YouVersion Logo
Search Icon

Çdo ditë me radhëSample

Çdo ditë me radhë

DAY 344 OF 366

«Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht» (1 Kor. 15:57).

Asnjë mendje e krijuar nuk mund të kuptojë ndonjëherë përmasat e fitores që Zoti Jezus fitoi në kryqin e Kalvarit. Ai e mundi botën (Gjoni 16:33). Ai i vuri vulën Satanit, princit të kësaj bote (Gjoni 16:11). Ai triumfoi mbi pushtetet dhe principatat (Kol. 2:15). Ai e mposhti vdekjen aq sa tani ajo është përpirë në fitore (1 Kor. 15:54, 55, 57).

Dhe fitorja e Tij është e jona. Ashtu si fitorja e Davidit mbi Goliathin i solli çlirim tërë Izraelit, po kështu triumfi i lavdishëm i Krishtit pasohet te të gjithë ata që i përkasin Atij. Prandaj mund të këndojmë me Horatius Bonarin:

Fitorja është e jona!
Për ne me forcë doli i forti;
Për ne Ai luftoi luftën, u kthye me triumf:
Fitorja është e jona.

Ne jemi më tepër se fitimtarë përmes Atij që na deshi, sepse «as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë» (Rom. 8:37-39).

Gaj Kingu (Guy King) tregon për një djalosh që ishte në stacion kur arriti treni, që solli skuadrën vendase të futbollit mbas një loje të rëndësishme. Djali vrapoi tek i pari që zbriti nga treni dhe e pyeti duke marrë frymë: «Kush fitoi?» Më pas ai vrapoi nëpër platformën e stacionit, duke bërtitur tepër i gëzuar: «Ne fituam! Ne fituam!» Ndërsa z. King e pa këtë, mendoi me vete: «Tani, në fakt, sa kishte bërë ai për të patur fitoren? Çfarë iu desh të bënte me lojën në fushën e futbollit?» Përgjigjja, sigurisht, është «As edhe një gjë». Por duke qenë se i përkiste të njëjtit qytet, ai e identifikoi veten me skuadrën e qytetit dhe e deklaroi fitoren e tyre si të tijën.

Kam dëgjuar dikur për një francez që kaloi nga një pozitë humbjeje në një fitoreje duke e ndryshuar qytetarinë e tij. Kjo ndodhi kur Uellingtoni (Wellington), i ashtuquajturi Duka i Hekurt i Anglisë, pati fitoren e tij të famshme kundër Napoleonit në Uotërlu (Waterloo). Në fillim francezi kishte të bënte me disfatë, por kur u bë një qytetar britanik, ai mund ta deklaronte si të vetën fitoren e Uellingtonit.

Nga lindja ne jemi të gjithë subjekte të mbretërisë së Satanit dhe si pasojë jemi në anën humbëse. Por në çastin që e zgjedhim Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin, ne kalojmë nga disfata në fitore.

About this Plan

Çdo ditë me radhë

Kjo është mënyra si duhet ta jetoni jetën: Çdo ditë me radhë. Por ajo që e bën tërë ndryshimin është se si e jetoni çdo ditë. Një mënyrë për t’u siguruar që ditët tona mbi tokë kanë vlerë për Perëndinë është ta mbushim mendjen dhe zemrën tonë me “Fjalën e rrënjosur” që të mund të rritemi me anë të saj. Ky është një libër me përsiatje gjallëruese mbi vargjet e Biblës nga shkrimet e freskëta dhe që e lartësojnë Krishtin nga autori William MacDonald.

More

Ky plan leximi u krijua nga Willian MacDonald. http://asamblejabiblike.al