Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Levitiku 1

1
Flija e shkrumbimit
1 Zoti e thirri Moisiun, i foli prej tendës së takimit e i tha: 2«Fol me bijtë e Izraelit e thuaju: kush dëshiron t'i kushtojë bagëti si fli Zotit, le t'ia kushtojë prej bagëtive të trasha ose prej bagëtive të imëta. 3Nëse dëshiron t'i kushtojë fli shkrumbimi prej bagëtive të trasha, t'i kushtojë një mashkull të patëmetë. Le ta bëjë te hyrja e tendës së takimit, që Zoti ta pranojë. 4Ta vërë dorën mbi kokën e flisë së shkrumbimit, që flija t'i pranohet për shlyerjen e mëkatit. 5Ta therë mëzatin para Zotit dhe priftërinjtë, bijtë e Aronit, ta kushtojnë gjakun e të spërkatin altarin që ndodhet në hyrje të tendës të takimit. 6Flija e shkrumbimit të rripet e të prihet në copa. 7Bijtë e priftit Aron të ndezin zjarrin mbi altar e të vendosin drutë mbi zjarr. 8Mandej t'i vënë copat, kokën e dhjamin, me radhë, mbi drutë e zjarrit të altarit. 9Zorrët e këmbët të lahen me ujë. Prifti t'i shkrumbojë mbi altar si fli shkrumbimi. Ajo është fli erëkëndshme zjarri për Zotin.
10Nëse kushton si fli shkrumbimi bagëti të imëta, dele apo dhi, të kushtojë një mashkull të patëmetë. 11Ta therë para Zotit në krahun verior të altarit dhe bijtë e priftit Aron ta spërkatin gjakun përreth altarit. 12Ta presë në copa dhe prifti t'i vendosë bashkë me kokën e me dhjamin mbi zjarrin e altarit. 13Zorrët e këmbët t'i lajë me ujë. Prifti të kushtojë gjithçka e ta shkrumbojë mbi altar si fli shkrumbimi. Ajo është fli erëkëndshme zjarri për Zotin.
14Nëse i kushton Zotit shpendë si fli shkrumbimi, t'i kushtojë turtull ose zog pëllumbi. 15Prifti ta kushtojë tek altari, t'ia këpusë kokën e ta shkrumbojë mbi altar, ndërsa gjakun t'ia shtrydhë në anë të altarit. 16Mandej t'ia heqë gushën me gjithë pendë e t'i hedhë në anën lindore të altarit, në vendin ku hidhet hiri. 17T'ia thyejë krahët, pa ia shkëputur, e ta shkrumbojë mbi altar si fli shkrumbimi. Ajo është fli erëkëndshme zjarri për Zotin».

Aktualisht i përzgjedhur:

Levitiku 1: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë