Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mrekullitë e JezusitShembull

Mrekullitë e Jezusit

DITA 3 NGA 4

Paqe në akuarium (Jezusi qetëson stuhinë)

(Lexoni me zë të lartë këtë pjesë së bashku me fëmijën tuaj. Ndaloni kur është e nevojshme për të shpjeguar fjalë të panjohura, ose për të bërë pyetje që e nxisin fëmijën të mendojë.)

Si është uji brenda një akuariumi? Uji është i qetë, peshqit notojnë ngadalë, dhe gjithçka duket në paqe. Por nëse dikush e shkund akuariumin, çdo gjë ndryshon – uji turbullohet, flluskat ngrihen dhe peshqit hutohen.

Kështu ndodhi edhe me dishepujt e Jezusit… por jo në një akuarium – në një det të vërtetë!

Një ditë, pasi Jezusi kishte folur për orë të tëra para shumë njerëzve, Ai dhe dishepujt e Tij u nisën me varkë për të kaluar përtej detit të Galilesë. Jezusi ishte shumë i lodhur, ndaj u shtri në varkë dhe ra në gjumë.

Fillimisht, uji ishte i qetë. Dishepujt – disa prej tyre peshkatarë me përvojë – nuk shqetësoheshin fare. Por papritur, gjithçka ndryshoi!

Një stuhi e madhe nisi. Era frynte fort, dallgët godisnin varkën, dhe uji po e mbushte anijen. Dishepujt filluan të frikësoheshin shumë. Ata mendonin se do të mbyteshin!

Por Jezusi… po flinte! Po, Ai ishte ende duke fjetur në mes të stuhisë.

Dishepujt e zgjuan të shqetësuar dhe i thanë: “Mësues, po mbytemi!”

Jezusi u ngrit, pa stuhinë dhe tha: “Pusho! Qetësohu!”
Dhe menjëherë, era ndaloi, dallgët u qetësuan, dhe gjithçka u kthye në paqe.

Jezusi i pyeti: “Pse keni frikë? Ku është besimi juaj?”

Dishepujt u mahnitën. Ata u thanë njëri-tjetrit: “Kush është ky që edhe era dhe uji i binden?”

Mesazhi i ditës

Ne gjithashtu përjetojmë “stuhi” në jetën tonë – jo me ujë dhe anije, por ndoshta kur jemi të sëmurë, kur kemi probleme në familje, ose kur kemi frikë. Jezusi nuk na ka premtuar që nuk do të kemi stuhi, por na ka premtuar që do të jetë me ne në çdo stuhi.

Kur e marrim Jezusin me vete çdo ditë, si në një varkë, Ai mund të sjellë paqe në zemrat tona, edhe kur jeta është e trazuar.

4 gjëra që duhet të mbajmë mend:

1. Stuhitë nuk ndodhin sepse kemi bërë diçka keq
– Ndonjëherë, sfidat janë thjesht pjesë e jetës, jo një ndëshkim.

2. Stuhitë na mësojnë të besojmë
– Jezusi nuk u tremb, sepse Ai e dinte kush ishte dhe që ishte në kontroll. Edhe ne duhet të besojmë, jo të frikësohemi.

3. Perëndia na thërret të kapërcejmë frikën
– Kur zgjedhim besimin, frika nuk na kontrollon më.

4. Nuk jemi kurrë vetëm në stuhi
– Jezusi është gjithmonë pranë nesh, edhe kur nuk duket.

Pyetje për fëmijët

(Lexoni dhe diskutoni pyetjet më poshtë. Jepini fëmijës kohë të mendojë dhe ndihmojeni ta lidhë me përvojat e veta.)

- A ke përjetuar ndonjëherë “stuhi” në jetën tënde – si frikë apo një moment të vështirë?

- Çfarë mund të bësh kur ndihesh i frikësuar?

Lutja e ditës 🙏

(Lutuni së bashku me fëmijën tuaj. Mund ta lexoni me zë të lartë, duke e ndarë në pjesë dhe duke e lejuar fëmijën ta përsërisë pas jush. Ftoni fëmijën të mbyllë sytë dhe të përqendrohet te Perëndia.)

“Perëndi, ndonjëherë kam frikë kur gjërat duken keq. Por më kujto se Ti je në barkë me mua. Ti mund të qetësosh stuhinë, por edhe zemrën time. Më jep besim dhe paqe. Në emrin e Jezusit, Amen!”

Aktivitet zbavitës

(Luajeni lojën bashkë me fëmijën tuaj. Kjo nuk është vetëm një lojë fizike – është edhe një mundësi për të reflektuar dhe për t’u zbavitur së bashku!)

Si luhet:

  • Prindi luan muzikë dhe fëmija kërcen si një dallgë – me lëvizje të mëdha dhe të çrregullta.
  • Kur muzika ndalon papritur, fëmija duhet të ngrijësi statujë – i qetë, si një akuarium pa stuhi!

Rreth këtij plani

Mrekullitë e Jezusit

A e ke parë ndonjëherë fëmijën tënd të habitet kur dëgjon për ndonjë mrekulli? Imagjino ta shihni bashkë se si Jezusi kthen ujin në verë, qetëson një stuhi, apo ecën mbi ujë. Në këtë plan leximi, ti dhe fëmija yt do të zbuloni mrekullitë e Jezusit në mënyrë të thjeshtë dhe të bukur – me histori të shkurtra, biseda të lehta, lutje të sinqerta dhe lojëra argëtuese. Është një kohë e veçantë për të ndarë besimin, për të bërë pyetje, dhe për ta njohur më shumë Atë që bën të pamundurën të mundur.

More

Dëshirojmë të falënderojmë ICF Tirana për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: www.icf.al/en