Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Urtia 18

18
1Besnikët e tu i ndriçonte një dritë e madhe,
ua dëgjonin zërin të paudhët, por nuk i shquanin dot,
të lumë i quanin, se nuk kishin vuajtur.
2I falënderonin, se nuk ishin hakmarrë,
dhe u kërkonin falje.
3U caktove një shtyllë zjarri,
udhëheqës në udhën e panjohur,
u dhe një diell të padëmshëm
gjatë shtegtimit të lavdishëm.
4Të paudhët nuk ishin të denjë për dritë,
u takoi burgosja në errësirë.
Ata i mbajtën të burgosur bijtë e tu,
prej të cilëve do t'i jepej botës
drita e pashueshme e ligjit.
Nata e çlirimit
5Të paudhët deshën t'i vrisnin foshnjat e besnikëve,
e vetëm një foshnjë e braktisur shpëtoi.
Si ndëshkim, more shumë nga fëmijët e tyre,
i shfarose njëherësh në ujërat e rrëmbyera.
6Etërit tanë ishin njoftuar për atë natë,
që ta dinin mirë e të gëzoheshin për betimin e bërë.
7Populli yt e priste shpëtimin për të drejtët
dhe shkatërrimin për armiqtë.
8Siç i ndëshkove kundërshtarët,
ashtu na thirre ne dhe na lavdërove.
9Bijtë besnik të njerëzve të mirë
të kushtuan fli në fshehtësi,
ligjin hyjnor e ruajtën njëzëri,
të mirat e rreziqet
i ndanë me të shenjtët,
himnet e kahershme të etërve kënduan.
10Britma çjerrëse e armiqve kthehej si jehonë,
ngado përhapej zëri që vajtonte fëmijët e vdekur.
11Shërbëtori u ndëshkua njësoj si sundimtari,
vuanin njësoj qytetari e mbreti.
12Të gjithë u goditën njëherësh nga vdekja,
të vdekurit të panumërt qenë.
Nuk mjaftonin të gjallët për t'i varrosur,
me një të rënë, u shua breznia më e vlerë.
13Nuk besonin në asgjë për shkak të shortarisë,
si iu shfarosën të parëlindurit,
e njohën popullin tënd si bir të Perëndisë.
14Qetësia e natës mbështillte gjithçka,
vriku i natës ishte në mes
15dhe fjala jote e plotfuqishme prej qiellit brofi
nga fronet e mbretërve.
Si luftëtar i egër ia behu në mes të dheut të dënuar,
me shpatën e mprehtë solli urdhrin tënd të pakthyeshëm.
16U ndal e ngopi gjithçka me vdekje,
prekte qiellin e shkelte tokën.
17I mbërthyen papritur vegimet e ëndrrave të tmerrshme,
frikërat i pushtuan papandehur.
18Binin përdhe gjysmë të vdekur, njëri këtu e tjetri atje,
duke treguar shkakun e vdekjes.
19Ua kishin zbuluar ëndrrat që i mundonin,
që të mos vdisnin pa e ditur për çfarë kishin vuajtur.
20Edhe të drejtët e provuan vdekjen,
sëmundja e preku popullin në shkretëtirë,
por zemërimi yt nuk zgjati shumë.
21Një burrë i panjollë doli në luftë
me armët e shërbesës së tij,
me lutje e temjan solli shërimin,
i bëri ballë zemërimit tënd, i vuri cak fatkeqësisë
dhe tregoi se ishte shërbëtori yt.
22E mundi zemërimin tënd por jo me fuqinë e trupit,
as me armë.
Me fjalë e zbuti ndëshkuesin,
i kujtoi premtimet
dhe besëlidhjen me etërit tanë.
23Kur kufomat ishin pirg,
hyri mes tyre e ia ndali zemërimin,
ia preu udhën për te të gjallët.
24Mbi rrobën e tij të gjatë ishte e gjithë bota,
lavditë e etërve ishin gdhendur në katër rradhë gurësh,
madhështia jote në kurorën e kokës së tij.
25Këtyre iu dorëzua shfarosësi, këto e trembën,
u mjaftoi të provonin pak nga zemërimi yt.

Aktualisht i përzgjedhur:

Urtia 18: AL1

Thekso

Ndaje

Kopjo

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr