Përgjigjmu, o Zot, sepse mirësia jote është e çmuar; në dhembshuritë e tua të mëdha sillu nga unë. Mos e fshih fytyrën tënde nga shërbëtori yt, sepse jam në ankth; nxito të më përgjigjesh. Afrohu te unë dhe më shpjego; çliromë nga armiqtë e mi. Ti e njeh poshtërsinë time, turpin tim dhe çnderimin tim; armiqtë e mi janë të gjithë para teje. Fyerja e rëndë më ka copëtuar zemrën dhe jam plot hidhërime; prita dikë që të më përdëllente por më kot; prita dikë që të më ngushëllonte, por nuk u paraqit asnjë. Më dhanë përkundrazi vrer në vend të ushqimit dhe për të ma shuar etjen më dhanë për të pirë uthull. U bëftë tryeza e tyre një lak para tyre, dhe begatia e tyre një kurth. Ju errshin sytë atyre kështu që të mos shohin më, dhe bëj që ijët e tyre të lëkunden vazhdimisht. Zbraz mbi ta zemërimin tënd dhe i zëntë zjarri i indinjatës sate. Banesa e tyre u shkretoftë dhe askush mos banoftë në çadrat e tyre, sepse përndjekin atë që ti ke goditur dhe flasin me kënaqësi për dhembjen e atyre që ti ke plagosur. Shto këtë faj fajit të tyre dhe mos arrifshin kurrë të kenë pjesë në drejtësinë tënde. U shofshin nga libri i jetës dhe mos u shkrofshin midis të drejtëve. Tani jam i hidhëruar dhe i dëshpëruar; shpëtimi yt, o Perëndi, më lartoftë. Unë do ta kremtoj emrin e Perëndisë me një këngë, dhe do ta madhështoj me lavde. Dhe kjo do t'i pëlqejë Zotit më tepër se një ka o një dem me brirë dhe thonj. Njerëzit e përulur do të shohin dhe do të gëzohen; dhe për ju që kërkoni Perëndinë, u përtëriftë zemra juaj. Sepse Zoti kënaq nevojtarët dhe nuk përçmon robërit e tij. E mburrshin qiejt dhe toka, detet dhe gjithçka lëviz në to. Sepse Perëndia do të shpëtojë Sionin dhe do të rindërtojë qytetet e Judës; atëherë ata do të banojnë në to dhe do t'i zotërojnë. Dhe pasardhësit e shërbëtorëve të tij do të kenë trashëgiminë dhe ata që e duan emrin e tij do të banojnë aty.
Lexo Psalmet 69
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Psalmet 69:16-36
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video