YouVersion Logo
Search Icon

2 Kronikave 2

2
1Ai caktoi shtatëdhjetë mijë punëtorë ngarkim-shkarkimi, tetëdhjetë mijë gurgdhendës, që punonin në mal, dhe tre mijë e gjashtëqind mbikëqyrës. 2Solomoni i dërgoi fjalë Hiramit, mbretit të Tirit, e i tha: «Ti i dërgove Davidit, atit tim, cedra për të ndërtuar shtëpinë ku banonte. M'i dërgo edhe mua. 3Ja, unë po filloj ndërtimin e një tempulli për nder të emrit të Zotit, Perëndisë tim, një tempull që do t'i kushtohet atij. Në tempull do t'i kushtojmë Zotit temjan erëmirë, do t'i paraqesim pandërprerë bukët e paraqitjes dhe do t'i kushtojmë fli shkrumbimi në mëngjes e në mbrëmje, për të shtunat, për hënat e reja dhe për të gjitha të kremtet e Zotit, Perëndisë tonë, sepse kjo është detyrë e përhershme e Izraelit. 4Tempulli që po filloj të ndërtoj do të jetë madhështor, sepse edhe Perëndia ynë është më madhështor se të gjitha perënditë. 5Por kush mund të ndërtojë një tempull për atë që s'e nxënë as qiejt, as qiejt e qiejve? Kush jam unë që t'i ndërtoj një tempull vetëm për t'i kushtuar temjan? 6Prandaj më dërgo një njeri të aftë për të punuar arin, argjendin, bronzin dhe hekurin, që di të përdorë ngjyrën e purpurt, të kuqen dhe vjollcën, e që është mjeshtër i gdhendjes. Ai do të punojë bashkë me mjeshtrat e mi nga Juda e nga Jerusalemi, të cilët i ka përgatitur Davidi, ati im. 7Më dërgo edhe dru cedri, qiparisi e pishe prej Libanit, sepse unë e di se shërbëtorët e tu janë mjeshtra për prerjen e drurit të Libanit. Shërbëtorët e mi do të punojnë bashkë me shërbëtorët e tu, 8që të përgatitin lëndë druri me shumicë, se tempulli që po filloj të ndërtoj do të jetë madhështor e i mrekullueshëm. 9Shërbëtorëve të tu, që do të presin e bëjnë gati drutë, do t'u jap për ushqim gjashtë mijë tonë grurë të shkoqur, gjashtë mijë tonë elb, tetëqind mijë litra verë dhe tetëqind mijë litra vaj». 10Hirami, mbreti i Tirit, i shkroi një letër Solomonit, ku i thoshte: «Zoti të ka caktuar ty mbret, sepse e do popullin e tij».
11E Hirami shtoi: «Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, krijuesi i qiejve e i tokës, që i dha mbretit David një bir plot urti, dije, mençuri e arsye, i cili po ndërton një tempull për nder të Zotit dhe një pallat mbretëror. 12Prandaj po të dërgoj, Huram Abiun, një burrë të urtë, të ditur e të mençur. 13Huram Abiu është i biri i njërës prej bijave të Danit, ndërsa i ati i tij është nga Tiri. Ai di të punojë arin, argjendin, bronzin, hekurin, gurin, drurin, ngjyrën e purpurt, vjollcën, të kuqen dhe lirin. Di të bëjë çdo gdhendje dhe ia pret mendja për çdo gjë që t'i kërkohet. Ai do të punojë bashkë me mjeshtrat e tu dhe me mjeshtrat e timzoti, Davidit, atit tënd. 14Ndërsa ti, imzot, do t'u japësh shërbëtorëve të tu grurin, elbin, vajin dhe verën, që u ke premtuar. 15Ne do të presim aq dru Libani sa të duhen e do t'i sjellim nëpër det me trapa deri në Jafë. Pastaj ti i çon në Jerusalem».
16Atëherë Solomoni bëri regjistrimin e të gjithë të ardhurve në Izrael, pas regjistrimit që kishte bëri ati i tij, Davidi, dhe dolën njëqind e pesëdhjetë e tri mijë e gjashtëqind. 17Shtatëdhjetë mijë prej tyre i caktoi si punëtorë ngarkim-shkarkimi, tetëdhjetë mijë si gurgdhendës në mal dhe tre mijë e gjashtëqind si mbikëqyrës të punëtorëve.

Currently Selected:

2 Kronikave 2: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy