furinë e zemërimit të vet
fuqinë e Izraelit.
E rrudhi të djathtën e vet përballë armikut,
ndezi te Jakobi diçka si zjarr flakërues,
që përpin rreth e rrotull.
Dalet
4Dora e djathtë e tij porsi ngucësi,
si armiku e ndehu harkun.
Ata që na i kënaqnin sytë, i vrau
në tendën e bijës së Sionit.
E zbrazi tërbimin porsi zjarr.
He
5Hasëm u duk se u bë Zoti,
e përpiu Izraelin,
ia përpiu të gjitha ndërtesat,
ia rrënoi fortesat,
shtoi vajtimin e ankimin
te bija e Judës.
Vau
6Vathën ia dhunoi, sikurse kopshtin,
ia rrënoi vendtakimin.
Zoti e fshiu në Sion festën e të shtunën,
poshtëroi mbretin e priftin
me zemërim të furishëm.
Zain
7Zoti e braktisi altarin e vet,
hoqi dorë nga shenjtërorja e vet,
i la në dorë të armiqve
muret e godinave së saj.
Në tempullin e Zotit dhanë kushtrimin
si në ditën e festës.
Het
8Hollësisht e mendoi Zoti
rrënimin e mureve të bijës së Sionit:
e mati me pe
e s'hoqi dorë nga rrënimi.
Bëri të vajtueshëm ledhin e murin,
njëherësh ata u shembën.
Tet
9Toka i përpiu dyert e saj,
shulat ia shkatërroi e ia copëtoi.
Mbreti i saj dhe princat mbetën ndër kombe,
nuk kanë më udhëzime,
deri edhe profetët s'kanë ku të gjejnë
asnjë vegim prej Zotit.
Jod
10Janë ulur përtokë të heshtur
pleqtë e bijës së Sionit.
Kanë mbuluar kokën me pluhur
e janë veshur me grathore.
Kanë ulur kryet përtokë
vashat e Jerusalemit.
Kaf
11Kroi i lotëve m'i shteroi sytë,
m'u pështjelluan zorrët,
mëlçia m'u zbraz përtokë
prej thyerjes së bijës së popullit tim,
se u mekën foshnja e ferishtja
në sheshin e qytetit.
Lamed
12Nënave të veta u thoshin:
«Ku është drithi? Po vera?»,
tek flashkeshin si të lënduar
nëpër sheshet e qytetit
e jepnin shpirt në prehrin e nënave.
Mem
13Me çfarë të të krahasoj? Me çfarë përngjan,
o bijë e Jerusalemit?
Me çfarë të të përafroj për të të ngushëlluar,
o vashë, bijë e Sionit?
Se i madh sa deti është rrënimi yt,
prandaj kush mund të të shërojë?
Nun
14Ngatërrueshëm e mashtrueshëm
veguan për ty profetët e tu.
Nuk e zbuluan fajësinë tënde,
që të ta kthenin begatinë,
por panë për ty kumte të rreme e mashtruese.
Samek
15Sëra e kalimtarëve përplas duart për ty,
fërshëllejnë e tundin kokën
për bijën e Jerusalemit:
pse, ky është qyteti për të cilin thoshin:
«Bukuria e përsosur,
ngazëllimi i mbarë dheut!»?
Fe
16Fërshëllejnë e kërcëllijnë dhëmbët,
hapin gojën kundër teje armiqtë e tu
e thonë: «E përlamë!
Këtë ditë prisnim,
ia arritëm dhe e pamë!».
Ain
17Atë që e kishte vendosur,
e bëri Zoti,
e mbajti fjalën e vet
që e kishte dhënë si urdhër kaherë.
Rrënoi pa mëshirë,
e gëzoi armikun,
ngasësit i dha fuqi.
Cade
18Curril le të derdhen lotët ditë e natë,
le ta thërrasë Zotin zemra jote,
o muri i bijës së Sionit.
Mos pusho e të mos prehet
bebja e syrit tënd.
Kof
19Këndellu, klith natën,
natën kur fillon ndërresa,
zbraze zemrën si ujë
para fytyrës së Zotit.
Ngriji duart drejt tij
që të marrin frymë fëmijët e tu,
ata që i mundon uria
në krye të çdo rruge.
Resh
20Ruajna, o Zot, e shiko!
Me kë u solle kështu?
A duhet të përpijnë gratë pjellën e vet,
fëmijët plot shëndet?
A duhet të vriten në shenjtëroren e Zotit
priftërinjtë e profetët?
Sin
21Shtrihen përtokë rrugëve të rinj e pleq,
vashat e djelmoshat i këputi shpata.
Vrave ditën e zemërimit tënd,
there pa mëshirë.
Tau
22Ti i mblodhe tmerruesit e mi përreth
si për festë.
Në ditën e zemërimit të Zotit
askush nuk mbeti gjallë.
Ata që kisha lindur e mëkuar
armiku i shfarosi.

Currently Selected:

Vajtimet 2: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy