Psalmet 103
ALBB
103
1Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë.
2Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë.
3Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua,
4shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri;
5ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja.
6Zoti vepron me drejtësi dhe mbron çështjen e të shtypurve.
7Ai i tregon Moisiut rrugët e tij dhe bijve të Izraelit veprat e tij.
8Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.
9Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë.
10Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona.
11Sepse sa të lartë janë qiejt mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij.
12Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona.
13Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij.
14Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.
15Ditët e njeriut janë si bari; ai lulëzon si lulja e fushës;
16në qoftë se era i kalon sipër, ai nuk është më dhe vendi i tij nuk njihet më.
17Por mirësia e Zotit vazhdon nga përjetësia në përjetësi për ata që kanë frikë prej tij, dhe drejtësia e tij për bijtë e bijve,
18për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe mbajnë në mendje urdhërimet e tij për t'i zbatuar në praktikë.
19Zoti e ka vendosur fronin e tij në qiejt, dhe mbretërimi i tij sundon mbi gjithçka.
20Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai, duke iu bindur zërit të fjalës së tij.
21Bekoni Zotin, ju, tërë ushtritë e tij, ju, tërë ministrat e tij, që zbatoni vullnetin e tij.
22Bekoni Zotin, ju, të gjitha veprat e tij, në të tëra vendet e sundimit të tij. Shpirti im, beko Zotin!