Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 69:16-36

Psalmet 69:16-36 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)

Ndëgjo-më, o Zot, se përdëllimi ytasht i mirë; mbas shumë të dhimptunavet tua, shtier sytë mbi mue. Edhe mos këthe mbënjanë faqenë tande prei shërbëtorit t’yt, se jam shtrënguem; ndëgjo-më shpeit. Avitu te shpirti em, edhe shpërble ate, për punët të anëmiqvet mi shpëto-më. Ti ngjef shpërnderiminë t’em, edhe marrëjenë t’eme, edhe turpëjenë t’eme, gjith’ ata qi më shtrëngojënë janë përpara teje. Shpërnderimi më theu zemrënë, edhe jam i mierë; prita ndonji të anëkojë bashkë me mue, por s’qe, edhe ngushullimtarë, por s’gjeta. Edhe më dhanë t’ambëlth për të ngranë, edhe më dhanë të pij uthëllë ndë etëjet t’eme. Truveza e atyneve u baftë përpara atyne për kurth, e për shpagim, e për lak. U errësofshinë syt’ e atyne, qi të mos shofinë, edhe kurrus kurrizin’ e atyne për kur-do. Derth mëninë tande mbi ata, edhe i zantë zemërim’ i mënisë s’ate. U shkretoftë vendi i të ndenjunit atyne; edhe mos pastë kush me ndenjunë ndë tendat t’atyne. Sepse ata ndoqnë atë qi kodite ti, edhe flasinë për të dhimbunat e atyne qi varrove. Shto pa-udhëni mbi pa-udhënin’ e atyne, edhe mos hyfshinë ndë dreitëni tande. U shofshinë prei librit të gjallëvet, edhe mos u shkrofshinë bashkë me të dreitët. Por unë jam i vobek edhe i idhënuem, shpëtimi yt më mbërriftë, o Perëndi. Kam me lavduruem emënin’ e Perëndisë me kankë, edhe kam me e madhënuem me lavdurim. Edhe ka me i pëlqyem Zotit, ma tepërë se viç i ri, qi ka bri e thundra. Të butëtë kanë me pamë, edhe kanë me u gëzuem, edhe zemëra juei qi kërkoni Perëndinë, ka me rruem. Sepse Zoti ka me gjegjunë të vobegëtë, edhe nukë heth poshtë të lidhunit’ e vet. Le të lavdurojën’ atë qillt’ edhe dheu, detënat’ e gjith’ ato qi livisinë nd’atë. Se Perëndia ka me shpëtuem Sionënë, edhe ka me ndërtuem qytetet’ e Iudësë, edhe kanë me ndenjun’ atie, edhe kanë me trashiguem atë. Edhe fara e shërbëtorëvet ati kanë me trashiguem atë, edhe ata qi duen’ emënin’ e ati kanë me ndenjunë nd’atë.

Psalmet 69:16-36 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Mos më rrëmbeftë rrjedha e ujërave, thellësia e humnerës mos më përpiftë e gryka e pusit mos u mbylltë mbi mua. Përgjigjmu, o ZOT, se e mirë është besnikëria jote, kthehu drejt meje, sipas dhembshurisë sate të madhe. Mos e fshih fytyrën tënde prej shërbëtorit tënd, përgjigjmu sa më shpejt, se jam ngushtë. Afrohu tek unë e shpëtomë, prej armiqve të mi çliromë. Ti e njeh poshtërimin tim, turpin dhe çnderimin tim, armiqtë e mi janë të gjithë para teje. Poshtërimi ma theu zemrën e fuqitë më lanë, prita ndonjë që t'i vinte keq për mua, por më kot, ndonjë që të më ngushëllonte, por nuk gjeta. Më hodhën helm në ushqim e, për të më shuar etjen, më dhanë të pi uthull. Lak u bëftë për ta tryeza e tyre e për miqtë e tyre grackë. Iu errshin sytë e më mos pafshin, ijët e tyre përgjithmonë u dridhshin. Derdh mbi ta zemërimin tënd, flaka e zemërimit tënd i përpiftë. Fushimi i tyre u shkretoftë, në tendat e tyre mos banoftë njeri, se mundojnë atë që qortove ti e përgojojnë dhimbjet e atij që plagose ti. Shtoji paudhësi paudhësisë së tyre, që të mos kenë pjesë në drejtësinë tënde. U fshifshin nga libri i të gjallëve e mos u shkrofshin me të drejtët. Por unë jam i mjerë e plot dhimbje, shpëtimi yt, o Perëndi, më mbroftë. Do ta lavdëroj emrin e Perëndisë me këngë, do ta madhëroj me falënderime. Kjo i pëlqen ZOTIT më tepër se demi, më tepër se kau me brirë e thundra. Le të shohin të mjerët e le të gëzojnë. Juve që kërkoni Perëndinë, ju përtëriftë zemra, se ZOTI i dëgjon të mjerët e të robëruarit e tij nuk i përçmon. Le ta lavdërojnë qiejt e toka, detet e gjithçka që lëviz në to. Se Perëndia do ta shpëtojë Sionin e qytetet e Judës do t'i rindërtojë. Aty do të banojnë e do ta trashëgojnë.

Psalmet 69:16-36 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Përgjigjmu, o Zot, sepse mirësia jote është e çmuar; në dhembshuritë e tua të mëdha sillu nga unë. Mos e fshih fytyrën tënde nga shërbëtori yt, sepse jam në ankth; nxito të më përgjigjesh. Afrohu te unë dhe më shpjego; çliromë nga armiqtë e mi. Ti e njeh poshtërsinë time, turpin tim dhe çnderimin tim; armiqtë e mi janë të gjithë para teje. Fyerja e rëndë më ka copëtuar zemrën dhe jam plot hidhërime; prita dikë që të më përdëllente por më kot; prita dikë që të më ngushëllonte, por nuk u paraqit asnjë. Më dhanë përkundrazi vrer në vend të ushqimit dhe për të ma shuar etjen më dhanë për të pirë uthull. U bëftë tryeza e tyre një lak para tyre, dhe begatia e tyre një kurth. Ju errshin sytë atyre kështu që të mos shohin më, dhe bëj që ijët e tyre të lëkunden vazhdimisht. Zbraz mbi ta zemërimin tënd dhe i zëntë zjarri i indinjatës sate. Banesa e tyre u shkretoftë dhe askush mos banoftë në çadrat e tyre, sepse përndjekin atë që ti ke goditur dhe flasin me kënaqësi për dhembjen e atyre që ti ke plagosur. Shto këtë faj fajit të tyre dhe mos arrifshin kurrë të kenë pjesë në drejtësinë tënde. U shofshin nga libri i jetës dhe mos u shkrofshin midis të drejtëve. Tani jam i hidhëruar dhe i dëshpëruar; shpëtimi yt, o Perëndi, më lartoftë. Unë do ta kremtoj emrin e Perëndisë me një këngë, dhe do ta madhështoj me lavde. Dhe kjo do t'i pëlqejë Zotit më tepër se një ka o një dem me brirë dhe thonj. Njerëzit e përulur do të shohin dhe do të gëzohen; dhe për ju që kërkoni Perëndinë, u përtëriftë zemra juaj. Sepse Zoti kënaq nevojtarët dhe nuk përçmon robërit e tij. E mburrshin qiejt dhe toka, detet dhe gjithçka lëviz në to. Sepse Perëndia do të shpëtojë Sionin dhe do të rindërtojë qytetet e Judës; atëherë ata do të banojnë në to dhe do t'i zotërojnë. Dhe pasardhësit e shërbëtorëve të tij do të kenë trashëgiminë dhe ata që e duan emrin e tij do të banojnë aty.