YouVersion Logo
Search Icon

1 Samuelit 2

2
Lutja e Anës
1Atëherë Ana u lut:
«Zemra ime ngazëllohet në Zotin,
Zoti ma ngriti ballin#2.1 he. bririn lart.
Kam gojë të flas para armiqve të mi,
se në shpëtimin tënd gjej gëzim.
2S'ka të shenjtë si Zoti,
përveç teje s'ka tjetër.
Nuk ka shkëmb
përveç Perëndisë tonë.
3Mjaft me mburrjet
e me buzët krenare,
se Zoti është Perëndi i urtë,
çdo vepër ai e peshon.
4Harku i trimave thyhet,
të këputurit ngjishen me fuqi.
5Të ngopurit shesin veten për një copë bukë,
ndërsa skamnorët s'kanë më uri.
Lind beronja shtatë fëmijë,
por shuhet gruaja me shumë bij.
6 Zoti vret e sjell në jetë,
plandos në skëterrë e ngre që andej.
7 Zoti varfëron e pasuron,
përul e lartëson.
8Ngre nga pluhuri të vobektin,
prej hedhurinave të varfrin,
që ta ulë me fisnikët
e t'i japë për trashëgimi fronin e nderit,
se Zotit i përkasin shtyllat e tokës,
mbi to botën e vendosi ai.
9Ai ruan këmbët e besnikëve të tij,
të paudhët do të heshtin në terr,
se prej forcës s'do të ngadhënjejë njeri.
10Kundërshtarët e Zotit do të dërrmohen,
kur prej qiellit ai të shkreptijë.
Do ta gjykojë Zoti çdo skaj të tokës
e fuqi do t'i japë mbretit të tij,
do t'ia ngrejë kokën lart të vajosurit të vet».
Bijtë e Eliut
11Elkanahu u kthye në shtëpinë e vet në Ramah. Djaloshi ndenji për t'i shërbyer Zotit në prani të priftit Eli.
12Bijtë e Eliut ishin fëmijë të pahijshëm. Ata nuk donin t'ia dinin për Zotin. 13Kështu e kishin zakon priftërinjtë të silleshin me popullin. Kur ndokush flijonte fli, dilte djali#2.13 ose: shërbëtori i priftit me sfurk tredhëmbësh në dorë, ndërsa ziente mishi, 14e zhyste në legen, në kazan, në tavë, apo në kusi dhe çfarëdo që kapte sfurku e merrte për priftin. Ata vepronin kështu me tërë izraelitët që vinin në Shiloh. 15Madje ndodhte që para se të digjej dhjami, vinte djali i priftit e u thoshte atyre që kushtonin fli: «Më jepni mish që ta pjek për priftin, sepse ai do mish të gjallë e jo të zier». 16Edhe pse njerëzit i përgjigjeshin: «Merr ç'të duash, por na lër të djegim dhjamin», ai u përgjigjej: «Jo, ma jepni tani, përndryshe do t'jua marr me forcë!». 17Mëkati i djemve ishte shumë i rëndë para Zotit, sepse po përbuznin flinë e Zotit.
Samueli në Shiloh
18Djaloshi Samuel shërbente në prani të Zotit veshur me efod prej liri. 19E ëma i punonte një gunëz që ia sillte për vit sa herë që vinte bashkë me të shoqin për flinë vjetore. 20Eliu bekonte Elkanahun e të shoqen: «Zoti të dhëntë trashëgimtarë të tjerë përmes kësaj gruaje, në vend të djalit që ajo ia fali Zotit». Atëherë ata ktheheshin në vendin e vet.
21 Zoti e pa me sy të mirë Anën, ajo mbeti shtatzënë dhe lindi tre djem e dy vajza. Ndërkohë djaloshi Samuel rritej në prani të Zotit.
Profecia kundër Eliut
22Eliu, në moshë të thyer, mori vesh për gjithçka që bijtë e tij u bënin izraelitëve dhe se ata flinin me gratë që shërbenin në të hyrë të tendës së takimit. 23Ai u tha: «Përse silleni kështu? Po dëgjoj fjalë të këqija prej gjithë popullit. 24Mos, bijtë e mi! Nuk po dëgjoj fjalë të mira#2.24 të tjerë: Nuk është mirë të shkandulloni nga populli i Zotit. 25Nëse dikush mëkaton kundër njeriut, Perëndia është ai që ndërmjetëson, por nëse mëkaton kundër Zotit, kush do të ndërmjetësojë për të?». Megjithatë, ata nuk ia dëgjuan fjalën të atit, se Zoti kishte vendosur t'i vriste. 26Ndërkohë djaloshi Samuel rritej në shtat. Njerëzit dhe Zoti e kishin për zemër.
27Një njeri i Perëndisë erdhi tek Eliu e i tha se kështu thotë Zoti: «Unë iu dëftova shtëpisë së atit tënd kur ishte ende në Egjipt, nën shtëpinë e faraonit. 28E zgjodha për prift nga tërë fiset e Izraelit që të dalë para altarit tim për të djegur temjan e për të veshur efodin në praninë time. Tërë flitë e zjarrit që kushtojnë izraelitët ia dhashë shtëpisë së atit tënd. 29Përse, pra, lakmoni edhe flitë e kushtimet e mia që i urdhërova plot zell? Përse i nderon bijtë e tu më shumë se mua? U majmët duke ngrënë pjesët më të mira të çdo flije që kushton Izraeli, populli im, 30prandaj, kumton Zoti, Perëndia i Izraelit: 31ja, po vijnë ditët kur do të t'i pres krahët ty dhe shtëpisë së atit tënd, që askush prej shtëpisë sate të mos arrijë ditët e pleqërisë. 32Do t'i shohësh me smirë#2.32 të tjerë: Do ta shohësh kundërshtarin në banesë; Ke për të parë mjerimin e banesës sime të mirat e Izraelit, se askush prej shtëpisë sate nuk do t'i arrijë ditët e pleqërisë. 33Vetëm njërin prej të tuve nuk do ta heq prej altarit tim, por edhe atij do t'i mpaken sytë e do t'i pikëllohet shpirti, ndërsa shumica e familjes tënde do të vdesë në moshën e burrërisë. 34Kjo do të shërbejë si shenjë për ty: të dy bijtë e tu, Hofniu e Finehasi, do të vdesin në të njëjtën ditë. 35Do të ngre për vete një prift besnik që do të bëjë ç'kam në zemër e në shpirt. Atij do t'i ndërtoj një shtëpi të qëndrueshme dhe ai do të shërbejë gjatë gjithë jetës në prani të të vajosurit tim. 36E, kush të mbetet prej familjes sate do t'i përgjërohet për një kacidhe argjendi apo për një fetë buke e do t'i thotë: “Më lejo, të lutem, të shërbej si prift që të kem një kafshatë bukë!”».

Currently Selected:

1 Samuelit 2: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy