YouVersion Logo
Search Icon

Siraku 51

51
1Të falënderoj, o Zot e mbret,
ty të këndoj, o Perëndi i shpëtimit tim,
emrin tënd përlëvdoj,
2se u bëre mbrojtësi e ndihmësi im,
ma shpëtove trupin nga shkatërrimi,
nga kurthi i gjuhës shpifëse,
nga buzët që thonë gënjeshtra.
Përballë atyre që më rrethonin
m'u bëre ndihmë e më shpengove,
3sipas madhështisë së mëshirës sate e të emrit tënd,
nga nofullat e gatshme për ushqim,
nga duart e atyre që donin të më merrnin shpirtin,
nga pikëllimet e shumta që më ranë,
4nga zjarri mbytës përreth,
nga mesi i zjarrit që nuk kisha ndezur,
5nga barku i thellë i skëterrës,
nga gjuha e ndytë e nga fjala e rreme,
6nga gjuha e padrejtë që shpif para mbretit.
Shpirti im iu afrua vdekjes,
jeta ime ishte afër skëterrës së thellë.
7Më rrethuan gjithandej e s'kishte ndihmë,
kërkova një ndihmëtar e s'pati.
8Kujtova mëshirën tënde, o Zot,
për veprat e tua të dikurshme,
se ti i çliron ata që të presin,
i shpëton nga dora e armikut.
9E lartësova nga toka lutjen time,
u përgjërova për t'u liruar nga vdekja.
10Thirra: «O Zot, ati i zotit tim,
mos më braktis në ditët e pikëllimit,
në kohë krenarësh që nuk japin ndihmë.
Do t'i këndoj emrit tënd pareshtur,
do të të thur himne falënderimi».
11Lutja ime u dëgjua,
ti më shpëtove nga shkatërrimi,
më çlirove nga koha e ligë.
12Prandaj të falënderoj e të këndoj,
e bekoj emrin e Zotit.
13Kur isha i ri, para se të endesha,
me ngulm e kërkova urtinë në lutje.
14Kundruall tempullit e kërkova
e deri në fund do ta kërkoj.
15Nga mugullimi gjer te pjekja e rrushit
më ngazëllehej zemra me të.
Këmba më eci në udhë të drejtë,
që në rini e ndoqa.
16I vura vesh pakëz dhe e pranova,
prej saj nxora një mësim të madh.
17Me të përparova,
atij që më jep urti i jap lavdi.
18Vendosa ta zbatoja,
pata zell për mirë e nuk turpërohem.
19Shpirti më është përpjekur me urti,
kam zbatuar ligjin me përpikëri.
I shtriva duart lart
e vajtova për mosnjohjen e saj.
20Drejt saj e prira shpirtin,
e gjeta me pastërti.
Me të zura mend që në fillim,
prandaj nuk do të braktisem.
21E kërkova duke m'u dridhur zorrët,
prandaj e bleva si pronë të begatë.
22Zoti më dha gjuhën si shpërblim,
me të do t'i këndoj.
23Afrohuni tek unë, o të pamësuar,
buni në shtëpinë e mësimit.
24Pse thoni se ju mungojnë këto
e shpirtrat i keni të etur fort?
25Hapa gojën e fola:
«Blijini pa para!
26Vëreni qafën nën zgjedhë,
ta marrë shpirti juaj mësimin,
se gjendet afër.
27Shikojeni me sytë tuaj sa pak jam lodhur,
se prej saj gjeta prehje të thellë.
28Merreni mësimin me shumë para,
se shumë ar do të fitoni me të.
29U gëzoftë shpirti juaj me mëshirën e tij
dhe e lavdërofshi pa u turpëruar!
30Kryejeni punën para kohe
e ai do t'ju shpërblejë në kohë».

Currently Selected:

Siraku 51: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy