Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Mbretërve 12

12
1Në vitin e shtatë të Jehut, Joasi filloi të mbretërojë dhe mbretëroi dyzet vjet në Jeruzalem. Nëna e tij quhej Tsibiah, ishte nga Beer-Sheba.
2Joasi bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit për tërë kohën që udhëhiqej nga prifti Jehojada.
3Megjithatë vendet e larta nuk u ndryshuan; populli vazhdonte të bënte flijime dhe të digjte temjan në vendet e larta.
4Joasi u tha priftërinjve: "Tërë paratë e gjërave të shenjtëruara që çohen në shtëpinë e Zotit, paratë e vëna mënjanë, paratë e caktuara për shpengimin e vetes dhe tërë paratë që secili e ndjen në zemër t'ia çojë shtëpisë së Zotit,
5t'i marrin priftërinjtë, secili nga i njohuri i tij, dhe të ndreqin dëmtimet që ka pasur tempulli kudo që të ndodhen".
6Por në vitin e njëzetetretë të mbretit Joas priftërinjtë nuk kishin ndrequr akoma dëmtimet e tempullit.
7Atëherë mbreti Joas thirri priftin Jehojada dhe priftërinjtë e tjerë dhe u tha: "Pse nuk i keni ndrequr dëmtimet e tempullit? Prandaj mos merrni më para nga të njohurit tuaj, por u jepni për të ndrequr dëmtimet e tempullit".
8Priftërinjtë pranuan të mos merrnin më para nga populli, as edhe të ndreqnin dëmtimet e tempullit.
9Pastaj prifti Jehojada mori një arkë, hapi një vrimë në kapakun e saj dhe e vendosi përbri altarit, në krahun e djathtë të atij që hyn në shtëpinë e Zotit; priftërinjtë që ruanin hyrjen vendosën aty tërë paratë e sjella në shtëpinë e Zotit.
10Kur ata shihnin që në arkë kishte shumë para, atëherë vinin sekretari i mbretit dhe kryeprifti që i vinin paratë në qese dhe numëronin paratë e gjetura në shtëpinë e Zotit.
11Pastaj paratë që ishin peshuar i dorëzonin në duart e atyre që kryenin punë, të cilëve u ishte besuar mbikëqyrja e shtëpisë së Zotit; dhe këta ua kalonin marangozëve dhe ndërtuesve që punonin në shtëpinë e Zotit,
12muratorëve dhe gdhendësve, për të blerë dru dhe gurë të latuar, të nevojshëm për të ndrequr dëmtimet e shtëpisë së Zotit dhe për të mbuluar të gjitha shpenzimet e bëra për ndreqjen e tempullit.
13Por me paratë e sjella në shtëpinë e Zotit nuk u bënë, për shtëpinë e Zotit, as kupa prej argjendi, as pastrues, as enë, as bori, asnjë send ari ose asnjë send argjendi;
14paratë u jepeshin vetëm atyre që kryenin punimet, të cilët i përdornin për të restauruar shtëpinë e Zotit.
15Përveç kësaj nuk u kërkohej asnjë llogari atyre që u ishin dorëzuar paratë, të cilat duhet t'u jepeshin zbatuesve të punimeve, sepse këta punonin me përpikmëri.
16Paratë e flijimeve të shlyerjes dhe ato të flijimeve për mëkatet nuk çoheshin në shtëpinë e Zotit; ato ishin për priftërinjtë.
17Në atë kohë Hazaeli, mbret i Sirisë, doli për të luftuar kundër Gathit dhe e pushtoi; pastaj Hazaeli u përgatit të sulmonte Jeruzalemin.
18Atëherë Joasi, mbret i Judës, mori tërë sendet e shenjta që etërit e tij Jozafati, Jehorami dhe Ashaziahu, mbretër të Judës kishin shenjtëruar, ato që kishte shenjtëruar ai vetë dhe tërë arin që gjendej në thesaret e shtëpisë së Zotit dhe në shtëpinë e mbretit, dhe i dërgoi të gjitha Hazaelit, mbretit të Sirisë, që u tërhoq në Jeruzalem.
19Pjesa tjetër e bëmave të Joasit dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?
20Shërbëtorët e Joasit ngritën krye, kurdisën një komplot dhe e vranë në shtëpinë e Milos, në tatëpjetën në drejtim të Silas.
21Jozakari, bir i Shimeathit, dhe Jehozabadi, bir i Shomerit, shërbëtorë të tij, e goditën dhe ai vdiq. E varrosën pastaj bashkë me etërit e tij në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Amatsiahu.

Aktualisht i përzgjedhur:

2 i Mbretërve 12: ALBB

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë