YouVersion Logo
Search Icon

2 Mbretërve 4

4
Vaji i vejushës
1Një nga gratë e bijve të profetëve iu përgjërua Eliseut e i tha: «Shërbëtori yt, burri im, vdiq. Ti e di se shërbëtori yt e druante Zotin. Tani ka ardhur një nga huadhënësit për të më marrë dy djemtë e për t'i bërë skllevër». 2Eliseu i tha: «Më thuaj, çfarë mund të bëj për ty? Çfarë të ka mbetur në shtëpi?». Ajo iu përgjigj: «Shërbëtores sate nuk i ka mbetur asgjë, përveç një qypi me vaj». 3Eliseu i tha: «Shko e merr hua nga fqinjët e tu sa më shumë enë të zbrazura që të mundesh. 4Shko në shtëpi me gjithë fëmijët dhe mbylle derën nga brenda. Pastaj hidh vaj në të gjithë qypat dhe çdo qyp që do të mbushet plot vëre mënjanë». 5Gruaja u largua, hyri në shtëpi me gjithë fëmijët dhe mbylli derën nga brenda. Ata i sillnin qypat e ajo i mbushte. 6Kur u mbushën enët, ajo i tha djalit të saj: «Më sill edhe një enë». Ai i tha: «Nuk ka më enë». Atëherë vaji u ndal. 7Gruaja shkoi e i tregoi Eliseut, njeriut të Perëndisë, për çka ndodhi. Ai i tha: «Shko shite vajin e ktheji huan huadhënësit. Me vajin që tepron, do të jetosh ti dhe djemtë e tu».
Djali i shunamites
8Një ditë Eliseu shkoi në Shunem. Një grua fisnike që jetonte aty nguli këmbë që Eliseu të hante bukë në shtëpinë e saj. Që prej asaj dite Eliseu kthehej në shtëpinë e saj për të ngrënë, sa herë që i binte rruga nga Shunemi. 9Ajo grua i tha burrit të vet: «Jam e bindur se ky njeri i Perëndisë, që kalon shpesh nga ne, është njeri i shenjtë. 10Le t'i ndërtojmë, të lutem, një dhomë të vogël në katin e sipërm dhe le të vëmë në të një shtrat, një tryezë, një ndenjëse dhe një shandan, që kur të kalojë nga ne, të rrijë atje».
11Një ditë Eliseu kaloi nga ajo shtëpi, u ngjit në dhomën e sipërme dhe u shtri. 12Pastaj i tha Gehazit, shërbëtorit të tij: «Thirre gruan shunamite». Ai e thirri e ajo u paraqit para tij. 13Atëherë i tha sërish Gehazit, shërbëtorit të tij: «Të lutem, thuaji se ajo është kujdesur shumë për ne. Çfarë do të donte të bëja për të? Do të donte që të flisja për të me mbretin apo me kreun e ushtrisë?». Gruaja iu përgjigj: «Jetoj mes njerëzve të mi». 14Atëherë Eliseu pyeti Gehazin: «Çfarë mund të bëja për të?». Gehazi iu përgjigj: «Ajo nuk ka fëmijë dhe burrin e ka plak». 15Eliseu i tha Gehazit ta thërriste. Gehazi e thirri dhe gruaja u ndal te dera. 16Eliseu i tha: «Si sot pas një viti ke për të shtrënguar një djalë në gji». Ajo i tha: «Mos, imzot! Mos e gënje shërbëtoren tënde, o njeri i Perëndisë!». 17Por gruaja u ngjiz dhe në të njëjtën stinë pas një viti lindi djalin, ashtu siç i kishte thënë Eliseu.
18Djali u rrit dhe një ditë shkoi tek i ati, që ishte me korrësit. 19Papritur i tha të atit: «Koka! Koka!». I ati i tha shërbëtorit: «Merre djalin e çoje tek e ëma». 20Shërbëtori e mori djalin dhe e çoi tek e ëma. Ajo e mbajti djalin në prehër, por në mesditë ai vdiq. 21Atëherë ajo u ngjit në dhomën e sipërme, e shtriu djalin në shtratin e njeriut të Perëndisë, mbylli derën dhe doli nga dhoma. 22Mandej thirri të shoqin e i tha: «Më dërgo, të lutem, një shërbëtor dhe një gomar, që të shkoj shpejt te njeriu i Perëndisë e të kthehem». 23Ai e pyeti: «Përse po shkon tek ai? Sot nuk është as hënë e re e as e shtunë». Ajo i tha: «Rri i qetë!». 24Pastaj shaloi gomarin e i tha shërbëtorit: «Dil përpara e jepi shpejt! Mos u ndal për mua pa të urdhëruar unë». 25Kështu, ajo u nis e shkoi te njeriu i Perëndisë në malin Karmel. Njeriu i Perëndisë e pa nga larg e i tha Gehazit, shërbëtorit të tij: «Shiko, po vjen gruaja shunamite. 26Shko dili shpejt përpara e pyete në është mirë dhe në e ka mirë burrin dhe djalin». Gruaja iu përgjigj: «Mirë!». 27Kur mbërriti te njeriu i Perëndisë në mal, ajo i ra te këmbët. Gehazi u afrua për ta larguar, por njeriu i Perëndisë i tha: «Lëre të qetë, sepse i është hidhëruar shpirti. Zoti më ka fshehur diçka e nuk ma ka treguar». 28Atëherë ajo i tha Eliseut: «A të kërkova gjë djalë, imzot? A nuk të thashë të mos më mashtroje?». 29Atëherë Eliseu i tha shërbëtorit të tij: «Ngjishe brezin për udhë, merr shkopin tim e nisu. Mos u ndal për të përshëndetur askënd udhës dhe, po të të përshëndetë ndokush, mos u përgjigj. Shko dhe vëre shkopin tim mbi fytyrën e djalit». 30Por e ëma e djalit i tha: «Pasha Zotin dhe pasha jetën tënde, nuk do të të lë!». Atëherë Eliseu u ngrit dhe shkoi pas saj. 31Gehazi mbërriti para tyre dhe e vuri shkopin e Eliseut mbi fytyrën e djalit, por djali nuk nxori zë e nuk lëvizi. Pastaj u kthye tek Eliseu e i tregoi se djali nuk ishte zgjuar.
32Eliseu mbërriti te shtëpia e gruas e, ja, fëmija dergjej i vdekur mbi shtrat. 33Ai hyri brenda, vetëm me fëmijën në dhomë, mbylli derën nga pas e iu lut Zotit. 34Pastaj hipi mbi shtrat, u shtri mbi fëmijën dhe e vuri gojën e vet mbi gojën e fëmijës, sytë e vet mbi sytë e fëmijës dhe duart e veta mbi duart e fëmijës. Teksa ishte shtrirë duke ndenjur mbi fëmijën, trupi i fëmijës filloi të ngrohej. 35Eliseu u ngrit e filloi të ecte sa andej këndej nëpër dhomë. Pastaj hipi mbi shtrat e u shtri përsëri mbi fëmijën. Atëherë fëmija teshtiu shtatë herë dhe hapi sytë. 36Eliseu thirri Gehazin e i tha: «Thirre gruan shunamite». Gehazi e thirri dhe, kur ajo erdhi, Eliseu i tha: «Merre djalin!». 37Atëherë gruaja ra përmbys te këmbët e Eliseut e u përkul deri në tokë. Pastaj mori djalin e doli.
Mrekulli të tjera të Eliseut
38Ndërkohë në vend kishte rënë zia e bukës. Eliseu u kthye në Gilgal dhe para tij rrinin ulur bijtë e profetëve. Atëherë Eliseu i tha shërbëtorit të vet: «Vër në zjarr rrethjen e madhe e gatuaj një gjellë për bijtë e profetëve». 39Njëri prej bijve të profetëve shkoi nëpër ara për të mbledhur barishte për gjellën dhe gjeti një bimë të egër kacavjerrëse. I voli boçat e bimës, mbushi gunën dhe pasi u kthye, i preu në copa e i hodhi në rrethjen e gjellës, pa e ditur se ç'ishin. 40Kur u dhanë për të ngrënë, ata e provuan gjellën e thirrën: «Në rrethje na pret vdekja, o njeri i Perëndisë!». Askush nuk hëngri dot. 41Atëherë Eliseu tha: «Më sillni miell!». E hodhi miellin në rrethje e tha: «Jepuni njerëzve për të ngrënë!». Dhe nuk pati më asgjë të keqe.
42Një herë erdhi një njeri nga Baal Shalishahu dhe i solli njeriut të Perëndisë njëzet bukë elbi nga korrja e parë dhe disa kallinj të freskët gruri. Eliseu tha: «Jepu njerëzve të hanë». 43Por shërbëtori i tij i tha: «Si t'ua vë këto përpara njëqind burrave?». Eliseu i tha: «Jepu njerëzve të hanë, sepse kështu thotë Zoti: do të hanë e do t'u teprojnë». 44Shërbëtori ua vuri përpara burrave dhe ata hëngrën e u teproi, sipas fjalës së Zotit.

Currently Selected:

2 Mbretërve 4: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy