YouVersion Logo
Search Icon

Jakobi 2

2
Dallimet ndërmjet njerëzve
1Vëllezërit e mi, mos e përzieni besimin e Zotit tonë të lavdisë, Jezu Krishtit, me dallimet ndërmjet njerëzve. 2E zëmë se kur mblidheni së bashku, vjen dikush që ka unazë ari e veshje të shtrenjta, si edhe një i varfër me veshje të vjetra. 3Nëse tregoni kujdes të veçantë për atë që ka veshur rrobat e shtrenjta e i thoni: «Ti ulu këtu në vendin e mirë!», ndërsa të varfrit i thoni: «Ti rri në këmbë atje ose ulu këtu te këmbët e mia!», 4a nuk bëni kështu dallime mes jush, duke u bërë gjykatës me mendime të liga? 5Dëgjoni, vëllezërit e mi të dashur! A nuk i zgjodhi Perëndia të varfrit e botës për t'i bërë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë që ua premtoi atyre që e duan? 6Ndërsa ju nuk e nderuat të varfrin. A nuk janë të pasurit ata që ju sundojnë e ju heqin zvarrë nëpër gjyqe? 7A nuk janë ata që përdhosin emrin e mirë me të cilin jeni quajtur?
8Nëse zbatoni ligjin e mbretërisë sipas Shkrimit: duaje të afërtin si veten, bëni mirë. 9Por nëse bëni dallime, bëni mëkat dhe ligji ju dënon si shkelës. 10Kush e zbaton të gjithë ligjin, por e shkel në një pikë, bëhet fajtor ndaj të gjithë ligjit. 11Sepse ai që tha: «Mos bëj tradhti bashkëshortore!», tha edhe: «Mos vrit!». Nëse nuk bën tradhti bashkëshortore, por vret, atëherë ke shkelur ligjin.
12Prandaj flisni e veproni si njerëz që do të gjykohen me ligjin e lirisë. 13Gjykimi do të jetë i pamëshirshëm me atë që nuk ka treguar mëshirë, ndërsa mëshira ngadhënjen mbi gjykimin.
Besimi e veprat
14Ç'dobi ka, vëllezërit e mi, nëse dikush thotë se ka besim, por nuk ka vepra? A mund ta shpëtojë atë besimi? 15Nëse ndonjë vëlla apo motër nuk ka rroba për të veshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm, 16dhe ndonjë nga ju u thotë: «Shkoni në paqe, ngrohuni e ngopuni!», por nuk u jep atyre gjërat e nevojshme për trupin, ç'dobi ka kjo? 17Kështu, pra, edhe besimi pa vepra është i vdekur në vetvete.
18Por, dikush do të thotë: «Ti ke besimin, ndërsa unë kam veprat». Unë i them: «Më trego si mund ta kesh besimin pa vepra dhe unë do të të tregoj besimin nga veprat e mia». 19Ti beson se ka vetëm një Perëndi? Mirë bën. Edhe djajtë e besojnë dhe dridhen.
20A do ta kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa vepra është i padobishëm? 21A nuk u bë i drejtë nga veprat ati ynë, Abrahami, kur kushtoi birin e tij, Isakun, mbi altar? 22A e shikon se besimi bashkëveproi me veprat e tij dhe u përsos nëpërmjet tyre? 23Kështu u përmbush Shkrimi: Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi. Ai u quajt mik i Perëndisë. 24Pra, e shihni se njeriu bëhet i drejtë nga veprat e jo vetëm nga besimi. 25Po ashtu edhe lavirja Rahabë. A nuk u bë e drejtë edhe ajo nga veprat kur priti të dërguarit dhe i përcolli nga një rrugë tjetër?
26Sikurse trupi është i vdekur pa shpirtin, ashtu edhe besimi është i vdekur pa veprat.

Currently Selected:

Jakobi 2: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy