YouVersion Logo
Search Icon

2 Kronikave 36

36
Mbretërimi i Jehoahazit në Judë
1Populli i vendit mori Jehoahazin, birin e Josisë, dhe e vuri të mbretëronte në Jerusalem, në vend të të atit. 2Jehoahazi ishte njëzet e tre vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi vetëm tre muaj në Jerusalem. 3Nekohu, mbreti i Egjiptit, e hoqi Jehoahazin nga Jerusalemi, e burgosi dhe i caktoi vendit një tagër prej tre mijë kilogramë argjendi dhe tridhjetë kilogramë ari. 4Mbreti i Egjiptit bëri mbret të Judës dhe të Jerusalemit Eliakimin, vëllanë e Jehoahazit, të cilit ia ndryshoi emrin në Jehojakim. Jehoahazin, të vëllanë e Jehojakimit, Nekohu e mori rob në Egjipt.
Mbretërimi i Jehojakimit në Judë
5Jehojakimi ishte njëzet e pesë vjeç kur u bë mbret. Mbretëroi për njëmbëdhjetë vjet në Jerusalem dhe bëri çka është keq në sytë e Zotit, Perëndisë së tij. 6Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, e sulmoi Jehojakimin dhe e lidhi me zinxhirë prej bronzi për ta çuar në Babiloni. 7Nabukodonosori mori edhe një pjesë të pajisjeve të tempullit të Zotit, i çoi në Babiloni dhe i vuri në pallatin e tij. 8Bëmat e tjera të Jehojakimit, veprat e tij të neveritshme dhe gjërat e tjera në lidhje me të janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit e të Judës. Në vend të tij mbretëroi Jehojakini, i biri.
Mbretërimi i Jehojakinit në Judë
9Jehojakini ishte tetë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për tre muaj e dhjetë ditë në Jerusalem. Jehojakini bëri çka është keq në sytë e Zotit. 10Në krye të vitit, Nabukodonosori dërgoi njerëz që ta sillnin në Babiloni bashkë me sendet e çmuara të tempullit të Zotit. Nabukodonosori caktoi si mbret të Judës dhe të Jerusalemit Sedekinë, vëllanë e Jehojakinit.
Mbretërimi i Sedekisë në Judë
11Sedekia ishte njëzet e një vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për njëmbëdhjetë vjet në Jerusalem. 12Ai bëri çka është keq në sytë e Zotit, Perëndisë së tij, dhe nuk u përul para profetit Jeremi që fliste në emër të Zotit. 13Sedekia ngriti krye edhe kundër mbretit Nabukodonosor, ndonëse ai e kishte detyruar t'i betohej për Perëndinë. Sedekia u bë kokëfortë e zemërgur dhe nuk u kthye drejt Zotit, Perëndisë së Izraelit. 14Edhe tërë krerët e priftërinjve bashkë me popullin i shtuan paudhësitë e tyre dhe ndoqën zakonet e pështira të kombeve, duke përdhosur tempullin e Zotit që ai vetë e kishte shenjtëruar në Jerusalem.
15 Zoti, Perëndia i etërve të tyre, u dërgoi që në fillim lajmëtarët e vet për t'i qortuar çdo herë, sepse i dhimbsej populli dhe banesa e vet. 16Por ata i përqeshnin të dërguarit e Perëndisë, i përbuznin fjalët e tij dhe talleshin me profetët e tij. Prandaj Zoti u zemërua aq shumë kundër popullit të tij, saqë nuk kishte më mundësi shpëtimi.
17Atëherë Zoti dërgoi kundër tyre mbretin e kaldenjve, i cili ua vrau djemtë me shpatë në shenjtëroren e Zotit e nuk pati mëshirë as për të rinjtë, as për të rejat, as për të rriturit e as për pleqtë. Zoti i la të gjithë në mëshirën e mbretit të kaldenjve. 18Mbreti Nabukudonosor i mori të gjitha pajisjet e tempullit të Perëndisë, të mëdha e të vogla, thesaret e tempullit të Zotit, thesaret e mbretit e të fisnikëve të tij e i çoi të gjitha në Babiloni. 19Mandej i vunë flakën tempullit të Perëndisë, rrëzuan muret e Jerusalemit, dogjën të gjitha pallatet e tij dhe shkatërruan të gjitha sendet me vlerë. 20Ata që i shpëtuan shpatës, mbreti i treti në mërgim në Babiloni dhe u bënë skllevër për të e për bijtë e tij, derisa u themelua mbretëria e persëve. 21Kështu u përmbush fjala e Zotit thënë me gojën e Jeremisë se toka do të rrinte e shkretë për shtatëdhjetë vjet, derisa të shpaguheshin të shtunat që nuk ishin mbajtur.
Vendimi i Kirit
22Në vitin e parë të mbretërimit të Kirit, mbretit të Persisë, Zoti përmbushi atë që kishte thënë përmes Jeremisë dhe e nxiti shpirtin e Kirit, mbretit të Persisë, të shpallte në mbarë mbretërinë e tij këtë vendim të shkruar: 23«Kështu thotë Kiri, mbreti i Persisë: Zoti, Perëndia i qiellit, më ka dhënë të gjitha mbretëritë e tokës dhe më ka urdhëruar të ndërtoj për të një tempull në Jerusalem të Judës. Kush nga ju i përket popullit të tij, të kthehet atje dhe Zoti, Perëndia i tij qoftë me të!».

Currently Selected:

2 Kronikave 36: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy