YouVersion Logo
Search Icon

Psalmet 18

18
1"Të dua, o Zot, forca ime.
2Zoti është kështjella ime, fortesa ime dhe çliruesi im, Perëndia im, shkëmbi im ku gjej strehë, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, streha ime e i lartë.
3Unë i kërkoj ndihmë Zotit, që është i denjë për t'u lëvduar, dhe kështu shpëtoj nga armiqtë e mi.
4Dhembje vdekjeje më kishin pushtuar dhe përrenj njerëzish të kobshëm më kishin tmerruar.
5Ankthet e Sheolit më kishin rrethuar dhe leqet e vdekjes më rrinin përpara.
6Në ankthin tim kërkova Zotin dhe i klitha Perëndisë tim; ai e dëgjoi zërin tim nga tempulli i tij dhe zëri im arriti para tij, në veshët e tij.
7Atëherë dheu u trondit dhe u drodh; edhe themelet e maleve luajtën dhe ranë, sepse ai ishte zemëruar shumë.
8Një tym i dilte nga flegrat e tij dhe një zjarr shkatërrimtar dilte nga goja e tij; nga ai shpërthenin thëngjij.
9Ai i uli qiejt dhe zbriti me një mjegull të dendur poshtë këmbëve të tij;
10i kishte hipur një kerubini dhe fluturonte; fluturonte shpejt mbi krahët e erës.
11Me terrin ai kishte bërë velin e tij dhe si shatorre rreth vetes kishte vënë errësirën e ujërave dhe retë e dendura të qiellit.
12Nga shkëlqimi që e paraprinte dilnin re të dendura, breshër dhe thëngjij.
13Zoti gjëmoi në qiejt dhe Shumë i Larti bëri që të dëgjohet zëri i tij me breshër dhe me thëngjij.
14Hodhi shigjetat e tij dhe i shpërndau armiqtë; lëshoi një numër të madh rrufesh dhe i bëri të ikin me vrap.
15Në qortimin tënd, o Zot, në shfryrjen e erës nga flegrat e tua, shtretërit e lumenjve u dukën dhe themelet e botës u zbuluan.
16Ai nga lart shtriu dorën, më mori dhe më nxori jashtë ujërave të shumta.
17Më çliroi nga armiku im i fuqishëm dhe nga ata që më urrenin, sepse ishin më të fortë se unë.
18Ata u vërsulën kundër meje ditën e fatkeqësisë sime, por Zoti mbajti anën time,
19dhe më nxori jashtë, larg; më çliroi sepse më do.
20Zoti më ka shpërblyer sipas drejtësisë sime dhe më ka dhënë sipas pastërtisë së duarve të mia,
21sepse kam ndjekur rrugët e Zotit dhe nuk jam larguar pabesisht nga Perëndia im,
22sepse kam mbajtur para meje tërë ligjet e tij dhe nuk u jam shmangur statuteve të tij.
23Kam qenë i ndershëm me të dhe i jam ruajtur paudhësisë.
24Sepse Zoti më ka dhënë sipas drejtësisë sime, sipas pastërtisë së duarve të mia përpara syve të tij.
25Ti tregohesh i dhimbshëm ndaj njeriut besimtar dhe i drejtë me njeriun e drejtë.
26Ti tregohesh i pastër me atë që është i pastër dhe i dinak me të ligun,
27sepse ti je ai që shpëton njerëzit e pikëlluar dhe ul sytë që janë krenarë;
28ti je në fakt je ai që bën të shkëlqejë llambën time; o Zot, Perëndia im, ti ndriçon errësirën time,
29sepse me ty mund të sulmoj një aradhe dhe me Perëndinë tim mund të kërcej mbi një mur.
30Rruga e Perëndisë është e përsosur; fjala e Zotit është pastruar me anë të zjarrit; ai është mburoja e të gjithë atyre që gjejnë strehë tek ai.
31Në fakt kush është Perëndi përveç Zotit? Kush është kështjellë përveç Perëndisë tim?
32Perëndia është ai që më rrethon me forcë dhe që e bën jetën time të përsosur.
33Ai i bën këmbët e mia të ngjashme me ato të sutave dhe më bën të fortë në vendet e mia të larta;
34ai i mëson duart e mia për betejë, dhe me krahët e mi mund të nderë një hark prej bakri.
35Ti më ke dhënë gjithashtu mburojën e shpëtimit tënd; dora jote e djathtë më ka mbajtur dhe mirësia jote më ka bërë të madh.
36Ti ke zgjeruar hapat e mi nën veten time dhe këmbët e mia nuk janë penguar.
37I kam ndjekur armiqtë e mi dhe i kam arritur, nuk jam kthyer prapa para se t'i shkatërroj.
38I kam goditur vazhdimisht dhe ata nuk kanë mundur të ngrihen përsëri; ata kanë rënë nën këmbët e mia.
39Ti më ke dhënë forcë për betejën dhe ke bërë të përulen ata që ngriheshin kundër meje;
40ti ke bërë të kthejnë kurrizin armiqtë e mi, dhe unë kam shkatërruar ata që më urrenin.
41Ata klithën, por nuk pati njeri që t'i shpëtonte; ata i klithën Zotit, por ai nuk u dha përgjigje.
42I kam shkelur derisa i bëra si pluhuri para erës; i kam fshirë si balta e rrugëve.
43Ti më ke çliruar nga grindjet e popullit; ti më ke bërë udhëheqës të kombeve; një popull që nuk e njihja më ka shërbyer.
44Me të dëgjuar emrin tim, ata më dëgjuan dhe m'u bindën; të huajt m'u nënshtruan.
45Të huajt u ligështuan dhe dolën duke u dridhur nga fortesat e tyre.
46Rroftë Zoti, qoftë e bekuar Kështjella ime dhe lëvduar qoftë Perëndia i shpëtimit tim!
47Ai është Perëndia që hakmerret për mua dhe që më nënshtron popujt;
48ai më çliron nga armiqtë e mi. Ti më larton mbi ata që ngrihen kundër meje dhe më çliron nga njeriu që përdor dhunën.
49Prandaj, o Zot, unë do ta kremtoj midis kombeve emrin tënd me këngë.
50Çlirime të mëdha ai i jep mbretit të tij dhe tregohet dashamirës me Davidin, të vajosurin e tij, dhe me fisin e tij përjetë".

Currently Selected:

Psalmet 18: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy