Ura për tek Esteri预览

Ester 9:1
Muajin e dymbëdhjetë, që është muaji i adarit, ditën e trembëdhjetë të muajit, kur duhet të zbatoheshin urdhri dhe dekreti i mbretit, dita në të cilën armiqtë e judenjve shpresonin të sundonin mbi ta, situata u përmbys krejt dhe judenjtë sunduan mbi armiqtë e tyre.
Tundimi
Po i afrohemi fundit të këtij libri. Ndryshime të mahnitshme kanë ndodhur në jetën e njerëzve të përfshirë: një vajzë jetime u bë mbretëresha e re e Persisë; judenjtë u përballën me një komplot për masakra të miratuar nga mbreti; Hamani papritur u përmbys ndërsa po arrinte majën e pushtetit; errësira që kishte zënë vend mbi judenjtë u largua nga një ligj i ri, i cili u dha atyre të drejtën të mbronin vetveten. Me të gjitha këto ngjarje, Perëndia po na kujton që tek Ai ka shpresë, sepse Ai mund të ndryshojë çdo situatë të vështirë.
Bashkë me këtë shpresë, vinte një tundim i madh, për shkak se ligji i ri thoshte që judenjtë lejoheshin “që të hakmerreshin kundër armiqve të tyre” (Est. 8:13). Të hakmerresh do të thotë të godasësh me zemërim dhe me urrejtje ata që të kanë lënduar. Ata madje lejoheshin që të vrisnin edhe gratë e fëmijët (8:11). Situatat ishin përmbysur tërësisht! Në fillim, armiqtë e judenjve u gëzuan, sepse atyre u ishte dhënë pushteti të bënin çfarë të dëshironin kundër judenjve të urryer dhe të pasur. Por tani, edhe judenjtë kishin marrë fuqi. Kjo ishte mundësia e tyre! Ata mund t’i kthenin goditjet pa hyrë në telashe, për aq kohë sa e bënin këtë gjë ditën e trembëdhjetë!
Ja me çfarë tundimi të madh po përballeshin tani judenjtë. A ju është dhënë ndonjëherë mundësia të qëlloni dikë që ju ka goditur, pa hyrë në telashe? Është një fëmijë në klasën tuaj, i cili ju ka lënduar rëndë. Nuk e keni harruar atë! Mbase keni qenë duke menduar për mënyra se si t’ia ktheni dhe jeni gati të përfitoni nga mundësia e parë që ju vjen në dorë. Por pritni …! A nuk tha Jezusi: “Duajini armiqtë tuaj, bekojini ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë e ju përndjekin” (Mt. 5:44)?
Pali përdori një ilustrim të ngjashëm në librin e Romakëve. Ai shkroi për grumbullimin e thëngjijve të ndezur mbi krye të armikut. Padyshim që kjo do të fitonte menjëherë vëmendjen e tij, ndërsa flokët i digjeshin dhe lëkura i përcëllohej! Por Pali nuk e kishte fjalën për të përdorur thëngjij të ndezur për hakmarrje apo për t’i trajtuar me ashpërsi; me thëngjij të ndezur ai nënkuptonte vepra mirësie! Për shembull, nëse e shikoni fëmijën më të keq të klasës duke u rrëzuar dhe duke u lënduar, duhet të ngriheni dhe ta ndihmoni. Ai do të ndihet jo rehat dhe i turpëruar, ndërsa ndjen prekjen e ngrohtë të dashurisë suaj.
Dashuria është një armë e fuqishme, e rrjedhimisht do ta fitojë betejën. Thëngjijtë e ndezur të urrejtjes dhe hakmarrjes nuk do t’ju ndihmojnë kurrë; vetëm do të ndezin zjarre të reja me më shumë urrejtje dhe hakmarrje. Cilin lloj “thëngjilli të ndezur” po mbani në duart tuaja?
读经计划介绍

Në librin Ura për tek “Esteri”, duam që libri biblik i Esterit të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli është përpjekur autori ta sjellë mesazhin e këtij libri sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.
More