Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ura për te MarkuShembull

Ura për te Marku

DITA 67 NGA 99

Çfarë Mbreti

Normalisht mbretërit vijnë me makina të mëdha ose me avionë të shtrenjtë! Në kohërat e Biblës, mbretërit vinin mbi kuaj të fortë e të përzgjedhur. Por, kur Jezusi erdhi në Jerusalem, Ai zgjodhi të vinte mbi një kërriç të njomë. Gomari ishte një kafshë e paqes, ndërsa kali përdorej në betejë. Duke zgjedhur një gomar, Jezusi dha mesazhin që Ai erdhi të sillte paqe.

Njerëzit ishin të gëzuar, sepse mendonin që Ai erdhi për të luftuar si një mbret tokësor. Me gëzim, ata e shtruan rrugën për Të me rrobat e tyre dhe me degë palme, ndërsa këndonin një pjesë të një psalmi në Dhiatën e Vjetër: psalmin e javës së Pashkës (Psa. 118:26). Zoti Jezus u ul qetësisht mbi gomarin e Tij. Cilat ishin mendimet e Tij ndërsa ecte hipur mbi gomar përmes kësaj parade të zhurmshme?

Në vend që të ishte i gëzuar siç ishin njerëzit, zemra e Jezusit ishte e mbushur me trishtim. Luka shkroi që gjatë rrugës, Ai u përlot. Pse nuk ishte i lumtur Ai? Nuk ishte sepse Ai e dinte se çfarë mbreti dëshironin në të vërtetë këta njerëz. Ata dëshironin një mbret që do ta bënte vendin e tyre të fuqishëm dhe do t’i çlironte nga sunduesit romakë. Por Ai nuk ishte një Mbret i tillë. Ndërsa Ai i pa gjithë këta njerëz duke shtruar rrobat e tyre, duke valëvitur degë palme, duke kënduar dhe duke hedhur valle me gëzim, Ai mendoi për të ardhmen e afërt. Pas pak vitesh, i tërë qyteti do të shkatërrohej dhe pjesa më e madhe e këtyre njerëzve do të vdisnin, sepse ata e kishin refuzuar Atë si Mbretin e tyre.

Çfarë lloj Mbreti është Zoti Jezus, atëherë? Ai erdhi për të vendosur Mbretërinë e Tij të lavdishme në zemrat e njerëzve! Ndërsa zemrat do të ndryshonin, njerëzit do ta donin Atë dhe do t’i shërbenin njëri-tjetrit, ata do të bëheshin pjesë e një Mbretërie mbarëbotërore, që e quajmë “Kisha e Tij”. Mbretëria e Jezusit nuk është një mbretëri me pallate të bukura dhe ushtri të mëdha, por një Mbretëri njerëzish – me zemra të dashura të përulura – që i shërbejnë Perëndisë dhe njerëzve.

Fatkeqësisht, Kisha e Perëndisë nuk i shërben Atij në mënyrë të përsosur në këtë tokë. Nëse të gjithë fëmijët e Perëndisë do t’i ndiqnin hapat e Jezusit, sa e lavdishme do të ishte një Mbretëri e tillë! Një ditë kjo gjë do të ndodhë. Zoti ka premtuar të bëjë një qiell të ri dhe një dhe të ri. Perëndia do të jetë Mbret dhe njerëzit do t’i shërbejnë Atij dhe njëri-tjetrit me dashuri të shenjtë e plot ngazëllim!

Shkrimet e Shenjta

Rreth këtij plani

Ura për te Marku

Në librin Ura për te Marku, autori do që Ungjilli sipas Markut të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli, është përpjekur ta sjellë mesazhin e këtij Ungjilli sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.

More

Dëshirojmë të falënderojmë Nga Burimi i Jetës (ZGG-ALBANIA) për ofrimin e këtij plani. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://www.ngaburimiijetes.al