Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Mbretërve 13

13
1Në vitin e njëzetetretë të Joasit, birit të Ashaziahut, mbret i Judës, Jehohazi, bir i Jehut, filloi të mbretërojë mbi Izrael në Samari, dhe mbretëroi shtatëmbëdhjetë vjet.
2Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe vijoi mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilët e kishte bërë Izraelin të kryente mëkate, dhe nuk u largua nga kjo rrugë.
3Atëherë zemërimi i Zotit shpërtheu kundër Izraelit dhe i dorëzoi në duart e Hazaelit, mbretit të Sirisë, dhe në duart e Ben-Hadadit, birit të Hazaelit, për tërë atë kohë.
4Por Jehohazi iu lut Zotit dhe Zoti e kënaqi, sepse pa shtypjen e Izraelit dhe se si mbreti i Sirisë i shtypte.
5Prandaj Zoti i dha një çlirues Izraelit, dhe kështu banorët e tij mundën t'i shpëtojnë pushtetit të sirëve; kështu bijtë e Izraelit mundën të banojnë në çadrat e tyre si në të kaluarën.
6Megjithatë nuk u larguan nga mëkatet e shtëpisë së Jeroboamit me të cilat e kishin bërë të kryente mëkate Izraelin, por vazhduan në këtë rrugë; bile edhe Asherahu mbeti më këmbë në Samari.
7Nga të gjitha trupat e Jehoahazit Zoti la vetëm pesëdhjetë kalorës, dhjetë qerre dhe dhjetë mijë këmbësorë, sepse mbreti i Sirisë i kishte shkatërruar dhe katandisur në pluhur për t'u shkelur.
8Pjesa tjetër e bëmave të Jehoahazit, tërë atë që bëri dhe tërë trimëritë e tij a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit.
9Kështu Jehoahazin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros në Samari. Në vend të tij mbretëroi i biri, Joasi.
10Në vitin e tridhjetë e shtatë të Joasit, mbretit të Judës, bir i Jehoahazit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari, dhe mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet.
11Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilat e kishte bërë të kryente mëkate Izraelin, por vazhdoi në këtë rrugë.
12Pjesa tjetër e bëmave të Joasit, tërë atë që bëri dhe trimëria me të cilën luftoi kundër Amatsiahut, mbretit të Judës, a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?
13Kështu Joasin e zuri gjumi me etërit e tij dhe Jeroboami u ul mbi fronin e tij. Pastaj Joasi u varros në Samari me mbretërit e Izraelit.
14Eliseu u sëmur nga ajo sëmundje prej së cilës duhet të vdiste; prandaj Joasi, mbret i Izraelit, erdhi ta shohë dhe qau mbi të, duke thënë: "O ati im, o ati im, qerrja e Izraelit dhe kalorësia e tij!".
15Atëherë Eliseu i tha: "Merr një hark dhe disa shigjeta", ai mori një hark dhe disa shigjeta.
16Eliseu i tha pastaj mbretit të Izraelit: "Rroke harkun"; ai e rroku dhe Eliseu vuri duart e tij mbi duart e mbretit.
17Pastaj tha: "Hape dritaren nga lindja!". Ai e hapi. Atëherë Eliseu tha: "Gjuaj!". Ai gjuajti. Pas kësaj Eliseu i tha: "Shigjeta e fitores së Zotit dhe shigjeta e fitores kundër sirëve, sepse ti do t'i mundësh sirët në Afek derisa t'i shfarosësh".
18Pastaj tha: "Merri shigjetat!", dhe ai i mori. Eliseu i tha pastaj mbretit të Izraelit: "Rrihe tokën"; ai e rrahu tri herë dhe pastaj u ndal.
19Por njeriu i Perëndisë u zemërua me të dhe i tha "Duhet ta kishe rrahur pesë ose gjashtë herë; atëherë do t'i kishe mundur sirët derisa t'i zhdukje fare; tani përkundrazi do t'i mundësh sirët vetëm tri herë".
20Pastaj Eliseu vdiq dhe e varrosën. Në fillim të vitit vijues disa banda moabitësh pushtuan vendin.
21Por ndodhi që, ndërsa disa varrosnin një njeri, panë një bandë plaçkitësish; kështu e hodhën njeriun në varrin e Eliseut. Sa arriti ai të prekë kockat e Eliseut, u ringjall dhe u ngrit më këmbë.
22Hazaeli, mbret i Sirisë, e shtypi Izraelin gjatë tërë jetës së Jehoahazit;
23por Zoti i fali ata, i erdhi keq dhe u kthye me ta për shkak të besëlidhjes që kishte me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin; dhe këtë radhë nuk deshi t'i shkatërrojë apo t'i largojë nga prania e tij.
24Pastaj vdiq Hazaeli, mbret i Sirisë, dhe në vend të tij mbretëroi i biri, Ben-Hadadi.
25Atëherë Joasi, bir i Jehoahazit rimori nga duart e Ben-Hadadit, birit të Hazaelit, qytetet që ai kishte marrë me luftë kundër Jehoahazit, atit të tij. Tri herë të mira Joasi e mundi dhe ripushtoi kështu qytetet e Izraelit.

Aktualisht i përzgjedhur:

2 i Mbretërve 13: ALBB

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë