Solid Joys ShqipShembull

Dy mënyra për ta kujtuar Jezusin
“Kujto Jezu Krishtin, prej farës së Davidit, të ringjallur prej së vdekurish, sipas ungjillit tim.” (2 e Timoteut 2:8)
Pali përmend dy mënyra specifike për ta kujtuar Jezusin: Kujtoje Atë si Ai që u ringjall prej së vdekurish dhe kujtoje Atë si pasardhësin e Davidit. Pse t’i kujtojmë këto dy gjëra për Jezusin?
Sepse, nëse Ai është ringjallur prej së vdekurish, Ai është i gjallë dhe triumfues mbi vdekjen—përfshirë këtu edhe mbi vdekjen tonë! “Por në qoftë se Fryma i atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish... do t’u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të Frymës së tij që banon në ju” (Romakëve 8:11).
Kjo do të thotë se nuk ka rëndësi se sa serioze bëhet vuajtja, sepse pasoja më e rëndë që mund të shkaktojë këtu në tokë, është vdekja jote. Jezusi ia ka hequr gjembin vdekjes, armikut tonë. Ai është i gjallë! Edhe ti do të jesh i gjallë. “Dhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin” (Mateu 10:28).
Për më tepër, ringjallja e Jezusit nuk ishte një ringjallje e rastësishme, por vetë ringjallja e birit të Davidit. “Kujto Jezu Krishtin, prej farës së Davidit, të ringjallur prej së vdekurish.” Pse e thotë Pali këtë?
Sepse çdo jude, e dinte çfarë do të thoshte kjo. Kjo do të thoshte se Jezusi është Mesia (Gjoni 7:42). Gjithashtu do të thoshte se kjo ringjallje, ishte ringjallja e një Mbreti të përjetshëm. Dëgjo fjalët që engjëlli i tha Marisë, nënës së Jezusit:
“Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë dhe do t’ia vësh emrin Jezus. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Më të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij; dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur.” (Luka 1:31-33).
Prandaj, kujto Jezusin, Atë të cilit i shërben dhe Atë për të cilin vuan. Ai jo vetëm që është i gjallë prej së vdekurish, por Ai është i gjallë si një Mbret që do të mbretërojë përjetë—mbretëria e Tij nuk do të ketë të sosur. Pavarësisht se çfarë të bëjnë njerëzit, mos ki frikë. Ti do të jetosh sërish dhe do të mbretërosh bashkë me Të.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione