Mos më rrëmbeftë rrjedha e ujërave,
thellësia e humnerës mos më përpiftë
e gryka e pusit mos u mbylltë mbi mua.
Përgjigjmu, o ZOT,
se e mirë është besnikëria jote,
kthehu drejt meje,
sipas dhembshurisë sate të madhe.
Mos e fshih fytyrën tënde prej shërbëtorit tënd,
përgjigjmu sa më shpejt, se jam ngushtë.
Afrohu tek unë e shpëtomë,
prej armiqve të mi çliromë.
Ti e njeh poshtërimin tim,
turpin dhe çnderimin tim,
armiqtë e mi janë të gjithë para teje.
Poshtërimi ma theu zemrën e fuqitë më lanë,
prita ndonjë që t'i vinte keq për mua, por më kot,
ndonjë që të më ngushëllonte, por nuk gjeta.
Më hodhën helm në ushqim
e, për të më shuar etjen,
më dhanë të pi uthull.
Lak u bëftë për ta tryeza e tyre
e për miqtë e tyre grackë.
Iu errshin sytë e më mos pafshin,
ijët e tyre përgjithmonë u dridhshin.
Derdh mbi ta zemërimin tënd,
flaka e zemërimit tënd i përpiftë.
Fushimi i tyre u shkretoftë,
në tendat e tyre mos banoftë njeri,
se mundojnë atë që qortove ti
e përgojojnë dhimbjet e atij që plagose ti.
Shtoji paudhësi paudhësisë së tyre,
që të mos kenë pjesë në drejtësinë tënde.
U fshifshin nga libri i të gjallëve
e mos u shkrofshin me të drejtët.
Por unë jam i mjerë e plot dhimbje,
shpëtimi yt, o Perëndi, më mbroftë.
Do ta lavdëroj emrin e Perëndisë me këngë,
do ta madhëroj me falënderime.
Kjo i pëlqen ZOTIT më tepër se demi,
më tepër se kau me brirë e thundra.
Le të shohin të mjerët e le të gëzojnë.
Juve që kërkoni Perëndinë, ju përtëriftë zemra,
se ZOTI i dëgjon të mjerët
e të robëruarit e tij nuk i përçmon.
Le ta lavdërojnë qiejt e toka,
detet e gjithçka që lëviz në to.
Se Perëndia do ta shpëtojë Sionin
e qytetet e Judës do t'i rindërtojë.
Aty do të banojnë e do ta trashëgojnë.