YouVersion Logo
Search Icon

Nehemia 1

1
1Fjalët e Nehemias, birit të Hakaliahut. Ndodhi që në muajin e kisleut, në vitin e njëzetë, ndërsa unë ndodhesha në kalanë e Suzas,
2arriti në Judë Hanani, një nga vëllezërit e mi, bashkë me disa burra të tjerë. Unë i pyeta lidhur me judenjtë që kishin shpëtuar, që ishin kthyer gjallë nga robëria, dhe lidhur me Jeruzalemin.
3Ata më thanë: "Ata që kanë shpëtuar nga robëria janë atje poshtë në krahinë, në një varfëri të madhe dhe me faqe të zezë; përveç kësaj muret e Jeruzalemit janë plot me të çara dhe portat e tij janë konsumuar nga zjarri".
4Sa i dëgjova këto fjalë, u ula dhe qava; pastaj mbajta zi disa ditë me radhë, agjërova dhe u luta përpara Perëndisë të qiellit.
5Dhe thashë: "Të lutem shumë, o Zot, Perëndia i qiellit, Perëndi i madh dhe i tmerrshëm, që i qëndron besnik besëlidhjes dhe ke mëshirë për ata që të duan dhe respektojnë urdhërimet e tua,
6qofshin veshët e tua të vëmendshëm dhe sytë e tu të hapur për të dëgjuar lutjen e shërbëtorit tënd që tani ta drejton ty ditën dhe natën për bijtë e Izraelit, shërbëtorë të tu, duke rrëfyer mëkatet e bijve të Izraelit, që ne kemi kryer kundër teje. Po, unë dhe shtëpia e atit tim kemi mëkatuar.
7Jemi sjellë shumë keq me ty dhe nuk kemi respektuar urdhërimet, statutet dhe dekretet që ti i ke urdhëruar Moisiut, shërbëtorit tënd.
8Mbaje mend fjalën që i urdhërove Moisiut, shërbëtorit tënd, duke i thënë: "Në qoftë se do të mëkatoni, unë do t'ju shpërndaj midis popujve;
9por në rast se do të ktheheni tek unë dhe do të respektoni urdhërimet e mia, dhe do t'i zbatoni në praktikë, edhe sikur njerëzit tuaj të shpërndarë të jenë në kufijtë e qiellit, unë do t'i mbledh që andej dhe do t'i sjell përsëri në vendin që kam zgjedhur ku të banojë emri im".
10Tani këta janë shërbëtorët e tu dhe populli yt, që ti i ke çliruar me fuqinë tënde të madhe dhe me dorën tënde të fortë.
11O Zot, të lutem, qofshin veshët e tu të vëmendshëm ndaj lutjes së shërbëtorit tënd dhe lutjes së shërbëtorëve të tu që ndiejnë kënaqësi kur kanë frikë prej emrit tënd; jepi, madje sot të lutem, një sukses të mirë shërbëtorit tënd, duke bërë që ai të gjejë zemërbutësi në sytë e këtij njeriu". Unë atëherë isha kupëmbajtësi i mbretit.

Currently Selected:

Nehemia 1: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy