Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ester 2

2
1Mbas këtyre ngjarjeve, kur zemërimi i mbretit Asuero u qetësua, atij iu kujtua Vashti, atë që kishte bërë ajo dhe çfarë kishte vendosur lidhur me të.
2Atëherë shërbëtorët e mbretit që ishin në shërbim të tij i thanë: "Të kërkohen për mbretin vajza të virgjëra dhe të hijshme;
3mbreti le të caktojë në tërë krahinat e mbretërisë së tij komisarë, të cilët të mbledhin tërë vajzat e virgjëra të hijshme në qytetin e Suzas, në shtëpinë e grave nën mbikëqyrjen e Hegait, eunukut të mbretit dhe rojtar i grave, që do t'u japë atyre melhemet për t'u pastruar.
4Vajza që do t'i pëlqejë mbretit të bëhet mbretëreshë në vend të Vashtit". Ky propozim u pëlqye nga mbreti dhe kështu u veprua.
5Në qytetin e Suzas ishte një jude i quajtur Mardoke, bir i Jairit, bir i Shimeit, bir i Kishit, një beniaminit ,
6që e kishin internuar nga Jeruzalemi bashkë me mërgimtarët e sjellë në robëri me Jekoniahun, mbretin e Judës, nga Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë.
7Ai e kishte rritur Hadasahun, domethënë Esterin, bijën e ungjit të tij, sepse ajo nuk kishte as baba as nënë. Vajza ishte e hijshme dhe kishte trup të bukur; pas vdekjes së atit dhe të nënës së saj, Mardokeu e mori si bijën e tij.
8Kur urdhri i mbretit dhe dekreti i tij u përhapën, dhe shumë vajza u mblodhën në qytetin e Suzas nën mbikëqyrjen e Hegait, edhe Esterin e çuan në pallatin e mbretit nën mbikëqyrjen e Hegait, rojtarit të grave.
9Vajza i pëlqeu dhe fitoi simpatinë e tij; kështu ai u shpejtua t'i japë melhemet për pastrimin dhe ushqimin e saj; i dha gjithashtu shtatë vajza të reja të zgjedhura në pallatin e mbretit dhe e zhvendosi bashkë me to në apartamentin më të mirë të shtëpisë së grave.
10Esteri nuk kishte treguar asgjë as për popullin e saj as për vendin e prejardhjes së saj, sepse Mardokeu e kishte urdhëruar të mos tregonte.
11Çdo ditë Mardokeu shëtiste përpara oborrit të shtëpisë së grave për të marrë vesh si ishte Esteri dhe ç'po bëhej me të.
12Kur i vinte radha çdo vajzë të hynte te mbreti Asuero, mbasi kishte bërë dymbëdhjetë muaj përgatitjesh, sipas rregulloreve të grave, sepse kështu plotësoheshin ditët e pastrimit të tyre; gjashtë muaj për t'u lyer me vaj të mirrës dhe gjashtë muaj me aroma dhe melheme të grave për t'u pastruar,
13vajza shkonte te mbreti; i lejohej të merrte me vete nga shtëpia e grave në pallatin e mbretit tërë ato që donte.
14Atje ajo shkonte në mbrëmje dhe të nesërmen në mëngjes kalonte në shtëpinë e dytë të grave, nën mbikëqyrjen e Shaashgazit, eunukut të mbretit dhe rojtar i konkubinave. Ajo nuk kthehej më te mbreti, veçse po ta kërkonte mbreti dhe ta thërrisnin me emër.
15Kur i erdhi radha për të shkuar te mbreti Esterit, bijës së Abihailit, ungji i Mardokeut, që e kishte marrë me vete si bijën e tij, ajo nuk kërkoi asgjë veç asaj që i tregoi Hegai, eunuku i mbretit, rojtari i grave. Dhe Esteri fitoi simpatinë e të gjithë atyre që e shihnin.
16Esterin e çuan te mbreti Asuero në pallatin e tij mbretëror muajin e dhjetë, domethënë në muajin e tebethit, në vitin e shtatë të mbretërimit të tij.
17Mbreti e dashuroi Esterin më tepër se gjithë gratë e tjera, dhe ajo gjeti hir dhe mirëdashje në sytë e tij më tepër se tërë vajzat e tjera. Kështu ai i vuri mbi kokë kurorën mbretërore dhe e bëri mbretëreshë në vend të Vashtit.
18Pastaj mbreti shtroi një banket të madh për tërë princat dhe shërbëtorët e tij, banketin e Esterit; përveç kësaj ai u dha një ditë pushimi krahinave dhe bëri dhurata me bujari mbretërore.
19Kur vajzat u mblodhën herën e dytë, Mardokeu rrinte ulur te porta e mbretit.
20Esteri, sipas urdhrit që Mardokeu i kishte dhënë, nuk kishte treguar asgjë as për vendin e prejardhjes së saj, as për popullin e saj. Në të vërtetë Esteri zbatonte urdhrat e Mardokeut, ashtu si në kohën kur ishte nën kujdestarinë e tij.
21Në ato ditë, ndërsa Mardokeu rrinte ulur te porta e mbretit, Bigtani dhe Tereshi, dy eunukë të mbretit dhe rojtarë të pragut, u zemëruan dhe kërkuan të shtrinin dorën kundër mbretit Asuero.
22I njoftuar për këtë gjë, Mardokeu lajmëroi mbretëreshën Ester, dhe Esteri informoi mbretin në emër të Mardokeut.
23U bënë hetime dhe u provua se gjëja ishte e vërtetë, të dy eunukët u varën në trekëmbësh; pastaj kjo ngjarje u regjistrua në librin e Kronikave, në prani të mbretit.

Aktualisht i përzgjedhur:

Ester 2: ALBB

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë