YouVersion Logo
Search Icon

2 Mbretërve 25

25
Robërimi në Babiloni
1Në ditën e dhjetë të muajit të dhjetë të vitit të nëntë të mbretërimit të Sedekisë, Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, erdhi me gjithë ushtrinë e tij për të sulmuar Jerusalemin, ngriti fushimin përballë qytetit dhe ngriti një mur rrethues rreth e rrotull tij. 2Qyteti mbeti i rrethuar deri në vitin e njëmbëdhjetë të mbretërimit të Sedekisë. 3Ditën e nëntë të muajit të katërt uria u bë aq e rëndë në qytet, saqë nuk kishte më ushqim për popullin. 4Atë ditë u bë një e çarë në muret e qytetit dhe të gjithë luftëtarët u larguan natën nga qyteti në drejtim të Arabahut përmes portës që ndodhej mes dy mureve, pranë kopshtit të mbretit, ndonëse kaldenjtë e mbanin qytetin të rrethuar. 5Ushtarët e kaldenjve e ndoqën pas mbretin dhe e kapën në fushën e Jerikosë. Mbretin e kishte braktisur e gjithë ushtria e tij. 6Ata e kapën dhe e çuan te mbreti i Babilonisë në Riblah, ku edhe i shpallën dënimin. 7Bijtë e Sedekisë i vranë para syve të tij, ndërsa vetë Sedekisë i nxorën sytë, e lidhën me vargonj prej bronzi dhe e çuan në Babiloni.
8Në ditën e shtatë të muajit të pestë të vitit të nëntëmbëdhjetë të mbretërimit të Nabukodonosorit në Babiloni, Nebuzaradani, kreu i truprojës dhe nëpunës i mbretit të Babilonisë, hyri në Jerusalem. 9Ai dogji tempullin e Zotit, pallatin mbretëror dhe u vuri zjarrin të gjitha shtëpive të Jerusalemit, veçanërisht shtëpive të fisnikëve. 10Mbarë ushtria e kaldenjve bashkë me kreun e truprojës shkatërruan muret e qytetit. 11Pjesën tjetër të popullit, ata që i ishin dorëzuar mbretit të Babilonisë dhe mbarë popullin e mbetur Nebuzaradani, kreu i truprojës, i shpërnguli në mërgim. 12Ai la pas vetëm disa nga më të varfrit e vendit për vreshtari e bujqësi.
13Kaldenjtë copëtuan shtyllat e bronzit, bazat dhe detin prej bronzi, që ishin në tempullin e Zotit dhe bronzin e çuan në Babiloni. 14Morën edhe rrethjet, lopatëzat, thikat, kupat dhe të gjitha pajisjet prej bronzi që përdoreshin për shërbesat e tempullit. 15Kreu i truprojës mori të gjitha pajisjet prej ari dhe argjendi, bashkë me mangallët dhe me kupat e arta. 16Pesha e bronzit të të gjitha pajisjeve që kishte punuar Solomoni për tempullin e Zotit, të të dy shtyllave, të detit prej metali dhe të bazave, nuk mund të llogaritej. 17Lartësia e secilës shtyllë ishte nëntë metra dhe lartësia e krythave që ndodheshin mbi to, ishte nga një metër e gjysmë. Krythat ishin të rrethuara me rrjeta të thurura dhe me vargje shegësh, të gjitha prej bronzi. Edhe shtylla tjetër kishte të njëjtat zbukurime.
18Kreu i truprojës mori robër edhe kryepriftin Serajah, priftin e dytë Sofoni dhe tre rojtarët e pragut të tempullit. 19Nga qyteti mori robër zyrtarin që mbikëqyrte luftëtarët, pesë këshilltarë të mbretit, që i gjeti në qytet, shkruesin e kreut të ushtrisë, që thërriste ushtarë djemtë e popullit, si dhe gjashtëdhjetë vetë nga ata që u gjendën në qytet. 20Nebuzaradani, kreu i truprojës, i zuri robër dhe ia çoi mbretit të Babilonisë në Riblah. 21Atëherë mbreti i Babilonisë i goditi për vdekje në Riblah, në vendin e Hamatit. Kështu, populli i Judës u shpërngul nga dheu i vet.
Gedaliahu, qeveritar i Judës
22Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, e la një pjesë të popullit të qëndrojë në tokën e Judës dhe u caktoi si qeveritar Gedaliahun, birin e Ahikamit, të birit të Shafanit. 23Kur krerët e grupimeve të mbetura ushtarake dëgjuan se mbreti i Babilonisë kishte caktuar qeveritar Gedaliahun, shkuan tek ai në Micpah. Këta ishin Ishmaeli, biri i Netanjahut, Johanani, biri i Kareahut, Serajahu, biri i Tanhumetit, netofatitit, dhe Jazanjahu, biri i Makatitit, bashkë me luftëtarët e tyre. 24Atëherë Gedaliahu iu përbetua atyre dhe luftëtarëve të tyre e u tha: «Mos kini frikë nga zyrtarët kaldenj. Banoni në tokën tuaj, i shërbeni mbretit të Babilonisë dhe do të jeni mirë». 25Por në muajin e shtatë, Ishmaeli, biri i Netanjahut, të birit të Elishamait, që kishte prejardhje mbretërore, erdhi me dhjetë burra dhe e goditi Gedaliahun për vdekje. Gedaliahu vdiq bashkë me judenjtë dhe kaldenjtë që ishin me të në Micpah. 26Atëherë mbarë populli, i madh e i vogël, bashkë me krerët e ushtrisë, u ngritën e shkuan në Egjipt nga frika e kaldenjve.
Lirimi i Jehojakinit
27Tridhjetë e shtatë vjet pas shpërnguljes në robëri të Jehojakinit, mbretit të Judës, Evil Merodaku u bë mbret i Babilonisë. Në ditën e njëzet e shtatë të muajit të dymbëdhjetë të atij viti, ai e liroi nga burgu Jehojakinin, mbretin e Judës. 28Ai fliste me dashamirësi me Jehojakinin dhe i caktoi një fron më të lartë se mbretërit e tjerë që ishin me të në Babiloni. 29Jehojakini ndërroi rrobat e burgut dhe hëngri në një tryezë me mbretin deri në fund të jetës. 30Sa qe gjallë, mbreti i Babilonisë i jepte çdo ditë sasinë e caktuar të gjërave që i nevojiteshin.

Currently Selected:

2 Mbretërve 25: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy