Ura për tek Esteri预览

Ester 8:11-16
Me anë të këtyre dokumenteve u jepej judenjve, në çfarëdo qyteti që të ndodheshin, e drejta të bashkoheshin dhe të mbronin jetën e tyre, duke shkatërruar, duke vrarë dhe duke shfarosur tërë njerëzit e armatosur të çfarëdo populli o krahine që t’i sulmonin, duke përfshirë fëmijët dhe gratë, dhe të plaçkisnin pasuritë e tyre,
në një ditë të vetme, në të gjitha krahinat e mbretit Asuero: ditën e trembëdhjetë të muajit të dymbëdhjetë, që është muaji i adarit.
Një kopje e dekretit, i shpallur si ligj në çdo krahinë, duhet të nxirrej për të gjithë popujt, me qëllim që judenjtë të ishin gati për atë ditë që të hakmerreshin kundër armiqve të tyre.
Kështu korrierët, të hipur mbi kuaj të shpejtë, u nisën të nxitur dhe të shtytur nga urdhri i mbretit; dhe dekreti u nxor në qytetin e Suzas.
Mardokeu doli nga prania e mbretit me një rrobë mbretërore të purpurt dhe prej liri të bardhë, me një kurorë të madhe prej ari dhe një mantel prej pëlhure liri në ngjyrë të kuqe flakë; në qytetin e Suzas dëgjoheshin britma gëzimi dhe ai ishte në festë.
Për judenjtë ishte dritë, gëzim, gaz dhe lavdi.
Supersticionet
Ka njerëz që besojnë se do të kenë një ditë pa fat, nëse shohin në rrugë një mace të zezë! Të tjerët refuzojnë të udhëtojnë më datën 13 të një muaji të caktuar, veçanërisht nëse qëllon të jetë ditë e premte. Të tjerët varin një zar te pasqyra brenda makinës së tyre, duke besuar që do t’i mbrojë nga aksidentet. Shumë njerëz shohin yllin e tyre të fatit përpara se të marrin një vendim. Të tjerët trokasin në dru, duke menduar që ky veprim do të bëjë që “fati i tyre i mirë” të mos ndryshojë. Të gjitha këto veprime janë supersticione.
A është marrëzi një sjellje e tillë? Budallallëk? Gjë e trishtuar? E çuditshme? Në këtë rast, që të katërta përgjigjet janë të sakta. Dhe ne duhet të shtojmë edhe një tjetër fjalë: mëkatare! Të qenët supersticioz është sjellje mëkatare, sepse është e kundërta e të besuarit që Perëndia është i gjithëpushtetshëm; është të vendosni besimin tuaj në diçka tjetër.
A ndodh diçka rastësisht në botë? Perëndia na tregon që Ai kujdeset për çdo krijesë, edhe për harabelat. Zakonisht ne nuk emocionohemi shumë në lidhje me harabelat. Por prapëseprapë, Ati kujdeset për secilin prej tyre, dhe asnjë prej tyre nuk do të lëndohet pa vullnetin e Tij. Nëse Ai është i vëmendshëm ndaj harabelave dhe kujdeset kaq mirë për ta, ne mund të jemi të sigurt që Ai kujdeset për mbretërit. Asnjë prej tyre nuk sundon pa vullnetin e Tij. Çdo ligj që është bërë, është ende nën kontrollin e Perëndisë. Çfarëdo që Perëndia ka vendosur të ndodhë të premten e datës trembëdhjetë, ajo do të ndodhë, madje edhe nëse shikoni pesë mace të zeza njëherësh!
Ka një ngushëllim të madh në faktin që Perëndia sundon mbi të gjitha gjërat. Kjo mund t’ju çlirojë nga frikëra të panevojshme, sepse Perëndia nuk është zemërftohtë dhe shpërfillës ndaj krijesave të Tij. Ai është Perëndia i mençur, i dashur dhe që kujdeset. Ai mund të lejojë njerëz si Hamani që të planifikojnë ditë të liga, për arsye që mbase jo gjithmonë do t’i dimë. Por besojini Atij; besoni që Perëndia do të bëjë që çfarëdolloj të këqijash që Ai ju dërgon në këtë luginë lotësh, të kthehen në dobinë tuaj dhe për lavdinë e emrit të Tij madhështor.
读经计划介绍

Në librin Ura për tek “Esteri”, duam që libri biblik i Esterit të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli është përpjekur autori ta sjellë mesazhin e këtij libri sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.
More