Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Kampistët e MbretërisëShembull

Kampistët e Mbretërisë

DITA 2 NGA 4

Gjoni – Duke Përgatitur Rrugën për Mbretin

(Lexoni me zë të lartë këtë pjesë së bashku me fëmijën tuaj. Ndaloni kur është e nevojshme për të shpjeguar fjalë të panjohura, ose për të bërë pyetje që e nxisin fëmijën të mendojë.)

A ke qenë ndonjëherë në një udhëtim ku rruga ka qenë me gropa, me gurë apo shumë e vështirë për të kaluar? Çfarë ndodh kur rruga nuk është e përgatitur mirë?

Dikur, kur mbretërit udhëtonin, ata dërgonin njerëz përpara për të pastruar dhe rregulluar rrugën – për ta bërë sa më të sigurt dhe të lehtë udhëtimin për Mbretin.

Në Biblën tonë, sot do të mësojmë për një njeri shumë të veçantë, Gjon Pagëzori. Ai nuk përgatiti një rrugë me lopatë dhe mjet pune… por përgatiti zemrat e njerëzve për Mbretin më të madh –Jezusin!

Gjoni Pagëzori jetonte në shkretëtirë, vishej me rroba prej leshi deveje dhe ushqehej me karkaleca dhe mjaltë. Ai nuk dukej si të gjithë të tjerët – por kishte një mesazh shumë të rëndësishëm: “Pendohuni, sepse Mbretëria e Perëndisë është afër!”

Shumë njerëz shkuan për ta dëgjuar. Ata filluan të kuptonin se kishin mëkate, i rrëfenin dhe Gjoni i pagëzonte në lumin Jordan. Ai u thoshte se dikush shumë më i madh po vinte pas tij… Dhe ai ishte Jezusi!

Gjoni predikonte në shkretëtirë – dhe kjo kishte kuptim! Zemrat e njerëzve ishin si shkretëtira: të thata, bosh, pa jetë shpirtërore. Ata kishin nevojë që dikush t’i zgjonte – dhe Gjoni këtë bëri!

Edhe ne mund ta përgatisim zemrën tonë për Jezusin. Si?

– Duke pranuar kur gabojmë.
– Duke kërkuar falje.
– Duke zgjedhur të ndjekim Perëndinë dhe të largohemi nga mëkati.

Jezusi nuk kërkon që të jemi perfektë – Ai na do dhe na fton të vijmë tek Ai ashtu si jemi.

Mesazhi i ditës

Ashtu si Gjoni përgatiti njerëzit për ardhjen e Jezusit, edhe ne mund të përgatitemi çdo ditë për ta ndjekur Atë.

Zemrat tona janë si një rrugë për Jezusin – le t’i pastrojmë nga krenaria dhe mëkati, dhe t’i mbushim me pendim dhe dashuri.

Pyetje për fëmijën

(Lexoni dhe diskutoni pyetjet më poshtë. Jepini fëmijës kohë të mendojë dhe ndihmojeni ta lidhë me përvojat e veta.)

* Si mendon se ndihej Gjoni duke folur për Jezusin në shkretëtirë?
* A ke pasur ndonjëherë një moment ku e ndjeve se doje të kërkoje falje për diçka?
* Çfarë do të thotë për ty të përgatitësh zemrën për Jezusin?

Lutja e ditës🙏

(Lutuni së bashku me fëmijën tuaj. Mund ta lexoni me zë të lartë, duke e ndarë në pjesë dhe duke e lejuar fëmijën ta përsërisë pas jush. Ftoni fëmijën të mbyllë sytë dhe të përqendrohet te Perëndia.)

“Zot, faleminderit që dërgove Gjonin për të përgatitur rrugën për Jezusin.
Më ndihmo ta përgatis edhe unë zemrën time për Ty.
Më mëso të pendohem dhe të zgjedh çdo ditë të ndjek Jezusin.
Amen.”

Aktivitet zbavitës

(Luajeni lojën bashkë me fëmijën tuaj. Kjo nuk është vetëm një lojë fizike – është edhe një mundësi për të reflektuar dhe për t’u zbavitur së bashku!)

“Bregu i Lumit”

Loja e ditës na kujton pagëzimin në lumin Jordan.

1. Përdorni një vijë në dysheme (me shirit letre).
2. Njëra anë është “BREGU”, tjetra “LUMI”.
3. Komandat që lideri thotë:

“Lumi!” → fëmija kërcen në anën e lumit.

“Bregu!” → kërcen në breg.

“Breglumi!” → një këmbë në breg, një në lumë!

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Kampistët e Mbretërisë

A ke menduar ndonjëherë si do ishte një kamp me Jezusin? Në këtë plan të shkurtër, ti dhe fëmija yt do të udhëtoni përmes momenteve të para të jetës së Tij – që nga tempulli, te takimi me Gjonin, pagëzimi dhe tundimi në shkretëtirë. Me tregime të thjeshta, lutje të përzemërta dhe lojëra argëtuese, fëmija yt do të mësojë si të ndjekë Perëndinë me bindje, guxim dhe dashuri.

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al/en