Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Urtia 19

19
Deti u Kuq
1Zemërimi i pamëshirshëm u zbraz mbi të pafetë,
Perëndia i njihte veprat e tyre të ardhshme.
2Do ta lejonin popullin e tij të largohej,
do ta shtynin të ikte me ngut,
por do të ndërronin mendje e do t'i përndiqnin.
3Mbanin ende zi e vajtonin në varret e të vdekurve,
kur u erdhi një tjetër mendim i pamend:
ndonëse u kishin kërkuar të largoheshin
i ndoqën si të ishin arratisur.
4Fati që u takonte i çoi deri aty
sa të harronin ç'u kishte ngjarë,
që të mos u mbetej pa hequr asnjë mundim caktuar për ta,
5që populli yt të bënte atë rrugëtim të mrekullueshëm
e ata të gjenin atë vdekje të padëgjuar.
6Mbarë krijimi mori sërish trajtën e vet të mëparshme
për t'u shërbyer urdhrave të tua,
që bijtë e tu të mbeteshin të paprekur.
7Fushimit i ra mjegulla,
ku kishte pasur ujë,
u pa toka e thatë,
prej detit të Kuq, udha e hapur,
prej tallazit të ujërave, toka e bleruar.
8Atje kaloi si një komb, mbrojtur nga dora jote,
dhe pa mrekullitë e tua të mëdha.
9Kullotnin si kuaj, kërcenin si qengja,
të lavdëronin ty, o Zot, që i shpëtove.
10Kujtonin ndodhitë e mërgimit,
tokën që lindte harrje e jo kafshë,
lumin e tharë mbushur me bretkosa.
11Mandej panë edhe një lloj tjetër shpendi:
kur dëshira i shtyu për ushqim të shijshëm,
12shkurta dolën nga deti për t'u plotësuar dëshirën.
13Mëkatarëve u ra ndëshkimi,
ndonëse ishin lajmëruar nga rrufetë gjëmuese.
Me të drejtë vuajtën prej ligësive të tyre,
se i urryen fort të huajt.
14Kur vinin të panjohurit, nuk i donin pranë
dhe të huajt që u kishin bërë mirë, i skllavëruan.
15Do të ndëshkohen edhe më shumë,
se i pritën me urrejtje të ardhurit.
16Në fillim i pritën me festime,
por pastaj i munduan me punë të rënda
ata që kishin të njëjtat të drejta.
17U ndëshkuan edhe me verbëri,
porsi ata që mësynin portën e të drejtit,
por, rrethuar nga errësira e dendur,
kërkonte secili rrugën për te dera e vet.
18Pjesët shkëmbyen vendet,
ashtu si tingujt e harpës thurin vijën melodike,
edhe pse çdo tingull mbetet i njëjtë.
Kjo del përpikërisht nga këto ngjarje:
19kafshët e tokës u shndërruan në krijesa ujore,
kafshët e ujit u ngjitën në tokë,
20zjarri ruante forcën edhe në ujë
e uji nuk e shuante dot,
21as flakët nuk ua digjnin mishin kafshëve që u kalonin përmes
e nuk shkrinin atë ushqim qiellor
të shkrishëm si fjolla bore.
22E madhështove dhe e lavdërove popullin tënd në gjithçka, o Zot,
e ndihmove pa ngurrim në çdo vend e kohë.

Aktualisht i përzgjedhur:

Urtia 19: AL1

Thekso

Ndaje

Kopjo

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr