YouVersion Logo
Search Icon

Çdo ditë me radhëSample

Çdo ditë me radhë

DAY 70 OF 366

«Fryti i Frymës është [...] vetëpërmbajtja...» (Gal. 5:23).

Përkthimi i parapëlqyer i këtij fryti të fundit të Frymës është vetëkontrolli. Vetëpërmbajtja ka patur të bëjë kryesisht me kufizimin e përdorimit të pijeve dehëse. Vetëkontrolli mbart mendimin e të qenit i matur ose i përkorë në çdo fushë të jetës.

Përmes fuqisë së Frymës së Shenjtë, besimtari aftësohet që të ushtrojë vetëkontroll mbi mendimet, mbi orekset për ushqim dhe pije, mbi të folurit e tij, mbi jetën seksuale, mbi temperamentin dhe çdo fuqi tjetër që Perëndia i ka dhënë. Ai nuk ka pse të skllavërohet nga ndonjë pasion apo dëshirë.

Pali u kujtoi korintasve se një atlet praktikon vetëkontroll në çdo gjë (1 Kor. 9:25). Ai vetë ishte i vendosur që nuk do të skllavërohej nga asgjë (1 Kor. 6:12) dhe e rrihte trupin e tij dhe e nënshtronte atë, se mos pasi t'u kishte predikuar të tjerëve, ai vetë të shkualifikohej (Shih 1 Kor. 9:27, RSV).

I krishteri i disiplinuar shmang konsumin e tepruar të ushqimeve. Nëse kafeja, çaji apo koka-kola e mbërthejnë, ai i fut një shkelm këtij zakoni. Ai refuzon që të zotërohet nga duhani në çdo formë qoftë. Ai shmang me kujdes përdorimin e qetësuesve, tabletave për gjumë ose prodhimeve të tjera farmaceutike, veçse kur këshillohet nga mjeku. Ai e kontrollon kohën e caktuar për gjumë. Nëse e torturon problemi i lakmisë (epshit), ai mëson që të dëbojë mendimet e papastra, që të përqendrohet mbi mendimet e pastra dhe që ta angazhojë veten me aktivitete ndërtuese. Çdo varësi ose mëkat i bezdisshëm për të është një Goliath që duhet të mposhtet.

Ne dëgjojmë shpesh nga të krishterë që ankohen se nuk mund të thyejnë një zakon të caktuar. Një disfatizëm i tillë garanton dështim. Kjo do të thotë se Fryma e Shenjtë nuk është në gjendje që të japë fitoren e nevojshme. Fakti është se njerëz jo të konvertuar, që nuk e kanë Frymën, janë shpesh në gjendje për të ndaluar duhanin ose alkoolin ose kumarin ose sharjet. Sa shumë më e lehtë do të jetë për të krishterët që ta bëjnë këtë përmes Frymës që banon brenda tyre!

Vetëkontrolli, ashtu si tetë frytet e tjera të Frymës, është i mbinatyrshëm. Ai e aftëson besimtarin që të ushtrojë disiplinë mbi veten në mënyra që të tjerët nuk mund t'i përballojnë.

About this Plan

Çdo ditë me radhë

Kjo është mënyra si duhet ta jetoni jetën: Çdo ditë me radhë. Por ajo që e bën tërë ndryshimin është se si e jetoni çdo ditë. Një mënyrë për t’u siguruar që ditët tona mbi tokë kanë vlerë për Perëndinë është ta mbushim mendjen dhe zemrën tonë me “Fjalën e rrënjosur” që të mund të rritemi me anë të saj. Ky është një libër me përsiatje gjallëruese mbi vargjet e Biblës nga shkrimet e freskëta dhe që e lartësojnë Krishtin nga autori William MacDonald.

More

Ky plan leximi u krijua nga Willian MacDonald. http://asamblejabiblike.al