Luka 18
18
Vejusha dhe gjykatësi
1Atëherë u tregoi një shëmbëlltyrë për nevojën me u lutë gjithmonë, pa u ligështue.
2U thoshte: «Në një qytet ishte një gjykatës që s'druente Hyun e për njerëzit s'i bahej vonë. 3Në atë qytet ishte edhe një vejushë, e cila shkonte tek ai e i thoshte: “Më jep të drejtë ndaj kundërshtarit tim!”. 4Mirëpo ai nuk donte për njëfarë kohe, por ma vonë tha me vete: “Edhe pse s'druej Hyun e për njerëzit s'më bahet vonë, 5meqë kjo vejushë po më lodh, do t'ia jap të drejtën, që të mos vijë e të më sfilisë”».
6Atëherë Zoti tha: «Ndigjoni çka thotë gjykatësi i padrejtë. 7Po Hyu, a nuk do ta zbatojë drejtësinë për të zgjedhunit e vet që i bërtasin ditë e natë? A do t'i lajë me pritë? 8Unë ju them se do t'ua japë të drejtën shpejt. Megjithatë, kur të vijë Biri i njeriut, a thue do ta gjejë besimin mbi dhe?».
Fariseu e tagrambledhësi
9Disave, që besonin se ishin të drejtë dhe i përçmonin të tjerët, u tregoi këtë shëmbëlltyrë: 10«Dy njerëz u ngjitën në tempull për me u lutë. Njeni ishte farise e tjetri tagrambledhës. 11Fariseu qëndronte më kambë e lutej tue thanë me vete: “O Hy, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, grabitës, të padrejtë, të përdalë apo edhe si ky tagrambledhës. 12Njinoj dy herë në javë dhe jap të dhjetën e gjithçkaje që fitoj”. 13Mirëpo tagrambledhësi, mbasi qëndroi larg, nuk donte as me çue sytë drejt qiellit, por i binte krahnorit, tue thanë: “O Hy, ki mëshirë për mue, mëkatnorin!”.
14Po ju them: ky zbriti në shtëpinë e vet i shpallun i drejtë në ved të tij. Se secili që e nalton veten, do të poshtnohet, mirëpo kush e poshtnon veten, do të naltohet».
Bekimi i fëmijëve
15I sillnin edhe foshnjet, që t'i prekte, por nxanësit, kur e panë këtë gja, i qortonin. 16Jezusi, përkundër, i thirri pranë vetes e tha: «Leni fëmijët të vijnë tek unë e mos i ndaloni, se të tillëve u përket mbretnia e Hyut. 17Vërtet po ju them: ai që nuk e pranon mbretërinë e Hyut si fëmijë, nuk do të hyjë në të».
I pasuni
18Dikush nga paria e pyeti: «Mësues i mirë, çka duhet të baj, për me trashëgue jetën e amshueme?». 19Jezusi i tha: «Pse po më quen të mirë? Askush s'asht i mirë veç Hyut. 20Urdhnimet i din: mos thyej kunorën, mos vrit, mos vidh, mos ban dëshmi të rreme, ndero atin tand e nanën tande!». 21Ai i tha: «Të gjitha këto i kam zbatue që në rini». 22Kur e ndigjoi këtë, Jezusi i tha: «Vetëm një gja ke mangut: shit gjithçka ke e jepjua skamnorëve, se do të kesh një thesar në qiell. Dhe eja e më ndiq!». 23Por ai, kur i ndigjoi këto, ra në trishtim. Ishte tepër i pasun.
24Jezusi e vërejti se kishte ra në trishtim, prandaj tha: «Sa e zor e kanë me hy në mbretninë e Hyut ata që kanë pasuni! 25E ka ma të lehtë një deve me kalue nëpër vrimën e një gjilpane, se një i pasun me hy në mbretninë e Hyut». 26Ata që po e ndigjonin e pyetën: «Po kush mundet me shpëtue?». 27Ai u përgjigj: «Çka asht e pamundun për njerëzit, për Hyun asht e mundun».
28Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka që na përkiste dhe erdhëm mbas teje». 29Ai u përgjigj: «Vërtet po ju them, nuk ka asnjë që të ketë lanë shtëpi a grue, a vëllazën, a prind, a fëmijë për shkakun e mbretërisë së Hyut, 30që nuk do të marrë shumëfish në këtë kohë dhe në kohën e ardhshme jetën e pasosun».
Paralajmërimi i tretë i Pashkëve
31Atëherë mori të dymbëdhjetët e u tha: «Ja, po ngjitemi në Jerusalem dhe do të përmbushet gjithçka që asht shkrue me anë të profetëve për Birin e njeriut. 32Ai do t'u dorëzohet kombeve, do ta tallin, do ta shajnë e do ta pështyjnë. 33Mbasi ta kenë fshikullue, do ta vrasin, por ditën e tretë do të ngjallet». 34Ata nuk kuptuan asgja, se kjo fjalë ishte mshehtë për ta dhe nuk i morën vesh thaniet.
Shërimi i lypësit të verbër
35Kur po i afrohej Jerihonit, një i verbër ishte ulë anës udhës e lypte. 36Kur ndigjoi se po kalonte një turmë, pyeti se çka po ndodhte. 37Atëherë e njoftuen: «Jezus Nazaretasi po kalon». 38Dhe ai bërtiti e tha: «Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mue!». 39Ata që ecnin përpara e urdhnuen me heshtë, por ai klithi edhe ma fort: «Biri i Davidit, ki mëshirë për mue!». 40Jezusi ndaloi dhe urdhnoi t'ia sillnin pranë. Kur ai u afrue, e pyeti: 41«Çka dëshiron të baj për ty?». Ai i tha: «Zot, të shoh sërish!». 42Dhe Jezusi i tha: «Shih sërish! Besimi yt të shpëtoi». 43Atij iu kthye menjëherë shikimi e i shkonte mbas, tue lëvdue Hyun. I gjithë populli, kur e pa këtë gja, i dha lavdi Hyut.
Currently Selected:
Luka 18: DHRG
Highlight
Copy
Compare
Share
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
This translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania