Ura për te MarkuShembull

Gatishmëria e Jezusit për të vuajtur dhe për të vdekur
Zoti Jezus foli në mënyrë të vazhdueshme për faktin që Ai do të vdiste në Jerusalem. Asgjë nuk u dukej më tronditëse dishepujve të Tij. Ata nuk e kuptonin se përse duhej të ndodhte kjo. Ndërkohë, ata e vinin re që kjo gjë nuk e frikësonte Mësuesin e tyre. Ai ecte përpara tyre. Dishepujt ishin të habitur dhe të frikësuar.
Po ju, a jeni të habitur pse Jezusi duhej të vdiste? Ju mbase e dini që kjo ka të bëjë me mëkatin. Nuk ka dyshim që keni dëgjuar që Jezusi vdiq për mëkatarët! Pse nuk mund të vdiste Jezusi si pjesa më e madhe e njerëzve? Pse nuk vdiq në një shtrat, në një moshë të thyer, rrethuar nga miqtë e Tij? Pse një vdekje kaq mizore me njerëz që po e lëndonin në mënyrë të tmerrshme? Përse e lejoi këtë Ati i Tij?
E gjitha ka të bëjë me mëkatin. Mëkati është një çnderim serioz ndaj Perëndisë, gjë që meriton një ndëshkim të rëndë. Nëse do të vidhja një çantë me ëmbëlsira, nuk do të kisha nevojë të shkoja në burg si ndëshkim. Por, nëse do të rrëmbeja një fëmijë, ndëshkimi im do të ishte shumë më i rëndë. Kjo është arsyeja përse vuajtjet e Jezusi ishin kaq të rënda. Mëkati është një ligësi e tmerrshme, sepse bëhet kundër Perëndisë, i Cili është i përsosur. Asnjëherë mos e merrni lehtë mëkatin. Vuajtjet e Zotit Jezus na tregojnë se sa i tmerrshëm është mëkati në sytë e Perëndisë.
Sërish, Zoti Jezus nuk hezitoi të shkonte në Jerusalem, ku Ai do të vritej. Ai nuk qëndroi në Galile për të shmangur kryqin. Kur e dini që do të ndëshkoheni, mbase qëndroni të fshehur. Por Zoti Jezus nuk e bëri këtë. Ai shkoi me vullnetin e Tij në Jerusalem. Çfarë e bëri Atë kaq të gatshëm? Dëshira që kishte për ta kënaqur Atin e Tij. Ai gjithashtu dëshironte ta shpëtonte popullin e Tij nga fajet e tyre. Sa shumë dashuri ka Zoti Jezus për popullin e Tij! Ai erdhi në këtë tokë për të vuajtur dhe për të vdekur për ta.
Mendoni për dashurinë dhe sakrificën e Tij. Pse i deshi Perëndia njerëzit mëkatarë? Pse e dërgoi Birin e Tij të vetëmlindur, në mënyrë që t’i shpëtonte mëkatarët? Pse qe Jezusi i gatshëm të sakrifikonte Veten për njerëz si dishepujt e Tij? Askush nuk mund ta shpjegojë. Ne jemi të thirrur ta besojmë dhe ta lavdërojmë Atë për këtë gjë! Kur lexoni për gatishmërinë e Jezusit për të vuajtur dhe vdekur, a bëni pyetjen: “A vdiq Ai edhe për mua?”. Kjo është një pyetje e mirë dhe e nevojshme, por ka pyetje të tjera që duhet t’i bëni para kësaj: “Përse kam nevojë për Të si Shpëtimtar? Si mund të sigurohem që edhe unë jam i mirëpritur të shkoj dhe t’i besoj Atij?”.
Atyre pyetjeve u është dhënë përgjigje vazhdimisht në këtë libër të Markut. Ju keni nevojë për Të, sepse nuk mund ta shpëtoni veten nga faji dhe mëkati që keni në zemër! Dhe po, jeni të mirëpritur t’i çoni nevojat tuaja te Zoti Jezus, ashtu siç u mirëpritën dhe u ndihmuan prej Tij të gjithë njerëzit që shkuan tek Ai kur Ai ishte në tokë. Dhe, ndërsa e pret Atë, Ai do t’i përgjigjet edhe pyetjes së parë: “A vdiq Ai edhe për mua?”.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

Në librin Ura për te Marku, autori do që Ungjilli sipas Markut të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli, është përpjekur ta sjellë mesazhin e këtij Ungjilli sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.
More
Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al