YouVersion Logo
Search Icon

Jakobi 3

3
Gjuha
1Vëllezërit e mi, mos u bëni shumë prej jush mësues, sepse e dini se do të gjykohemi më ashpër, 2duke qenë se gabojmë në shumë gjëra. Nëse dikush nuk gabon me fjalë, atëherë ai është njeri i përsosur dhe i aftë për të sunduar gjithë trupin e tij.
3Ja, kuajve ua vëmë frerët në gojë, që të na binden e t'u drejtojmë të gjithë trupin. 4Shikoni edhe anijet! Megjithëse janë aq të mëdha e shtyhen nga erëra të forta, drejtohen nga një timon i vogël atje ku dëshiron timonieri. 5Kështu edhe gjuha është gjymtyrë e vogël, por mund të mburret për gjëra të mëdha.
Ja ç'pyll të madh mund të djegë një zjarr i vogël! 6Gjuha është zjarr e botë padrejtësie. Ajo është vendosur midis gjymtyrëve tona dhe ndyn gjithë trupin. Ajo e bën shkrumb gjithë rrjedhën e jetës sonë dhe ndizet prej Gehenës. 7Çdo lloj egërsire e shpendi, zvarraniku e kafshe deti zbutet. Dhe njeriu i ka zbutur. 8Por gjuhën nuk ka mundur ta zbusë asnjeri. Ajo është një e keqe e papërmbajtshme dhe plot me helm vdekjeprurës. 9Me të bekojmë Zotin#3.9 dorëshk. të tjera: Perëndinë e Atin dhe po me të mallkojmë njerëzit që janë krijuar sipas përngjasimit të Perëndisë. 10Nga e njëjta gojë del bekimi dhe mallkimi. Vëllezërit e mi, nuk duhet të ndodhë kështu. 11A mund të dalë nga i njëjti burim ujë i ëmbël dhe i hidhur? 12O vëllezërit e mi, a mund të prodhojë fiku ullinj apo hardhia fiq? Kështu, as burimi i kripur nuk mund të nxjerrë ujë të ëmbël.
Urtia prej së larti
13Cili nga ju është i urtë e i mençur? Ai le ta tregojë këtë me sjelljen e tij të mirë dhe me veprat e bëra me butësi e me urti. 14Nëse keni në zemër smirë të hidhur dhe shpirtin e grindjes, mos u mburrni e mos gënjeni kundër së vërtetës. 15Kjo lloj urtie nuk vjen nga lart, por është tokësore, shqisore e djallëzore. 16Atje ku ka smirë e grindje, ka trazirë dhe gjithfarë gjërash të liga. 17Ndërsa urtia që vjen nga lart, së pari është e pastër, pastaj paqësore, e butë, e bindur, plot me mëshirë dhe me fryte të mira, e paanshme e jo hipokrite. 18Fryti i drejtësisë mbillet paqësisht nga ata që bëjnë paqen.

Currently Selected:

Jakobi 3: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy