Solid Joys ShqipShembull

Si të kërkosh falje
Ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet. (1 e Gjonit 1:9)
Më kujtohet teksa po dëgjoja një nga profesorët e mi në orën e seminarit teologjik të thoshte se një nga provat e mira për teologjinë e një personi ishte efekti, që ajo ka në lutjet tona.
Për shkak të asaj që po kaloja, kjo më tingëlloi si e vërtetë. Sapo isha martuar me Noël dhe po e bënim zakon të luteshim bashkë çdo mbrëmje. Vura re që gjatë kurseve biblike, ku teologjia ime po merrte formë gjithnjë e më shumë, lutjet e mia po ndryshonin në mënyrë dramatike gjithashtu.
Ndoshta ndryshimi më domethënës gjatë atyre ditëve ishte që unë po mësoja t’i përgjërohesha Perëndisë mbi bazën e lavdisë së Tij. Filloja me: “U shenjtëroftë emri Yt” dhe përfundoja me: “Në emër të Jezusit.” Kjo do të thoshte se lavdia e emrit të Perëndisë ishte synimi dhe baza e gjithçkaje, për të cilën lutesha.
Çfarë fuqie erdhi në jetën time kur mësova se lutja për falje duhet të bazohet jo vetëm mbi përgjërimin drejtuar Perëndisë për mëshirë, por edhe për drejtësinë e Tij, kur konsideron vlerën e bindjes së Birit të tij! Perëndia është besnik dhe i drejtë, dhe do t’i falë mëkatet tuaja (1 e Gjonit 1:9).
Në Dhiatën e Re, baza e gjithë faljes për mëkatet zbulohet edhe më qartë nga sa ishte zbuluar në Dhiatën e Vjetër, por baza, pra, përkushtimi që Perëndia ka ndaj emrit të Tij, nuk ndryshon.
Pali na mëson se vdekja e Krishtit demonstron drejtësinë e Perëndisë në faljen e mëkateve, dhe lartëson drejtësinë e Perëndisë kur drejtëson të pabesët, që mbështeten në Jezusin dhe jo në veten e tyre (Romakëve 3:25-26).
Me fjalë të tjera, Krishti vdiq një herë e përgjithmonë për ta lartësuar emrin e Perëndisë në atë që duket si një shkelje e rëndë e drejtësisë—shfajësimi i mëkatarëve fajtorë thjesht për hir të Jezusit. Por Jezusi vdiq në atë mënyrë që falja “për hir të Jezusit” të jetë e njëjtë si falja “për hir të emrit të Perëndisë”. Nuk ka asnjë shkelje të drejtësisë. Emri i Perëndisë, e drejta dhe drejtësia e Tij janë lartësuar në vetë veprën e sigurimit të një flijimi të tillë, që e nderon Perëndinë.
Siç tha edhe Jezusi kur u përball me orën e fundit: “Tani shpirti im është i tronditur dhe çfarë të them: O Atë, më shpëto nga kjo orë? Por për këtë erdha në këtë orë. O Atë, përlëvdo emrin tënd!” (Gjoni 12:27-28). Kjo është pikërisht ajo që Ai bëri —që të mund të ishte i drejtë dhe drejtësues i atij që beson në Jezusin (Romakëve 3:26).
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione