YouVersion Logo
Search Icon

2 Mbretërve 6

6
Sëpata e gjetur sërish
1Bijtë e profetëve i thanë Eliseut: «Vendi ku banojmë, këtu pranë teje, është tepër i ngushtë për ne. 2Na lejo të shkojmë deri në Jordan e të marrim secili nga një tra për të ndërtuar atje një shtëpi të re». Ai u tha: «Shkoni!». 3Njëri nga bijtë e profetëve i tha Eliseut: «Eja edhe ti me shërbëtorët e tu». Eliseu i tha: «Po vij». 4Eliseu shkoi me ta. Kur mbërritën në Jordan, ata filluan të presin pemë. 5Ndërsa njëri prej tyre po priste një pemë, hekuri i sëpatës i ra në ujë. Atëherë ai bërtiti: «Sa keq, imzot! Këtë sëpatë e kisha marrë hua». 6Njeriu i Perëndisë e pyeti: «Ku ra?». Ai i tregoi vendin. Eliseu këputi një copë dru, e hodhi në atë vend dhe, ja, hekuri i sëpatës doli mbi ujë. 7Pastaj Eliseu i tha: «Kape!». Ai shtriu dorën dhe e mori.
Eliseu dhe ushtarët e Aramit
8Mbreti i Aramit i shpalli luftë Izraelit. Ai u këshillua me shërbëtorët e tij dhe vendosi: «Ushtria ime do të fushojë në atë vend». 9Njeriu i Perëndisë i dërgoi lajm mbretit të Izraelit e i tha: «Bëj kujdes se mos kalon nëpër atë vend, sepse atje kanë zënë pritë luftëtarët e Aramit». 10Atëherë mbreti i Izraelit dërgoi luftëtarë te vendi që i tregoi njeriu i Perëndisë. Kjo u përsërit më shumë se dy herë. Eliseu e paralajmëronte mbretin dhe mbreti bënte kujdes për t'u mbrojtur.
11Shumë i tronditur në zemër nga kjo ngjarje, mbreti i Aramit thirri shërbëtorët e tij e u tha: «A mund të më thoni kush nga ju mban anën e mbretit të Izraelit?». 12Një nga shërbëtorët iu përgjigj: «Askush, imzot mbret, por profeti Elise që është në Izrael ia tregon mbretit të Izraelit të gjitha fjalët që ti thua në dhomën e gjumit». 13Mbreti tha: «Shkoni e shihni ku gjendet, që të dërgoj njerëz për ta kapur». E lajmëruan e i thanë se Eliseu gjendej në Dotan. 14Atëherë mbreti i Aramit dërgoi kalorës, karroca lufte dhe shumë luftëtarë, që mbërritën natën dhe rrethuan qytetin.
15Të nesërmen, shërbëtori i njeriut të Perëndisë u ngrit herët dhe, kur doli jashtë, pa një ushtri me kuaj e karroca lufte, që kishte rrethuar qytetin. Shërbëtori i tha Eliseut: «Ah, imzot, çfarë do të bëjmë?». 16Eliseu iu përgjigj: «Mos ki frikë, sepse ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta». 17Pastaj Eliseu u lut e tha: «O Zot, të lutem, hapi sytë e shërbëtorit tim, që të shikojë!». Atëherë Zoti ia hapi sytë shërbëtorit të Eliseut dhe, ja, përreth Eliseut pa malin të mbushur me kuaj e me karroca të zjarrta. 18Kur armiqtë u hodhën në sulm kundër Eliseut, ai iu lut Zotit e tha: «Të lutem, verboi të gjithë këta njerëz!». Atëherë Zoti i verboi, që të mos shihnin më, sipas kërkesës së Eliseut. 19Atëherë Eliseu u tha: «Nuk është kjo udha e as ky qyteti. Ejani pas meje e do t'ju shpie te njeriu që kërkoni». Kështu, Eliseu i çoi në Samari.
20Kur mbërritën në Samari, Eliseu tha: «O Zot, hapua sytë këtyre njerëzve, që të shohin». Atëherë Zoti ua hapi sytë e ja, ata ndodheshin në mes të Samarisë. 21Mbreti i Izraelit, sapo i pa, i tha Eliseut: «A t'i vras, ati im? A t'i vras?». 22Eliseu iu përgjigj: «Mos i vrit! A vriten me shpatë ata që zihen robër? Vëru përpara bukë e ujë, që të hanë e të pinë, e pastaj nisi te zotëria i tyre». 23Atëherë mbreti shtroi një darkë të madhe për ta e ata hëngrën e pinë. Pastaj mbreti i nisi e ata u kthyen te zotëria i tyre. Çetat e Aramit nuk erdhën më për të plaçkitur tokat e Izraelit.
24Pas këtyre ngjarjeve, Ben Hadadi, mbreti i Aramit, mblodhi gjithë ushtrinë e tij dhe shkoi e rrethoi Samarinë. 25Për shkak të rrethimit, Samarinë e pllakosi një zi buke aq e madhe, saqë një kokë gomari kushtonte tetëdhjetë sikla argjendi dhe gjysmë kilogram glasë pëllumbash pesë sikla argjendi. 26Një ditë, kur mbreti i Izraelit po kalonte nëpër muret e qytetit, një grua i thirri: «Ndihmë, o imzot, mbret!». 27Mbreti iu përgjigj: «Po nuk të shpëtoi Zoti, si do të të shpëtoj unë? Me grurë nga lëmi apo me verë nga torku?». 28Pastaj e pyeti: «Çfarë të ka ndodhur?». Ajo iu përgjigj: «Kjo grua më tha: “Sille djalin tënd që ta hamë sot, ndërsa nesër hamë djalin tim”. 29Kështu, e gatuam djalin tim dhe e hëngrëm, por kur i kërkova të nesërmen të sillte djalin e saj për ta ngrënë, ajo e kishte fshehur». 30Kur dëgjoi fjalët e gruas, mbreti shqeu rrobat. Teksa ecte mbi muret e qytetit, populli pa se kishte veshur një grathore drejt e në mish. 31Atëherë mbreti tha: «Keq e më keq ma bëftë Perëndia, po nuk ia preva sot kokën Eliseut, birit të Shafatit».
32Ndërkohë Eliseu po rrinte në shtëpi dhe me të ishte ulur edhe pleqësia. Mbreti i dërgoi një lajmëtar para se të shkonte vetë. Pa arritur lajmëtari, Eliseu i tha pleqësisë: «Ja, biri i vrasësit ka dërguar njerëz të më presin kokën. Bëni kujdes! Kur të mbërrijë lajmëtari, mbylleni derën e mos e lini të hyjë. Ja tek dëgjohen prapa hapat e zotërisë së tij». 33Eliseu po fliste ende me pleqësinë, kur ia behu mbreti#6.33 he. shërbëtori që i tha: «E gjithë kjo fatkeqësi vjen prej Zotit! Çfarë të pres më nga Zoti?».

Currently Selected:

2 Mbretërve 6: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy