Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 10

10
1''Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: Ai që nuk hyn nëpër derë të vathës së deleve, por ngjitet nga një anë tjetër, ai është vjedhës dhe kusar;
2kurse kush hyn nëpër derë është bariu i deleve.
3Atij ia hap portieri; delet e dëgjojnë zërin e tij, dhe ai i thërret delet e tij me emër dhe i prin jashtë.
4Dhe, pasi i ka nxjerrë delet e tij, shkon para tyre; dhe delet e ndjekin, sepse njohin zërin e tij.
5Por nuk ndjekin asnjë të huaj, por do të ikin larg tij, sepse nuk e njohin zërin e të huajve''.
6Jezusi u tha atyre këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk morën vesh për çfarë po u fliste.
7Prandaj Jezusi u tha atyre përsëri: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve.
8Të gjithë ata që erdhën para meje janë vjedhës e kusarë; por delet nuk i kanë dëgjuar.
9Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë.
10Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar; por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk.
11Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet.
12Kurse rrogëtari, që nuk është bari, dhe delet nuk janë të vetat, sheh ujkun që po vjen, i braktis delet dhe ikën; dhe ujku i rrëmben dhe i shpërndan delet.
13Rrogëtari ikën, sepse është rrogëtar dhe nuk do t'ia dijë për delet.
14Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua,
15ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe lë jetën time për delet.
16Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t'i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm.
17Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri.
18Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati im''.
19Atëherë lindi përsëri një përçarje midis judenjve për shkak të këtyre fjalëve.
20Dhe shumë nga ata thoshin: ''Ai ka një demon dhe nuk është në vete; përse e dëgjoni?''.
21Të tjerë thoshin: ''Këto nuk janë fjalë të një të demonizuari; a mundet një demon t'ua hap sytë të verbërve?''.
22U kremtua festa e Kushtimit në Jeruzalem, dhe ishte dimër.
23Dhe Jezusi po ecte në tempull, nën portikun e Salomonit.
24E rrethuan, pra, judenjtë dhe i thanë: ''Deri kur do të na mbash pezull? Nëse je Krishti, na e thuaj haptas''.
25Jezusi u përgjigj atyre: ''Unë jua kam thënë, por ju nuk besoni; veprat që bëj në emër të Atit tim, janë ato që dëshmojnë për mua.
26Por ju nuk besoni, sepse nuk jeni nga delet e mia, siç jua kam thënë.
27Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin;
28dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t'i rrëmbejë nga dora ime.
29Ati im, që m'i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t'i rrëmbejë nga dora e Atit tim.
30Unë dhe Ati jemi një''.
31Prandaj judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë me gurë.
32Jezusi u përgjigj atyre: ''Ju tregova shumë vepra të mira nga Ati im; për cilën nga këto më vrisni me gurë?''.
33Judenjtë u përgjigjën duke thënë: ''Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi''.
34Jezusi u përgjigj atyre: ''A nuk është shkruar në ligjin tuaj: "Unë thashë: Ju jeni perëndi"?
35Nëse ai i quan perëndi ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Perëndisë (dhe Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë),
36ju thoni se ai, që Ati e ka shenjtëruar dhe e ka dërguar në botë, blasfemon, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë"?
37Nëse unë nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni,
38por nëse i bëj, edhe po të mos më besoni mua, u besoni të paktën veprave, që të njihni e të besoni se Ati është në mua dhe unë në atë''.
39Për këtë arsye ata kërkonin përsëri ta kapnin, por ai ikte nga duart e tyre.
40Dhe shkoi përsëri përtej Jordanit, në vendin ku më parë Gjoni pagëzonte; dhe ndaloi aty.
41Dhe shumë veta erdhën tek ai dhe thoshin: ''Gjoni vërtet nuk bëri asnjë shenjë, por gjithçka që Gjoni tha për këtë ishte e vërtetë''.
42Dhe atje shumë veta besuan në të.

Aktualisht i përzgjedhur:

Gjoni 10: ALBB

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë