Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 88 NGA 366


Kur të gjithë të braktisin

“Në mbrojtjen time të parë, asnjeri nuk më përkrahu, por të gjithë më braktisën; kjo mos iu numëroftë për faj! Por Zoti qëndroi me mua dhe më forcoi, që përmes meje predikimi të kryhej plotësisht dhe të dëgjonin të gjitha kombet pagane. Kështu u shpëtova nga goja e luanit. Zoti do të më çlirojë nga çdo vepër e ligë dhe do të më shpëtojë për të më çuar në mbretërinë e tij qiellore. Lavdi atij në shekuj të shekujve. Amen.” (2 e Timoteut 4:16-18, Së Bashku)

Sot në mëngjes, po qëndroja gjatë në këto fjalë madhështore, që të thyejnë zemrën. Pali ishte i burgosur në Romë. Me aq sa dimë, ai nuk u lirua kurrë. Ja si përfundon letra e tij e fundit.

Mendo dhe mahnitu!

Pali është braktisur: “Asnjeri nuk më përkrahu.” Tashmë është plak. Pali është një shërbëtor besnik. Tani është në një qytet të huaj, larg shtëpisë së tij. Është i rrethuar nga armiqtë dhe në rrezik për vdekje. Pse? Përgjigjja: Që të kishte mundësi të shkruante këtë fjali të çmuar për shpirtrat tanë të dekurajuar, të frikësuar dhe të vetmuar: “Por Zoti qëndroi me mua!”

Oh, sa i dua ato fjalë! A i ankohesh Perëndisë kur të braktisin miqtë e ngushtë? Mos vallë njerëzit që ke përreth, janë vërtet perëndi për ty? Apo gjen guxim në këtë të vërtetë madhështore: “Unë jam me ju gjithë ditët” (Mateu 28:20)—pavarësisht se kush të braktis? A i jep forcë zemrës me këtë betim të pamposhtur: “Nuk do të të lë, as nuk do të të braktis” (Hebrenjve 13:5)?

Atëherë le të themi: “Zoti qëndroi me mua!”

Pyetja: Cili ishte rreziku i mundshëm te 2 e Timoteut 4:18? Përgjigjja: Që Pali të mos arrinte në mbretërinë qiellore! Përballë këtij kërcënimi, Pali thërret: “Zoti do të...më shpëtojë për të më çuar në mbretërinë e tij qiellore.”

Pyetja: Si po kërcënohej arritja e Palit në mbretërinë qiellore? Përgjigjja: “veprat e liga”. “Zoti do të më çlirojë nga çdo vepër e ligë dhe do të më shpëtojë për të më çuar në mbretërinë e tij qiellore.”

Pyetja: Si mund ta kërcënojë një vepër e ligë arritjen e Palit në mbretërinë qiellore? Përgjigjja: duke e tunduar që të braktisë besnikërinë e tij ndaj Krishtit përmes mosbindjes.

Pyetja: A ishte ky tundim “goja e luanit”, nga e cila Pal iu shpëtua? Përgjigjja: Po. “Kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë. Atij kundërshtojini, të patundur në besim” (1 e Pjetrit 5:8-9).

Pyetja: Pra, kush e merr lavdinë që Pali nuk iu dorëzua këtij tundimi satanik, por duroi deri në fund me besim dhe bindje? Përgjigjja: “Atij [Zotit] i qoftë lavdia dhe pushteti në jetë të jetëve” (1 Pjetrit 5:11). “Lavdi atij në shekuij të shekujve. Amen” (2 Timoteut 4:18).

Pyetja: Pse? A nuk ishte Pali, ai që qëndroi i patundur? Përgjigjja:“Zoti qëndroi me mua dhe më forcoi!”

Shkrimet e Shenjta

Dita 87Dita 89

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​