Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 106:24-48

Psalmet 106:24-48 ALBB

Ata e përçmuan akoma vendin e mrekullueshëm, nuk i besuan fjalës së tij, por murmuritën në çadrat e tyre dhe nuk dëgjuan zërin e Zotit. Prandaj ai ngriti dorën kundër tyre, duke u betuar se do t'i rrëzonte në shkretëtirë, dhe se do t'i zhdukte pasardhësit e tyre midis kombeve dhe se do t'i shpërndante në të gjitha vendet. Ata i shërbyen edhe Baal-Peorit dhe hëngrën flijimet e të vdekurve. E zemëruan Perëndinë me veprimet e tyre dhe në mes tyre plasi murtaja. Por Finehasi u ngrit dhe bëri drejtësi; dhe murtaja pushoi. Dhe kjo iu vu në llogari të drejtësisë, brez pas brezi, përjetë. Ata e provokuan përsëri në ujërat e Meribas, dhe Moisiu pësoi të keqen për shkak të tyre, sepse e ashpërsoi frymën e tij (të Moisiut) dhe ai foli pa u menduar me buzët e tij. Ata nuk shkatërruan popujt, siç i kishte porositur Zoti; por u përzien midis popujve dhe mësuan veprat e tyre; u shërbyen idhujve të tyre, dhe këta u bënë një lak për ta; ua flijuan demonëve bijtë dhe bijat e tyre, dhe derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve të tyre dhe të bijave të tyre, që u flijuan për idhujt e Kanaanit; dhe vendi u ndot nga gjaku i derdhur. Kështu ata u ndotën me veprat e tyre dhe u kurvëruan me aktet e tyre. Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër popullit të tij, dhe ai ndjeu një neveri për trashëgiminë e tij. I la në dorë të kombeve, dhe u sunduan nga ata që i urrenin. Armiqtë e tyre i shtypën dhe ata iu nënshtruan pushtetit të tyre. Ai i çliroi shumë herë, por ata vazhduan të ngrenë krye dhe të zhyten në paudhësinë e tyre. Megjithatë ai i kushtoi kujdes ankthit të tyre, kur dëgjoi britmat e tyre, dhe iu kujtua besëlidhja e lidhur me ta dhe në dhembshurinë e madhe të tij u qetësua. Bëri që ata të fitojnë përkrahje ndër të gjithë ata që i kishin çuar në robëri. Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar. I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: "Amen". Aleluja.