YouVersion Logo
Search Icon

2 Mbretërve 5

5
Shërimi i Namanit
1Namani, kreu i ushtrisë së mbretit të Aramit, ishte njeri me peshë dhe i nderuar prej zotërisë së vet, sepse me anë të tij Zoti e kishte shpëtuar Aramin, por, ndonëse luftëtar trim e i fuqishëm, ai vuante nga lebra. 2Gjatë një sulmi që kishin bërë disa çeta nga Arami në tokat e Izraelit, kishin rrëmbyer një vajzë të vogël, e cila ishte bërë shërbyesja e gruas së Namanit. 3Një ditë vajza i tha zonjës së saj: «Sikur imzot të shkonte te profeti që është në Samari, ai do ta kishte shëruar nga lebra». 4Namani shkoi e foli me mbretin, zotërinë e tij, e i tha: «Kështu e kështu më ka thënë një vajzë nga Izraeli». 5Mbreti i Aramit i tha Namanit: «Nisu për udhë e unë do t'i dërgoj një letër mbretit të Izraelit». Namani u nis dhe me vete mori treqind kilogramë argjend, gjashtëdhjetë kilogramë ar dhe dhjetë palë ndërresash. 6Kur mbërriti, i dha mbretit të Izraelit letrën, në të cilën thuhej: «Bashkë me këtë letër po të dërgoj edhe shërbëtorin tim, Namanin, që ta shërosh nga lebra». 7Kur e lexoi letrën, mbreti i Izraelit shqeu rrobat e tha: «Mos jam gjë perëndia unë, i cili ka pushtetin për të sjellë vdekjen apo jetën, që ky më dërgon këtë njeri për ta shëruar nga lebra? Shihni, ai po kërkon shkak për t'u ngatërruar me mua».
8Kur Eliseu, njeriu i Perëndisë, dëgjoi se mbreti i Izraelit kishte shqyer rrobat, i çoi fjalë mbretit e i tha: «Përse i shqeve rrobat? Lëre të vijë tek unë, që ta dijë se në Izrael ka profet». 9Namani shkoi me kuaj e me karroca e u ndal te dera e shtëpisë së Eliseut. 10Por Eliseu i dërgoi një lajmëtar e i tha: «Shko e lahu shtatë herë në lumin Jordan dhe trupi yt do të shërohet e do të pastrohet nga lebra». 11Namani u zemërua e iku duke thënë: «Ja, unë prisja që ai të dilte për të më takuar, të qëndronte para meje, të thërriste emrin e Zotit, Perëndisë së tij, të vinte dorën në plagë e të më shëronte nga lebra. 12A nuk janë lumenjtë e Damaskut, Abana e Farfari, më të mirë se të gjithë ujërat e Izraelit? Pse, nuk mund të lahesha në to e të shërohesha?». Kështu, ai u kthye e u largua tejet i zemëruar. 13Por shërbëtorët iu afruan e i thanë: «Imzot, po të të kishte kërkuar profeti një gjë të vështirë, a nuk do ta bëje? Përse të mos bësh çfarë të tha dhe të shkosh të lahesh e të pastrohesh?». 14Atëherë Namani shkoi në Jordan, u la shtatë herë, siç e kishte urdhëruar njeriu i Perëndisë, dhe trupi iu shërua e iu bë i pastër si trupi i një djaloshi.
15Menjëherë Namani u kthye te njeriu i Perëndisë me gjithë shpurën e tij, qëndroi përpara tij e i tha: «Ja, tani unë e di se nuk ka Perëndi tjetër në mbarë dheun, përveçse në Izrael. E tani prano, të lutem, një dhuratë nga shërbëtori yt». 16Eliseu i tha: «Pasha Zotin, të cilit i shërbej, nuk e marr». Namani iu përgjërua të pranonte, por Eliseu nuk pranoi. 17Atëherë Namani i tha: «Meqenëse nuk pranon, të lutem, më lejo të marr pak dhe, aq sa mbajnë dy mushka. Shërbëtori yt nuk do t'i kushtojë më as fli shkrumbimi e as ndonjë fli tjetër perëndive të tjerë, përveç Zotit. 18Por, Zoti ta falë shërbëtorin tënd, kur të shkojë me zotërinë e tij në tempullin e Rimonit. Kur zotëria im shkon atje, mbështetet mbi dorën time, e unë duhet të përkulem për të adhuruar në tempullin e Rimonit. Zoti e faltë shërbëtorin tënd për këtë gjë». 19Eliseu i tha: «Shko në paqe!».
Lakmia e Gehazit
Namani nuk ishte larguar shumë, 20kur Gehazi, shërbëtori i Eliseut, njeriut të Perëndisë, tha me vete: «Imzot e kurseu Namanin, këtë arameasin, dhe nuk ia mori dhuratat që kishte sjellë me vete. Pasha Zotin, po shkoj me vrap pas tij e po i marr ndonjë gjë». 21Kështu, Gehazi e ndoqi pas Namanin. Namani e pa që po vraponte, prandaj zbriti nga karroca për ta takuar e i tha: «Je mirë?». 22Gehazi iu përgjigj: «Mirë jam! Imzot më dërgoi të të them se sapo mbërritën për ta parë dy djelmosha nga malësia e Efraimit, bij të profetëve, e të lutet t'u japësh atyre tridhjetë kilogramë argjend dhe dy palë ndërresa». 23Namani i tha: «Merr më mirë gjashtëdhjetë kilogramë» dhe nguli këmbë që t'i merrte. Gjashtëdhjetë kilogramët i futi në dy thasë, vuri edhe dy palë ndërresa dhe ua dha dy prej shërbëtorëve të tij që t'i mbanin, duke ecur para Gehazit. 24Kur mbërritën te kodra, Gehazi i mori dhuratat nga shërbëtorët e Namanit dhe i futi në shtëpi. Pastaj i nisi dy shërbëtorët e ata ikën. 25Mandej Gehazi shkoi e u paraqit tek Eliseu, zotëria i vet, i cili e pyeti: «Ku ishe, Gehaz?». Gehazi iu përgjigj: «Shërbëtori yt nuk ishte askund». 26Eliseu i tha: «Unë isha aty me shpirt, kur ai njeri zbriti nga karroca për t'u takuar me ty. Vallë, tani ishte çasti për të marrë argjend, rroba, ullishta, vreshta, dele, lopë, shërbëtorë e shërbëtore? 27Prandaj, lebra e Namanit do të bjerë mbi ty e mbi pasardhësit e tu përjetë». Gehazi doli nga shtëpia e Eliseut i zbardhur si dëbora, prej lebrës.

Currently Selected:

2 Mbretërve 5: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy