Kampistët e MbretërisëShembull

Tundimi i Jezusit
(Lexoni me zë të lartë këtë pjesë së bashku me fëmijën tuaj. Ndaloni kur është e nevojshme për të shpjeguar fjalë të panjohura, ose për të bërë pyetje që e nxisin fëmijën të mendojë.)
Kur dëgjon fjalën “shkretëtirë”, çfarë të vjen ndër mend? A do të doje të bëje kamping atje? Çfarë vështirësish do të përballoje në një vend pa ujë, pa hije, pa ushqim?
Në kamp, ne kemi çadra, ushqime, lodra, madje edhe zgarë! Por Jezusi shkoi në një shkretëtirë të vërtetë – vetëm, pa ushqim, dhe qëndroi atje për 40 ditë.
Ai nuk ishte atje për të pushuar, por për të qenë më pranë Perëndisë. Jezusi agjëroi, që do të thotë se nuk hëngri asgjë, dhe u përqendrua vetëm në lutje dhe në dashurinë e Atit të Tij.
Por gjatë kësaj kohe, dikush u përpoq ta ndalonte Jezusin: Satani. Ai erdhi për ta tunduar.
Tundimi i parë: Uria
Pas 40 ditësh, Jezusi ishte shumë i uritur. Satani i tha: “Nëse je Biri i Perëndisë, ktheji këta gurë në bukë.”
Por Jezusi nuk ra në grackë. Ai tha: “Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë.”
Tundimi i dytë: Dyshimi
Pastaj Satani e çoi Jezusin në majë të tempullit dhe i tha: “Hidhu! Nëse Perëndia të do, Ai do të dërgojë engjëjt të të kapin.”
Por Jezusi iu përgjigj: “Është shkruar:‘Mos e vër në provë Zotin, Perëndinë tënd.’”
Tundimi i tretë: Lavdia pa Perëndinë
Në fund, Satani e çoi Jezusin në majë të një mali dhe i tha: “Të gjithë mbretëritë e botës do të jenë të tuat… mjafton të më adhurosh mua!”
Por Jezusi u përgjigj fort: “Shporru, Satan! Sepse është shkruar: ‘Adhuro Zotin, Perëndinë tënd, dhe shërbeji vetëm Atij!’”
Pas kësaj, Satani iku, dhe engjëjt e Perëndisë erdhën për ta ndihmuar Jezusin.
Mesazhi i ditës
Në një kamp mund të ndodhë të lodhemi, të kemi uri, ose të humbasim durimin. Po kështu ndodh edhe në jetë – kur jemi të lodhur ose të zemëruar, jemi më të ndjeshëm ndaj tundimeve.
Jezusi na tregoi se mund t’i rezistojmë tundimit, ashtu si Ai:
* Duke kujtuar Fjalën e Perëndisë
* Duke mos e provuar Perëndinë, por duke i besuar Atij
* Duke zgjedhur të adhurojmë vetëm Perëndinë
Pyetje për fëmijën
(Lexoni dhe diskutoni pyetjet më poshtë. Jepini fëmijës kohë të mendojë dhe ndihmojeni ta lidhë me përvojat e veta.)
* A ke ndjerë ndonjëherë tundim për të bërë diçka që e dije se ishte e gabuar?
* Si të ndihmon Fjalae Perëndisë kur përballesh me tundim?
* Si mendon se u ndje Jezusi në shkretëtirë?
Lutja e ditës🙏
(Lutuni së bashku me fëmijën tuaj. Mund ta lexoni me zë të lartë, duke e ndarë në pjesë dhe duke e lejuar fëmijën ta përsërisë pas jush. Ftoni fëmijën të mbyllë sytë dhe të përqendrohet te Perëndia.)
“Zot, faleminderit që Jezusi qëndroi i fortë ndaj tundimit.
Më ndihmo edhe mua të të dëgjoj Ty dhe të bëj gjithmonë gjënë e drejtë.
Më jep forcë të them ‘jo’ kur tundimi duket shumë i fortë.
Faleminderit për Fjalën Tënde që më udhëzon.
Amen.”
Aktivitet zbavitës
Biseda rreth zjarrit – Të ndajmë tundimet tona
Uluni në rreth, si rreth një “zjarri kampi”, dhe fto fëmijën të ndajë raste kur është tunduar – dhe si e përballoi tundimin. Flisni për mënyra si mund t’i kujtojni vetes Fjalën e Perëndisë në ato momente.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

A ke menduar ndonjëherë si do ishte një kamp me Jezusin? Në këtë plan të shkurtër, ti dhe fëmija yt do të udhëtoni përmes momenteve të para të jetës së Tij – që nga tempulli, te takimi me Gjonin, pagëzimi dhe tundimi në shkretëtirë. Me tregime të thjeshta, lutje të përzemërta dhe lojëra argëtuese, fëmija yt do të mësojë si të ndjekë Perëndinë me bindje, guxim dhe dashuri.
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al/en









