Mrekullitë e JezusitShembull

Jezusi ecën mbi ujë
(Lexoni me zë të lartë këtë pjesë së bashku me fëmijën tuaj. Ndaloni kur është e nevojshme për të shpjeguar fjalë të panjohura, ose për të bërë pyetje që e nxisin fëmijën të mendojë.)
A di të notosh? Si noton më mirë: me shpinë, me stomak, apo duke lëvizur këmbët si bretkosë? Po sikur të të them se në Bibël është dikush që ecën mbi ujë pa u lagur fare? E pabesueshme, apo jo?
Pas një dite të gjatë duke mësuar turma të mëdha njerëzish, Jezusi donte të kalonte pak kohë vetëm për t’u lutur. Ai i tha dishepujve të hipnin në barkë dhe të kalonin në anën tjetër të liqenit, ndërsa Ai u ngjit në mal për të qenë vetëm me Perëndinë.
Gjatë natës, dishepujt ishin ende në mes të liqenit. Valët ishin të forta dhe era frynte fort. Ata po lodheshin shumë duke vozitur dhe nuk po arrinin dot në breg.
Në errësirë, Jezusi filloi të ecte mbi ujë drejt tyre. Po, Ai nuk notoi, nuk përdori varkë – thjesht eci mbi dallgë sikur të ishte mbi tokë!
Kur dishepujt e panë, u frikësuan shumë. Ata nuk e kuptuan që ishte Jezusi – menduan se ishte një fantazmë dhe filluan të bërtasin!
Por Jezusi tha me qetësi: “Jam unë. Mos kini frikë.”
Pjetri, një nga dishepujt më të guximshëm, i tha: “Zot, nëse je Ti, më thuaj të vij tek Ty mbi ujë.”
Jezusi iu përgjigj thjesht: “Eja.”
Pjetri zbriti nga barka dhe – çuditërisht – filloi të ecë mbi ujë! Por sapo nisi të shikonte erën dhe dallgët përreth, e harroi Jezusin. Filloi të frikësohej... dhe filloi të fundosej!
Pjetri bërtiti: “Zot, më shpëto!”
Jezusi menjëherë e kapi për dore dhe e shpëtoi. Ai i tha: “Pse dyshove? Ku është besimi yt?”
Pasi u kthyen në barkë, era pushoi dhe stuhia ndaloi. Të gjithë dishepujt e adhuruan Jezusin dhe kuptuan sa i fuqishëm ishte Ai.
Mesazhi i ditës
Pjetri bëri një gjë të jashtëzakonshme – ai eci mbi ujë, por vetëm kur e mbante shikimin te Jezusi. Sa e hoqi vështrimin prej Tij dhe u fokusua te frika, filloi të fundosej.
Edhe ne ndonjëherë përballemi me “dallgë” – ndoshta ndonjë problem në shkollë, ndonjë ndjenjë vetmie, apo diçka që na tremb. Por nëse mbajmë sytë te Jezusi, Ai do të jetë gjithmonë aty për të na mbajtur fort.
Pyetje për diskutim
(Lexoni dhe diskutoni pyetjet më poshtë. Jepini fëmijës kohë të mendojë dhe ndihmojeni ta lidhë me përvojat e veta.)
- Çfarë mendon se ndodhi kur Pjetri hoqi sytë nga Jezusi?
- A ke pasur ndonjëherë një moment ku ke ndjerë frikë?
- Çfarë mund të bësh që të mbash sytë te Jezusi në ato momente?
Lutja e ditës 🙏
(Lutuni së bashku me fëmijën tuaj. Mund ta lexoni me zë të lartë, duke e ndarë në pjesë dhe duke e lejuar fëmijën ta përsërisë pas jush. Ftoni fëmijën të mbyllë sytë dhe të përqendrohet te Perëndia.)
“Perëndi, më ndihmo që të mos i heq sytë nga Ti, edhe kur valët e jetës janë të larta dhe më frikësojnë. Më mëso të besoj, si Pjetri, dhe kur të kem frikë, më kap për dore dhe më qetëso. Në emër të Jezusit lutem, Amen!”
Aktivitet zbavitës
(Luajeni lojën bashkë me fëmijën tuaj. Kjo nuk është vetëm një lojë fizike – është edhe një mundësi për të reflektuar dhe për t’u zbavitur së bashku!)
Materialet:
- Një figurë e Jezusit (e vizatuar ose printuar, ngjitur në mur)
- Një tas ose kovë bosh (nën figurë)
- Një lugë (mundësisht plastike ose druri)
- Një vezë plastike ose një top i vogël (si ai i pingpongut)
Si luhet:
- Ngjisni figurën e Jezusit në mur dhe vendosni tasin poshtë saj.
- Prindi i jep fëmijës lugën, me vezën ose topin e vogël sipër.
- Fëmija e mban lugën në dorë ose në gojë (si të preferohet) dhe ecën ngadalë drejt kovës.
- Prindi i thotë: “Mbaji sytë te Jezusi gjatë gjithë kohës! Nëse i heq sytë, ndalesh dhe kthehesh nga fillimi.”
- Fëmija përpiqet të hedhë vezën/topin në tas pa e rrëzuar dhe pa e humbur fokusin.
- Përsëriteni disa herë, ose vendosni një sfidë me kohë.
Faleminderit që ecët bashkë përmes këtyre mrekullive të Jezusit! Shpresojmë që fëmija juaj jo vetëm t’i ketë dashur këto histori, por edhe të ketë mësuar më shumë për besimin, guximin dhe dashurinë e Jezusit. Mbajeni zakonin e leximit bashkë. Edhe pak minuta në ditë mund të mbjellin besim të madh në zemrën e një fëmije. 💛
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

A e ke parë ndonjëherë fëmijën tënd të habitet kur dëgjon për ndonjë mrekulli? Imagjino ta shihni bashkë se si Jezusi kthen ujin në verë, qetëson një stuhi, apo ecën mbi ujë. Në këtë plan leximi, ti dhe fëmija yt do të zbuloni mrekullitë e Jezusit në mënyrë të thjeshtë dhe të bukur – me histori të shkurtra, biseda të lehta, lutje të sinqerta dhe lojëra argëtuese. Është një kohë e veçantë për të ndarë besimin, për të bërë pyetje, dhe për ta njohur më shumë Atë që bën të pamundurën të mundur.
More
Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al/en









