Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 106:24-48

Psalmet 106:24-48 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)

Por nukë zunë për gja as dhen’ e dëshërueshim, nuk’ i besuenë fjalës ati. Edhe murmuruenë ndër tendat të veta, nukë ndigjuenë zanin’ e Zotit. Përandai ngriti dorën’ e vet mbi ata, për me i rrenuem ndë shkretinët, edhe me rrëzuem farën’ e atyneve ndër kombet, edhe me përdamë ata ndëpër vendet. Edhe u ngjitnë mbas Baal-peorit, edhe hangrën kurbane të vdekunish, edhe ndesnë ate me të punuemet e veta kaqi, sa u shumue ndër ata varra. Ateherë ndenji Finehesi, e bani gjyq, edhe pushoi varra. Edhe iu numërue për dreitëni bres mbas brezi për gjithë jetënë. Edhe nxen’ ate ndë ujënat të Kundrë-fjalësë, edhe Moiseu hoq keq për ata, se i idhënuenë shpirtinë kaqi, sa foli pa mend me buzët e veta. Nukë prishnë ata kombetë, qi u pat thanë Zoti, por u përzienë bashkë me kombet, edhe mësuenë punët’ e atyneve. Edhe u shërbyenë të latuemevet idhuj, të cillët’ u banë kurth ndër ata, edhe banë kurban bijt’ e vet, edhe bijat’ e veta diajvet, edhe derthnë gjak të pafajm, gjakun’ e të bijvet edhe të bijavet, të cillët’ i banë kurban mbë të latuemit idhujt e Hanaanit, edhe u ndye dheu prei gjaknash. Edhe u pëganë me vepërat e veta, edhe kurvënuenë me punët e veta. Përandai u zemërue fort Zoti kundrë popullit vet, edhe i erth të ndytë prei trashigimit vet. Edhe dha ata ndër duert të kombevet, edhe i zotënuen’ ata qi i kishinë mëni. Edhe i shtrënguen’ anëmiqt e atyneve, edhe u përvunë ndënë duert t’atyneve. Shumë herë i shpëtoi ata, por ata e idhënuenë me këshillet e veta, andai u përvunë për pa-ligjënit e veta. Por Zoti pa shtrëngimin’ e atyneve, kur ndigjoi klithmën’ e atyneve, edhe kujtoi dhiaten’ e vet, edhe u pendue mbas të shumëtit përdëllimit vet. Edhe i bani me gjetunë përdëllim përpara gjith’ atyneve qi i patnë skllavosunë. Shpëto-na, o Zot Perëndia ynë, edhe mbëlith-na prei kombesh, qi të lavduroim’ emëninë tand të shenjtënueminë, edhe të mburremi ndë lavdurimt tand. I bekuem qoftë Zoti Perëndia i Israelit për gjithë jetën’ e jetësë. Edhe le të thotë gjithë populli: Amen. Alleluia.

Psalmet 106:24-48 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Tokën e dëshiruar e përbuzën, fjalës së tij nuk i besuan. Nëpër tendat e tyre murmuritën, zërin e ZOTIT nuk e dëgjonin. Atëherë ngriti dorën e kundër tyre u betua, që mu në shkretëtirë t'i plandoste, që pasardhësit e tyre ndër kombe t'i degdiste, nëpër vende të huaja t'i hapërdante. I ishin kushtuar Baalpeorit, kishin ngrënë flitë e të vdekurve. Me veprimet e tyre ia ndezën zemërimin, prandaj mes tyre shpërtheu gjëma. U ngrit Finehasi dhe bëri drejtësi, e atëherë gjëma u ndal. Kjo iu numërua për drejtësi, brez pas brezi, në amshim. E zemëruan sërish tek ujërat e Meribës, për shkak të tyre e pësoi edhe Moisiu. Ia hidhëruan shpirtin, ndaj foli pa mend me buzët e veta. Ata nuk i shfarosën popujt, sikurse u kishte urdhëruar ZOTI. Por u përzien mes kombeve, veprat e tyre mësuan. Idhujve të tyre u shërbyen, që kurth për ta u bënë. Djemtë e vajzat e veta, djajve ua flijuan. Derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve dhe të bijave. Ua flijuan idhujve të Kanaanit, me gjakun e tyre toka u njollos. U përlyen me veprat që bënë, kryen tradhti me veprimet e tyre. Flakë u ndez zemërimi i ZOTIT kundër popullit të vet, ndot i erdhi nga trashëgimia e tij. Në duart e kombeve i lëshoi, i sunduan ata që i urrenin. Prej armiqve u shtypën, nën zgjedhën e tyre u poshtëruan. Herë pas here i çlironte, por me synimet e tyre krye ngrinin e thellë në paudhësi fundoseshin. Ai e pa sërish mundimin e tyre dhe përgjërimin e tyre e dëgjoi. I ra ndër mend besëlidhja me ta, prej mirësisë së tij të madhe u zbut. I bëri të gjenin mëshirë prej gjithë atyre që i kishin robëruar. Shpëtona, o ZOT, Perëndia ynë, prej kombeve ku gjendemi bashkona, që të lavdërojmë emrin tënd të shenjtë, që të krenohemi me lavdinë tënde. Bekuar qoftë ZOTI, Perëndia i Izraelit, nga mot e përgjithmonë! Mbarë populli le të thotë: «Amen!». Aleluja!

Psalmet 106:24-48 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ata e përçmuan akoma vendin e mrekullueshëm, nuk i besuan fjalës së tij, por murmuritën në çadrat e tyre dhe nuk dëgjuan zërin e Zotit. Prandaj ai ngriti dorën kundër tyre, duke u betuar se do t'i rrëzonte në shkretëtirë, dhe se do t'i zhdukte pasardhësit e tyre midis kombeve dhe se do t'i shpërndante në të gjitha vendet. Ata i shërbyen edhe Baal-Peorit dhe hëngrën flijimet e të vdekurve. E zemëruan Perëndinë me veprimet e tyre dhe në mes tyre plasi murtaja. Por Finehasi u ngrit dhe bëri drejtësi; dhe murtaja pushoi. Dhe kjo iu vu në llogari të drejtësisë, brez pas brezi, përjetë. Ata e provokuan përsëri në ujërat e Meribas, dhe Moisiu pësoi të keqen për shkak të tyre, sepse e ashpërsoi frymën e tij (të Moisiut) dhe ai foli pa u menduar me buzët e tij. Ata nuk shkatërruan popujt, siç i kishte porositur Zoti; por u përzien midis popujve dhe mësuan veprat e tyre; u shërbyen idhujve të tyre, dhe këta u bënë një lak për ta; ua flijuan demonëve bijtë dhe bijat e tyre, dhe derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve të tyre dhe të bijave të tyre, që u flijuan për idhujt e Kanaanit; dhe vendi u ndot nga gjaku i derdhur. Kështu ata u ndotën me veprat e tyre dhe u kurvëruan me aktet e tyre. Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër popullit të tij, dhe ai ndjeu një neveri për trashëgiminë e tij. I la në dorë të kombeve, dhe u sunduan nga ata që i urrenin. Armiqtë e tyre i shtypën dhe ata iu nënshtruan pushtetit të tyre. Ai i çliroi shumë herë, por ata vazhduan të ngrenë krye dhe të zhyten në paudhësinë e tyre. Megjithatë ai i kushtoi kujdes ankthit të tyre, kur dëgjoi britmat e tyre, dhe iu kujtua besëlidhja e lidhur me ta dhe në dhembshurinë e madhe të tij u qetësua. Bëri që ata të fitojnë përkrahje ndër të gjithë ata që i kishin çuar në robëri. Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar. I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: "Amen". Aleluja.