YouVersion Logo
Search Icon

Vajtimet 1

1
Vajtim për qytetin e rrënuar
# 1.0 Kapitujt 1, 2, 3 dhe 4 quhen akrostik. Çdo strofë e tyre fillon me shkronjën vijuese të alfabetit hebraik. Në kap. 3 e njëjta shkronjë përsëritet tri herë rradhazi dhe pastaj vijohet me pasardhësen. Alef
1Ah, sa e vetmuar mbeti qyteza
dikur shumë e populluar!
Mbeti e ve madhështorja ndër kombe,
princesha e krahinave u nënshtrua.
Bet
2Bërtet e qan gjatë natës
me lot për faqe,
nuk gjendet asnjë ngushëllues
ndër të gjithë dashnorët e saj.
E tradhtuan të gjithë miqtë
e iu bënë armiq.
Gimel
3U shpërngul Juda
me pikëllim e skllavërim të rëndë.
Zuri vend ndër kombe,
por nuk gjen prehje.
Të gjithë përndjekësit e kanë shkapërcyer
nëpër ngushtica.
Dalet
4Duke vajtuar janë udhët e Sionit,
se nuk ka kush vjen për festa.
Të gjitha portat i janë rrënuar,
priftërinjtë i rënkojnë,
vashat janë në zi,
se i ra fat i hidhur.
He
5Hakërruesit e saj u bënë kryeprijës,
armiqtë e saj janë të sigurt,
se Zoti e pikëlloi prej shkeljeve të shumta,
fëmijët iu bënë robër para armikut.
Vau
6Vezullimi iku i tëri
prej bijës së Sionit.
Prijësit i janë bërë si drerë
që nuk gjejnë kullotë.
Ikin pa fuqi prej përndjekësve.
Zain
7Zë e kujton Jerusalemi,
në ditët e pikëllimit e të përendjes,
të gjitha begatitë e qëmoçme.
Kur popullsia i ra në dorë armikut,
pa i dalë zot askush,
gërgasësit e panë
e u zgërdhinë me shuarjen e tij.
Het
8Hidhur mëkatoi Jerusalemi,
prandaj u bë ndyrësirë.
E përçmojnë ata që e nderonin,
se ia panë lakuriqësinë.
Edhe ai vetë rënkon e spërdridhet.
Tet
9Tërë papastërti e bëri tunikën
pa u kujtuar për të ardhmen.
U plandos me tmerr
pa asnjë ngushëllim.
«Shikoje, o Zot, pikëllimin tim,
se armiku im u madhërua».
Jod
10Ja, gërgasësi e ka shtrirë dorën
mbi të gjitha begatitë e tij.
Pa kombet tek hynin në shenjtërore,
ata që pate urdhëruar
të mos hynin në bashkësinë tënde.
Kaf
11Krejt popullsia e tij rënkon
duke lypur bukë.
Japin gjënë më të shtrenjtë për ushqim,
që t'u kthehet fryma.
Shiko, o Zot, e vërej
sa jam poshtëruar.
Lamed
12Lojë qenka për të gjithë që kaloni udhës?!
Vëreni e shikoni,
nëse ka brengë si brenga ime,
që më ra mua,
që ma lëshoi Zoti,
kur u ndez zemërimi i tij.
Mem
13Ma lëshoi zjarrin prej së larti,
e ngërtheu në eshtrat e mia.
Më hodhi rrjetën këmbëve,
më ktheu përmbys.
Më bëri të shkretë,
leckë të përmuajshmesh përngaherë.
Nun
14Në zgjedhë m'u lidhën shkeljet,
u thurën me dorën e tij.
Më rëndojnë në qafë,
më është mekur fuqia.
Zoti më la në dorën e tyre
e nuk mund t'u bëj ballë.
Samek
15Sojin e trimave të mi e
e përmbysi Zoti mes meje.
Ai më caktoi një kohë
për të m'i shtypur të rinjtë.
Në tork e shtrydhi Zoti
virgjëreshën, bijën e Judës.
Ain
16Ajo është arsyeja pse qaj.
Sytë më derdhin lot,
se m'u largua ngushëlluesi,
ai që ma përtërin shpirtin.
Bijtë e mi u shkretuan,
se armiku ngadhënjeu.
Fe
17Shtrin duart Sioni,
por nuk ka ngushëllues për të.
Zoti dha urdhër për Jakobin
të rrethohej me armiq.
Jerusalemi u bë leckë të përmuajshmesh mes tyre.
Cade
18Cenova fjalën e tij,
prandaj i drejtë është Zoti.
Dëgjomëni, o popuj të gjithë,
shikojeni brengën time!
Vashëzat e djelmoshat e mi
shkuan në robëri.
Kof
19Kërkova dashnorët e mi,
por më mashtruan.
Priftërinjtë e pleqtë e mi
në qytet u vranë,
tek lypnin të hanin
për të përtërirë frymën.
Resh
20Rënkimin tim shikoje, o Zot!
M'u pështjelluan zorrët,
më dridhet zemra në kraharor,
se u tregova kryeneç.
Përjashta është shpata shfarosëse,
në shtëpi, si të ketë hyrë vdekja.
Sin
21Shëmimin tim e dëgjojnë,
por s'gjendet ngushëllues për mua.
Tërë armiqtë e dëgjuan rënkimin tim,
u gëzuan, se ti e ke shkaktuar.
Sille ditën që pate shpallur
e do të bëhen si unë.
Tau
22Të dalë para teje tërë ligësia e tyre,
vepro me ta siç veprove me mua,
për shkak të tërë shkeljeve të mia,
se të shumta janë rënkimet e mia
e po më lëshon zemra.

Currently Selected:

Vajtimet 1: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy